Si m’u duk “puthja” e Fevziut

Feb 27, 2011 | 10:50
SHPËRNDAJE

AGIM BACI

Si t’u duk puthja ime?”- A mund të jetë kjo vetëm një pyetje? Jo, sidomos nëse e keni pasur vetëm në mendje. Jo, nëse keni pyetur vetëm ju e s’ju janë përgjigjur ende. E mbi të gjitha, kjo nuk mund të jetë thjesht një pyetje, sepse ajo që duam të marrim nuk është një përgjigje- por një… puthje tjetër, një puthje të fortë sa vetë dashuria. Për një përgjigje të tillë s’ka rëndësi nëse je Ago Ymeri i përrallave, e të duhet të kaptosh  male me “kuajt dhe kohën e duhur”, apo të ndalon një vullkan i epokës moderne që fut në çark të gjitha fluturimet. Sepse rruga drejt dashurisë ka gjithnjë një hapësirë, të cilën duhet ta mbushësh ti, me atë që mendon se ia vlen.
Dhe Blendi Fevziu ia ngre “kurthin” përgjigjes që na duhet për një puthje, në romanin e tij “Hiri i vullkanit”, një kurth që për fat, mbetet i tillë edhe në momentin e fundit. Ndoshta për faktin se ta dish përfundimin nuk është kurrë më e bukur sesa ta kërkosh atë. Sepse asnjë përgjigje nuk vlen sa netët e menduara, sa çast-koha kur mbetesh përpara nevojës për të menduar për dikë.
Më pas, një mbret, një avion apo një vullkan, mund të jenë arsye pa fund për të mos lënë të mbërrish- por nëse ke ditur brenda teje të besosh, atëherë ke mbërritur kohë më parë. Sepse nuk ka rëndësi nëse ka qenë diktaturë apo në liri, në atdhe apo në emigrim – rëndësi ka që “puthja” ka ndodhur dhe ti e di, se brenda një përgjigjeje nuk janë dy buzë për t’u puthur, por një dashuri për t’u kuptuar. Vetëm se në çastin e prekjes është ndezur motori, që më pas, të gjitha fijet i dërgon diku tjetër – atje ku përgjigjet mbeten të shtrenjta, por edhe të vetmet që na bëjnë të ndihemi e të jemi ne, e të jetojmë për ata përgjigje kudo qofshim.
E gjitha kjo nuk është dilema e Francit, personazhit që endet në kërkim të përgjigjes për një puthje të dhënë “në çast ikjeje”, por një dilemë e njeriut që nis të kuptojë se nuk ka puthur por ka dashur, dhe se dashurinë nuk ka arritur ta mundë me asnjë ikje apo largim, sepse “ajo lloj puthjeje një herë ndodh”.
Në fillim mund të mendojmë se “një puthje kaq e vlefshme” ishte pjesë e ndalesës së kohës. Ishte ende diktaturë, ku nuk flitej për dashuritë. Por ja që ata ndodhnin, sepse njeriu mund të jetë në diktaturë, por “buzët” jo. Sepse edhe kur nuk flasin, ato mund të puthen dhe të japin puthje. Të dish se çfarë është fshehur pas atyre buzëve, pas qepallave të mbyllura, pas flokëve të hedhura mënjanë- këto nuk janë më pjesë e një diktature politike, por e një diktature që e vendos dashuria, për të të mbajtur brenda vetes.
Dhe shumë vite më vonë, kur ai kish takuar shumë të tjera, e ajo shumë të tjerë, sërish ka mbetur një përgjigje pezull. Sepse ajo nuk ishte një puthje- ishte vetë jeta brenda saj, që donte një përgjigje. Të vetmit kufij janë largësitë, e vetmja diktaturë është mungesa e një përgjigjeje. Na takon ne më pas, të vendosim nëse do të qëndrojmë të kyçur, pa mundur të jemi “të lirë” në marrjen e përgjigjeve tona, apo do t’i shembim këto mure.
* * *
Ago Ymeri i baladës, të cilit po i shuhet kënga, sepse po i shuhet koha për të parë nusen e tij pas nëntë vjetësh e nëntë ditësh mungesë, dhe Franci, i bllokuar nga një hir vullkani për të mbërritur tek “puthja pezull”, janë dy banorë të së njëjtës botë- të nevojës për të ditur se dikush ende po i pret dhe se ata duhet të nxitojnë për t’ua bërë të ditur se janë të interesuar për atë përgjigje. E në fund, a ka rëndësi të mbërrijnë? Nëse nisesh, një rrugë gjithnjë do ta gjesh. Më së pari, rrugën për të qenë në rregull me vetveten. Më pas, buzët mund të këndojnë, flasin e puthen… sepse për dashurinë koha ka ndalur që dikur për të qenë e njëjta- kushdo qofsh e kudo qofsh. Ndaj Ago Ymeri dhe Franci kanë të njëjtën udhë- pavarësisht nga koha dhe pengesat.
* * *
Me një gjuhë “të shpëtuar” nga gjuha gazetareske, por përmes mijëra fjalëve që ndihen se kanë bashkëjetuar prej kohësh me autorin, romani “Hiri i vullkanit” vjen lehtësisht i lexueshëm. Një fabul që nis me një ndjesi të ndaluar të brezit që ishte dëshmitar real i ndryshimit, që besoi se bota e hapur mund të ishte gjithçka. Por që…. një puthje mund të ishte nyja më e pazgjidhur, sepse kishte të bënte me më të vërtetën brenda nesh.
Edhe pse me ndonjë ndërhyrje të tipit informativ, që duket hapur se bashkëjeton me autorin në çast-shkrimet, siç janë batutat e kohës së shëtitjeve në bulevard, të largimeve me anije, të ngjarjeve në Kosovë, e deri te ajo më e fundit, e ngjarjes së bujshme të vitit 2010, kur hiri i një vullkani trazoi gjithë udhëtimet evropiane, romani vjen sërish ëmbëlsisht mbështetur në një gjuhë të këndshme, me një stil tërheqës, për ta përfunduar librin, sepse përgjigjet për pyetjen mbeten si një fletë e bardhë e hapur, që ka nevojë për ndërhyrjen tonë si lexues.
Gjatë leximit ndihet se autori i ka pasur pjesët e rrëfyera në një të brendshme të përhershme dhe si prozë e parë e gjatë ka besuar se do t’ia vlente bashkëndarja me të tjerë. E kur të gjitha këto të përbashkëta jetësore justifikojnë një puthje, kërshëria për ta lexuar do të mbetet gjithnjë e pranishme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura