Si ndahet torta e fitimeve në ekonominë shqiptare, sektorët më fitimprurës

Feb 20, 2018 | 8:15
SHPËRNDAJE

Tregtia është sektori nga sigurojnë fitimet pjesa më e madhe e njerëzve në vend. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, të përpunuara nga “Monitor”, fitimet e tregtisë në vitin 2016 arritën në 66 miliardë lekë (rreth 490 milionë euro), që përbëjnë gati 40% të gjithë fitimeve të gjeneruara në ekonominë vendase. Në tregti janë të punësuar gjithsej 68 mijë persona, nga të cilët 46 mijë janë të vetëpunësuar.

monitor_graf_torta-e-fitimeve

Tregtia është dhe sektori që qarkullon më shumë të ardhura në vend, me rreth 904 miliardë lekë, ose gati 50% të totalit. Por, të punosh në këtë sektor nuk është dhe aq fitimprurëse në raport me shitjet totale, pasi ndonëse qarkullon shumë para, në fund të ditës vetëm pak të mbeten në xhep. Norma e fitimit në shit-blerje është 7.3%, çka do të thotë që për çdo 100 lekë të ardhura, vetëm 7.3 lekë janë fitime.

Sektori i dytë janë shërbimet, që kanë gjeneruar 30 miliardë euro fitime (225 milionë euro) dhe ku janë të punësuar 80 mijë persona. Shërbimet i “shpërblejnë” më mirë të punësuarit në këtë sektor, pasi kanë shpenzime të ulëta dhe si rrjedhojë normën e kthimit më të lartë në ekonomi, me 18.2%.

Në vend të tretë është ndërtimi, i cili ka sjellë 195 milionë euro fitime. Pas shërbimeve, ndërtimi është sektori i dytë me normën më të lartë të fitimit në ekonomi, prej 12.3%. Në ndërtim janë të punësuar 38 mijë persona.

Industria përpunuese dhe transport-komunikacioni gjeneruan përkatësisht 18.3 dhe 13.3 miliardë lekë fitime, me norma prej 8.5 dhe 9.5%.

Nga energjia u gjeneruan 8 miliardë lekë fitime, me një normë prej 6.1%.

Kthim të lartë ka dhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor, me 11.8%, ndërsa në vlerë absolute solli 5 miliardë lekë fitime.

Sektori i vetëm me humbje 2.9 miliardë lekë është industria nxjerrëse, si rrjedhojë e faktit që kompanitë nxjerrëse të naftës nuk deklarojnë ende fitime.

Në total, fitimet në ekonomi arritën në 165 miliardë lekë, me një normë kthimi prej 8.8%. Në krahasim me një vit më parë fitimet në vlerë absolute janë rritur me 5.1%. ndërsa norma e fitimit ka shënuar një rritje fare të papërfillshme, teksa në 2015-n ishte 8.7%.

 

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura