Si u arratis Edison Pula/ Furgoni me derë hapur, polici rregullonte shallin

Dec 22, 2016 | 11:13
SHPËRNDAJE

Zbardhen detaje nga arratisja e Edison Pulës, 9 ore pasi u arrestua për atentatin ndaj Gentjan Bejtjes, personit te akuzuar si autor i vjedhjes së mjetit me të cilin u vra kryekomisari Lamaj.

Burime për “News24” bëjnë me dije se 21-vjeçari i prangosur ka mundur t’u ikë policëve gjatë kohës që këta të fundit e kishin transferuar nga Fushë-Kruja në komisariatit të Krujës.

Sipas policisë, në momentin që furgoni ka ndaluar në oborrin e komisariatit të Krujës, një prej policëve ka zbritur duke lënë derën e mjetit hapur, ndërsa tjetri ishte në drejtim të automjetit.

Rezulton se dy policët kanë qenë të shpërqendruar, pasi njëri merrej me rregullimin e shallit dhe tjetri me rregullimin e timonit, siç do të pohohej më vonë pas marrjes në pyetje të tyre.

21-vjeçari i prangosur ka përfituar nga kjo situatë duke u larguar me shpejtësi. Për fatin e tij të mirë edhe porta kryesore e komisariatit ka qenë e hapur.

Mësohet se asnjë prej policëve nuk ka mbikëqyrur të arrestuarin, i cili edhe pse i prangosur u arratis lehtësisht.

DEKLARATA

Mbrëmjen e sotme, duke përfituar nga pakujdesia e dy Punonjësve të Policisë, në momentin e transferimit nga Stacioni i Policisë Fushë-Krujë në Komisariatin e Krujës ka kapërcyer murin rrethues dhe është arratisur shtetasi Edison Pula, 21 vjeç, banues në Krujë.

Pula ishte ndaluar sot, në kuadër të operacionit”Shënjestra”ku u arrestuan në flagrancë dy shtetas, ndaluar 7 të tjerë dhe shpallur në kërkim një tjetër.

Policia ka rrethuar dhe po kreh të gjithë zonën përreth me qëllim kapjen e shtetasit të arratisur.

SHÇBA-ja po verifikon shkeljen e rregullave të Shërbimit nga Punonjësit e Policisë që kanë qenë me detyrë për shoqërimin e shtetasit të mësipërm.

ARRATISJA

Edison Pula është arratisur ditën e sotme gjatë transferimit që Policia po i bënte drejt burgut në Krujë.

gentjan bejtja
Gentjan Bejtja

Pula është arrestuar një ditë më parë si i dyshuari që i ka bërë antentat Gentian Bejtjes. Ky i fundit është personi që u akuzua si i përfshirë në vjedhjen e automjetit me të cilin u vra kryekomisari Dritan Lamaj.

Policia ka nisur menjëherë kërkimet për kapjen e tij. Ai po transferohej nga burgu i Fushë-Krujës në atë të Krujës ditën e sotme.

Për të janë ngritur posbtlloqe në të gjitha akset rrugore. Mësohet se Edison Pula ka rrahur togën që e shoqëronte dhe më pas ka mundur të arratiset.

 

ATENTATI

Kujtojmë se 35-vjeçari Gentian Bejtjes iu bë atentat në shtator të këtij viti. Ai ishte duke udhëtuar me mjetin e tij në momentin kur ka shpërthyer eksplozivi dhe ai mori për fat vetëm plagë të lehta.

Ai është dëshmitari i fundit që është gjallë si autor i dyshuar për vjedhjen e makinës që u përdor për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.

Ishte liruar para një viti nga gjykata ku ne një proces gjykimi akuzohej së bashku me Enver Stafukën për vjedhjen e makinës, e cila u përdor nga personat që ekzekutuan Dritan Lamajn.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura