Si ndryshon ligji/ Të përndjekurit, paratë për dy këstet e fundit

Jan 19, 2018 | 18:33
SHPËRNDAJE

ADA HAZIZOLLI/ Kur ende nuk ka përfunduar ndarja e këstit të 8-të për të gjithë ish-të dënuarit që jetojnë, Qeveria ka nisur procedurat për dy pagesat e radhës, përkatësisht këstin e 9-të dhe të 10-të.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Kjo jo pa shkak, duke qenë se ka nga ata të dënuar, të cilët kanë më shumë se 15 vite burg e që për pasojë, nuk e përmbyllin procesin me 8 këste. Ligji në fuqi përcakton qartë se vlera minimale që ndahet për një këst, nuk duhet të jetë më e ulët se 100 mijë lekë të reja, ndërsa vlera maksimale 1 milion lekë.

Me këtë prag të përcaktuar është praktikisht e pamundur që t’i japësh 8 këste dikujt, që ka bërë 20 apo më shumë vite burg. Formula përcakton që një ditë burgu të paguhet 2 mijë lekë. Nëse kjo llogaritet me totalin e viteve të kryera, atëherë vlera e dëmshpërblimit do të jetë më e lartë nga ajo që mund të ndahet nëpërmjet skemës me 8 këste.

Burime nga Ministria e Financës bëjnë me dije se ka nisur puna për fillimin e këtyre dy pagesave, të cilat do të paraprihen nga disa ndryshime ligjore, që shumë shpejt do të kalojnë në Qeveri për miratim. “Ligji aktual kishte parashikuar 8 këste, por ka të dënuar të cilët na rezultojnë që kanë akoma për të marrë, kështu që duhet ndryshuar neni, ku thuhet 8 këste dhe të bëhet: të vazhdojë pagesa deri në përfundim, njësoj siç janë dhënë edhe këstet e mëparshme”, bëhet e ditur nga Financat.

KËSTI I TETË

Duke nisur nga muaji dhjetor i vitit që lamë pas, Ministria e Financës ka nisur ndarjen e këstit të tetë. Gjithsej, janë rreth 1600 të dënuar që jetojnë, por, siç mësohet, jo të gjithë kanë mundur ta përfitojnë këtë pagesë. Kjo ka ardhur për shkak të mosdorëzimit të dokumenteve nga ana e të dënuarve që jetojnë.

Burimet shtojnë se janë mbi 150 ish- të përndjekur që se kanë tërhequr këtë këst, duke qenë se nuk i janë përgjigjur thirrjes për të depozituar certifikatë lindjeje dhe numër llogarie aktive. Kujtojmë që në fund të vitit që shkoi, Qeveria, veç fondit vjetor alokoi edhe rreth 3 milionë dollarë të tjera, duke dhënë mundësinë e dëmshpërblimit të plotë për kategorinë parësore.

TRASHËGIMTARËT

Ndonëse e pakonfirmuar zyrtarisht, të gjitha deklaratat e bëra këto ditë të shpien në të njëjtën pikë, se Qeveria ka në plan të përjashtojë trashëgimtarët nga e drejta e dëmshpërblimit. Kjo ide e hedhur gati tre vite më parë, por që mbeti në letër pa u konkretizuar nga frika e kostos elektorale, ka nisur të rimarrë jetë sërish.

Nëpërmjet nismës, synohet që të dalin jashtë loje nipërit dhe mbesat, pra, përfituesit e radhës së dytë dhe të tretë, por jo bashkëshortja, fëmijët, si edhe motrat e vëllezërit e të dënuarit. Për këta të fundit, procesi do të vazhdojë. Por cilat mund të jenë arsyet që mund ta çojnë Qeverinë në ndërmarrjen e këtij hapi?

Përveç qëllimit për të reduktuar faturën në adresë të kësaj shtrese, një tjetër arsye është edhe mbyllja brenda një kohe të shkurtër e kësaj plage sociale. Duke pasur kaq shumë përfitues për një dosje, ka përbërë një problem në ndarjen e kësteve. Trashëgimtarët në radhë për dëmshpërblim jo gjithmonë kanë treguar interes për plotësimin e dosjes, kjo ka bërë që të mendohet për përjashtimin e tyre.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura