Si u ekzekutua ish-anëtari i bandës së Lushnjës, ende asnjë pistë për arsyet e krimit. Dyshohet se u rrëmbye nga të paktën tre persona

Oct 19, 2021 | 13:37
SHPËRNDAJE

Mënyra se si është ekzekutuar 38-vjeçari Alban Semaku është e stilit mafioz. Ai është qëlluar nga një distancë e afërt, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së dielës në zonën e Peqinit. Burime nga grupi hetimor që po merret me zbardhjen e ngjarjes së rëndë bënë me dije se Semaku është vrarë në vendin ku është gjetur buzë lumit Shkumbin, në zonën e Peqinit.

Autorët e kanë qëlluar fillimisht me një plumb mbrapa koke dhe më pas e kanë qëlluar në pjesën e shpinës të paktën me tre plumba, duke e braktisur më pas në vendin e krimit. Ngjarja ndodhi në një zonë të pabanuar, e cila përdoret gjatë fundjavës si vend për tregtimin e bagëtive.

Mbetet mister fakti se si 38-vjeçari është sjellë deri atje nga zona e Lushnjës ku edhe banon. Ish-anëtari i bandës së Lushnjës dyshohet të jetë rrëmbyer mbrëmjen e së shtunës rreth orës 19:00 në qytetin e tij.

Rrëmbimi dyshohet të jetë kryer nga të paktën tre persona. Pavarësisht disa shoqërimeve, Policia lokale nuk ka mundur të zbulojë asnjë të dhënë të rëndësishme që mund të çojë në zbardhjen e ngjarjes.

Organet e hetimit kanë sekuestruar kamerat në një sërë pikash kyçe në zonë në përpjekje për të identifikuar autorët e krimit. Dyshohet që Semaku të jetë marrë me forcë deri në vendin ku u ekzekutua me disa plumba të llojit pistoletë.

NGJARJA

Ish-anëtari i bandës famëkeqe të Lushnjës dhe një nga njerëzit më të besuar të kreut të saj, Aldo Bare, u gjet i vrarë mëngjesin e së dielës në zonën e Peqinit. Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnjë, u gjet i vdekur në lagjen “Çezmë” në afërsi të lumit Shkumbin.

Që në momentet e para kur u gjet trupi i pajetë i tij, Policia dyshoi se bëhej fjalë për një vrasje të mirorganizuar dhe se viktima nuk ishte banor i zonës.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për verifikimin e identitetit të shtetasit të vrarë me armë zjarri, i cili është gjetur në afërsi të lumit Shkumbin, në lagjen Çezmë, Peqin, pas verifikimeve të kryera, rezultoi se ishte shtetasi Alban Semaku, 38 vjeç, banues në Lushnjë, i cili deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali”, sqaroi Policia.

Semaku është vrarë me armë zjarri tip pistoletë me kalibër 9 mm. Ai është ekzekutuar me një plumb në kokë dhe dy të tjerë në brinjë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ndërkohë që ai banonte në Lushnjë dhe kishte pak muaj që ishte liruar nga Burgu i Peqinit për të tjera vepra penale, burimet bëjnë me dije se Semaku dyshohet të jetë rrëmbyer në qytetin e tij dhe është transportuar nëpërmjet fshatrave për në zonën e Peqinit, ku edhe është vrarë me armë zjarri në një zonë midis dy qyteteve.

PËRSE U VRA ISH-ANËTARI I BANDËS SË LUSHNJËS?

Ende nuk ka një motiv në lidhje me ekzekutimin e Alban Semakut, ndërsa pista kryesore dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes. Semaku kishte kaluar pjesën më të madhe të kohës në burg.

Ai u dënua fillimisht për pjesëmarrjen në dy vrasje të ndodhura më 23 nëntor të vitit 1998, ku mbetën të vrarë shtetasit Artan Sulçe dhe Bledar Haxhiu. Në vitin 2015 Semaku u arrestua sërish, kësaj here nën akuzën e kanosjes me armë dhe për lëndë narkotike të llojit heroinë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura