Puto: “Si shpëtova pa ‘ma qethur’ kokën, për letrën e Mehmet Shehut” (Pjesa II)

Oct 22, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

Përveç një bashkëpunimi të shkurtër në komisionin për përkthimin dhe botimin e veprave të Stalinit, pas vdekjes së këtij të fundit, kur edhe Mehmet Shehu e akuzoi si “trockist”, Arben Puto nuk pati më asnjë kontakt me kryeministrin. Por një tjetër rrethanë “do ta takonte”, në mos me të, me emrin dhe çështjen e tij, 1 vit pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

1-5

U bënë 6 orë mbledhje, ndërsa e shoqja mblidhte plaçkat, pse ai kishte sjellë nga Arkivat e Londrës një dokument ku flitej për Mehmet Shehun. Rrezikoi seriozisht, por, me sa duket, “i madhi” e kishte thënë fjalën e tij dhe ai do të shpëtonte.

Në librin e tij “Jetë me kujtime”, historiani Arben Puto tregon jetën e tij, por edhe ngjarje që lidhen me jetët e të gjithë shqiptarëve. Duke folur për incidentin me Mehmet Shehun, historiani bën edhe një analizë të asaj çka ndodhi dhe çoi në vetëvrasjen e kryeministrit.

Nuk kishte asnjë dokument për veprimtari agjenturore. Sipas Putos, gjithçka ishte një montim për të justifikuar eliminimin e tij. Puto ndalet edhe te letra e fundit e Mehmetit, që, sipas tij, ishte e ulët dhe nuk “e nderoi” atë në fund të jetës.

VETËVRASJA E MEHMET SHEHUT

Ky nëntitull mund të duket paradoksal, i pakuptueshëm. Por është fakt se në këtë çështje kam qenë i implikuar edhe unë vetë. Më duhet të tregoj si kanë rrjedhur ngjarjet që krejt rastësisht më vunë edhe mua përballë një momenti delikat. Me Mehmet Shehun kam pasur një bashkëpunim të shkurtër për përkthimin dhe botimin e veprave të Stalinit në shqip. Kam shënuar një incident të vogël, kur ai, në inat e sipër, më shau me sharjen bolshevike “trockist”. Pas vdekjes së Stalinit, në kuadrin e ndryshimeve që u bënë në udhëheqjen e lartë, Mehmet Shehu u emërua kryeministër.

Prej atëherë unë nuk kam pasur fare të bëj me të. Ka pasur vetëm një rast kur unë dhe Androkli Kostallari u caktuam si përkthyes pranë delegacionit që shkoi në Konferencën e Traktatit të Varshavës, më 1955. Por dekada të tëra e kam parë vetëm në tribuna. Shumë vite më vonë, në dhjetor 1981, Mehmet Shehu bëri vetëvrasje.

Vetëvrasja e një kryeministri në detyrë dhe me një karrierë aq të gjatë shkaktoi pështjellim dhe pati pasoja në jetën e vendit. Një ngjarje e tillë është pjesë e historisë. Por nuk më bie mua të bëj gjithë historinë. Do të trajtoj përmbledhtazi si një çështje që pati si pasojë të rastit edhe implikimin tim në këtë ngjarje. Është tanimë e njohur botërisht se në origjinë të kësaj ndodhie ka qenë fejesa e djalit të Mehmet Shehut me një vajzë me “pika të errëta” në biografi, lidhje familjare me ballistë dhe “armiq të popullit”.

Në fakt, ishte një vajzë nga familje e nderuar tiranase. Babain e saj, Qazim Turdiun, e kishim pasur mësues të matematikës në gjimnaz. E kam njohur si një mësues shembullor. Fejesa u bë në shtator dhe aty për aty u prish. Mehmet Shehu kishte namin e një njeriu të ashpër “parimor”, i papajtueshëm me çdo shkelje në frontin e “luftës së klasave”. Dhe e bëri vetë! Që këtu nisi e tatëpjeta e tij.

Sipas versionit zyrtar, Enver Hoxha pati shprehur keqardhje dhe shfaqi habi për një akt si ky. Kur në fund të fundit, në analizën që iu bë çështjes në mbledhjen e Byrosë, më 17 dhjetor, u vendos që t’i bëhej një “vërejtje në kartën e regjistrimit” (një nga format më të lehta të ndëshkimit). Më kujtohet se ky ka qenë shpjegimi që u dha ato ditë. Këtë version e konfirmon edhe Ramiz Alia 30 vjet më vonë në librin me kujtime “Jeta ime”.

Por kanë dalë burime të reja që e përgënjeshtrojnë këtë version. Janë dëshmitë e raporteve televizive që i kanë ndjekur hap pas hapi ngjarjet dhe njerëzit. Një pasqyrë ka bërë ish-drejtori i televizionit, Agron Çobani, në librin “Ju flet Tirana”. Bëhet fjalë për një prapaskenë. Enveri jetonte vitet e tij të fundit. Dilte problemi i zëvendësimit të tij. Preferencat e Enverit dhe të familjes ishin për Ramiz Alinë, i cili, “me natyrën e tij të butë”, jepte më shumë garanci, krejt ndryshe nga Mehmeti “egërsirë”.

Eliminimi i tij ishte vendosur që më parë, pritej vetëm sebepi. Dhe sebepin e dha Mehmeti vetë me fejesën e djalit të tij. Filloi menjëherë një fushatë e nëndheshme kundër tij dhe familjes për disa muaj, prej shtatorit, derisa do të arrinte kulmin. Mehmeti po e ndiente veten “të rrethuar”.

Edhe raporti që i lanë të mbante në Kongresin VIII në nëntor, mbi veprimtarinë e qeverisë, ishte pjesë e lojës. Në mbledhjen e Byrosë, më 17 dhjetor, u bë lançimi me akuza, sharje, fyerje, poshtërime që nuk i kishte dëgjuar kurrë. Ai e dinte mirë se si mbaronin këto punë, dhe vrau veten po atë natë.

Pas vdekjes, Mehmet Shehut iu zhvillua një proces i ri. Enver Hoxha doli me “tablonë sinoptike”, në të cilën Mehmeti shpallej poliagjent, “si një njeri që ishte në shërbim të shteteve të ndryshme për të rrëzuar pushtetin popullor”. Nga kasafortat e KQ-së u nxorën disa “dokumente sekrete” të shërbimeve të huaja që provonin se Mehmeti ishte rekrutuar si agjent që kur merrte pjesë si vullnetar në luftën civile në Spanjë, në vitet ’30.

“Tabloja” u bë temë e një fushate të gjerë e të pandërprerë në parti dhe në shtyp. “Vigjilentët”, “të vendosurit”, “parimorët” u vunë në garë, kush e kush të jepte argumente për Mehmetin poliagjent. Personalisht kam pasur dhe kam bindjen se vetë “tabloja sinoptike” ishte një hakmarrje pas vdekjes. Të gjitha “dokumentet”, “zbulimet” ishin një montim për të mbuluar prapaskenën për eliminimin e tij.

Nuk ka provë më bindëse se veprimtaria e tij në luftë e në paqe, gjithnjë pranë Enverit, bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i tij. 40 vjet “në shërbim të agjenturave të huaja” do t’i kishin mjaftuar për të kryer atë që kërkohej prej tij. Si është e mundur që shërbimi i fshehtë shqiptar të mos ketë rënë në gjurmë për një kohë të gjatë? Nuk dua të keqkuptohem.

Nuk kam ndër mend të idealizoj figurën e Mehmet Shehut, një figurë komplekse, në të cilën aftësitë drejtuese në luftë e në paqe kombinoheshin me prirjet ekstremiste dhe metodat terroriste. Mjafton të përmendet rasti i grupit të “borgjezëve” të ekzekutuar pa gjyq më 1951, si reprezalje ndaj bombës në Ambasadën Sovjetike, që i është atribuuar pikërisht Mehmetit. Mehmet Shehu, për të realizuar ambiciet e tij, u bë promotor i seriozit të proceseve që likuiduan Beqir Ballukun me shokë.

Në gjyqin e Beqir Ballukut, ai mori rolin e prokurorit dhe “zbuloi komplotin” që e quante një sukses të tij “në shërbim të partisë”. Më pati bërë përshtypje letra që kishte lënë Mehmeti për Enverin, natën e vetëvrasjes. Para së gjithash, bie në sy mënyra si i drejtohej me ndjenjën e mirëbesimit ndaj tij, e adhuronte si udhëheqës të partisë dhe të ndërtimit të socializmit në Shqipëri.

Midis rreshtave, i drejtohej si mik e shok dhe i lutej që të kujdesej për familjen e tij, të shoqen dhe djemtë. Si mund të priste një trajtim të ndryshëm nga ai që vetë u kishte bërë familjeve të “komplotistëve”? Sigurisht, nuk do të bëhej përjashtim nga rregulli. Dhe familja e pësoi keq. Djali i madh, Vladimiri, u vetëdogj me korrent. Fiqiretja u internua. Dy djemtë e tjerë ranë në burg për shumë vite.

Në përgjithësi, letra bie në sy për tonin e ulët, pa dinjitet, plot akuza, sharje e thashetheme. Merr nëpër gojë “Hrushovë e Jago”, që i quan varrmihësit e tij. Dhe vë në rojë Enverin se këta “do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste, atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku dhe banda e tij. Ai e di mirë se ç’pësoi familja e Beqirit dhe vetë i kërkon Enverit të ketë kujdes familjen e tij. Me këtë letër, Mehmet Shehu e mbyll keq jetën e tij.

E përsëris se arsyeja që më bëri të ndalem te çështja e Mehmet Shehut është tentativa që u bë për të më implikuar me të. E provova vetë se sa lehtë e kanë “vigjilentët” të sajojnë e të të rrënojnë. Dhe ja se si. Gjatë punës sime në Arkivat e Londrës, unë pata bërë shumë fotokopje të dokumenteve që kishin të bënin me politikën e Britanisë së Madhe në çështjen shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjeta dhe mora në fotokopje të gjitha raportet e oficerëve anglezë pranë reparteve partizane. Duke raportuar për aksionet luftarake, ata bënin karakteristika të udhëheqjes së lëvizjes.

Midis tyre ishte edhe një raport që jepte gjykime veçanërisht mbi rolin dhe personalitetin e dy udhëheqësve kryesorë, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Për Enverin, vihej në dukje formimi i tij, guximi dhe vendosmëria pa kompromis në luftën kundër okupatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Për Mehmet Shehun, më kujtohet vetëm një frazë, “komandant i shquar, njeri me ambicie pa kufi”.

Të them të drejtën, unë këtë dokument e mora më shumë për karakteristikën që i bëhej Enverit. Të gjitha fotokopjet unë i dorëzova në Arkivin e Institutit të Historisë. Pastaj i mori edhe Instituti i Historisë së partisë, pranë KQ-së. Në mes të fushatës kundër Mehmetit, drejtori Ndreçi Plasari u kujtua dhe raportoi se Arben Puto ka sjellë një dokument nga Londra për Mehmetin.

Këtu filloi “gjyqi” im. Dëgjoja që po bëhej fjalë për këtë dokument, ndihesha i mënjanuar. Nefua u alarmua. Leonora filloi të mblidhte plaçkat. Disa valixhe i dërgoi te motra. U dha menjëherë urdhri që çështja të shtrohej në organizatën e partisë.

Më kujtohet që ka qenë një nga ditët e shtatorit 1942, pas 40-vjetorit të Konferencës së Pezës (16 shtator). Pra, gati një vit pas ngjarjes. Një “vigjilent” koleg në Fakultet dallohej mbi të gjithë. Që përpara hapjes së mbledhjes u thoshte shokëve: “Arbeni ka mbaruar, do ta përjashtojnë”. Ka qenë një pasdite.

Në mbledhje erdhi Xhelil Gjoni, sekretari i KQ-së, gjë që tregonte se çështja po merrej seriozisht. E hapi duke më pyetur se si është e mundur të dish një dokument mbi “armikun e popullit” Mehmet Shehu nga Arkivat e Londrës dhe të mos e thuash? Dhashë shpjegimin tim. Pranova se ishte një shkujdesje, se ngjarjet duhej të më sillnin në mend atë dokument. Por thashë se atë dokument e mbaja më shumë në mend për karakteristikën e lartë që i bëhej shokut Enver. Për Mehmetin thuhej që ishte një ambicioz pa kufi, por nuk bëhej fjalë për agjenturë. Mbledhja zgjati gjashtë orë, deri në mbrëmje vonë.

Në kujtesë më kanë mbetur vetëm disa ndërhyrje. “Vigjilenti” ishte më aktivi nga të gjithë. Kjo ishte një shkelje e pafalshme dhe organizata duhej të mbante qëndrim. Nuk shkoi deri në përjashtim nga partia. Një tjetër intelektual i mirëfilltë, që kishte pasur vetë ndonjë problem, gjeti rastin të jepte “prova” dhe bëri vërejtjen më të rëndë që prekte veprimtarinë time.

Arben Puto
Arben Puto

“Duhet vënë në dukje, tha ai, se ky shkruan për tema të së kaluarës, bën vetëm histori, ndërsa i është shmangur shumë aktualitetit”. Në vazhdim të debatit pata ndjenjën se Xhelil Gjoni nuk kishte ardhur për të më prerë kokën, kjo u kuptua nga të gjithë. Ia kam ditur për nder Hamit Beqjes që bëri propozimin për një “vërejtje në kartën e regjistrimit”.

U pranua dhe shpëtova. Ndërkaq, Nefua dhe Leonora pritën me orë të tëra në sheshin përpara Universitetit.

Nefua hidhte sytë nga salla ku bëhej mbledhja dhe përsëriste me ankth: “Ka akoma dritë”. Lajmin e mirë ua dha aty nga ora 9 Hamit Beqja. U kthyem të tre në shtëpi për të gëzuar dhe për të qetësuar Anenë. Nga ana tjetër: Berti sillej rrugëve me shokun e të ngushtë të paramaturës, Ilir Rusmajli (që do të lërë drejtësinë e do të futet në politikë). Berti erdhi bashkë me të dhe m’u hodh në qafë.

Nuk më duket që Artani adoleshent të ketë ndjerë gjithë rrezikun. Gjithsesi, të nesërmen u mblodhëm në drekën që Leonora e quante më të mirën që kishte bërë ndonjëherë. Ka edhe një konkluzion tjetër. Të nesërmen takoj Osman Krajën, atëherë rektor i Universitetit. Më afrohet dhe më thotë në vesh: “Ke shpëtuar mirë, në mëngjes na thanë t’i qethet koka”.

Kam bërë pyetjen: “Kush më ka shpëtuar, kush e ka ndryshuar atë vendim të rëndë?”. Nuk mund të ishte veçse një atje lart, fare lart. Kam arritur në përfundimin se ka qenë vetë Enveri që ka anuluar vendimin e “kokënxehtëve” të KQ-së. Ishte e vështirë ta bënte tjetërkush. Kjo nuk më ka ardhur e papritur.

E kam menduar menjëherë. Më kishte pasur student në Liceun e Korçës, student të dalluar. Për rezultatet e vitit të tretë (sixieme), erdhi dhe më përgëzoi. Ndiqte me siguri punën time si historian.

Mendoj përsëri se ka lidhje me të që më dhanë Çmimin e Parë të Republikës për librin tim mbi Pavarësinë. Veç asaj, më njihte si djalë gjirokastrit. Nuk ka qenë rasti i vetëm kur është treguar zemërgjerë për njerëzit e qytetit të tij. Ka ndihmuar disa kur janë ndodhur në pozitë të vështirë, doemos jashtë “aktiviteteve antiparti”. Më tej, nuk kam pasur ndonjë pasojë.

Madje, u thirra të marr pjesë në disa aktivitete me rëndësi brenda dhe jashtë, gjë që më bën përsëri të mendoj se ato fjalë të Enverit më patën rehabilituar plotësisht…

ARBEN PUTO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura