Si Edi Rama arriti të thyejë tabunë e decoupling dhe “të heqë gjylen” nga këmbët e Zaevit

| 9:23
SHPËRNDAJE

PolloNGA GENC POLLO

Duket se fjalët e kancelares gjermane Angela Merkel të hënën i dhanë vulës asaj të cilës i druheshim prej kohësh: se Shkupi do të avancojë drejt BE sapo të zgjidhë një problem të jashtëm me Bullgarinë kurse Shqipëra do të mbetet në vend numëro nën barrën e problemeve të brendëshme të listuara fare bukur në 15 kushtet europiane. Pra “decoupling” apo ndarja e trajtimi veçan i dy shteteve në procesin e integrimit europian, që ishte tabu një vit më pare, sot po bëhet realitet.

Ne 16 tetor 2019, një ditë pas refuzimit të Këshillit Europian për të çelur negociatat e pranimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, kancelarja Merkel  po pyetej me insistim nga gazetarët se pse liderët europianë nuk çelen negociatat vetëm me Shkupin. Ngulmimi i gazetarëve reflektonte një frymë të përgjithshme në favor të maqedonasve të cilët lipseshin të shpërbleheshin për dy traktatet e vështira që ata kishin konkluduar me fqinjin jugor e atë lindor.

Nuk pati konsensus në Këshill për decoupling, për shkëputjen e Shkupit nga Tirana”  u gjegj Merkel. “Kur merr vendime të tilla analizon avantazhet e disavantazhet; dhe duke parë pakicën shqiptare në Maqedoni e shtetet shqiptarë përqark pasojat negative mund të ishin më të rënda se ato positive” sqaroi më tej kancelarja gjermane. Në fakt në mbledhjen e Këshillit jo pak shefa qeverish e shtetesh kishin propozuar që të niste procesi fillimisht me Maqedoninë e Veriut për të cilën nuk kishte asnjë rezervë. Më pas, kur të krijoheshin rrethanat, do të vijonin me Shqipërinë ku sipas deklaratës së kryeministrit hollandez Rutte kishte probleme të rënda me shtetin ligjor e me ndarjen e pushteteve.

Por veçanërisht kancelarja gjermane e presidenti francez kishin insistuar në çiftimin e Shkupit me Tiranën. Konsiderata që lidhen me stabilitetin e gjeopolitikën dhe jo aq shumë me Kriteret e Kopenhagenit. Në atë kohë kam shkruar për frustrimin e ndjerë nga qeveria e Shkupit të cilëve po u mohohej torta megjithë qershi për shkak se mbas qerres së tyre ishte lidhur gjylja e Edi Ramës. Por më e sikletshme ishte pozita e shqiptarëve matanë Qafthanës të cilët indirekt bëheshin përgjegjës për bllokimin e shtetit të tyre në udhën drejt Bashkimit Europian.

Presidenti maqedonas Pendarovski madje u shpreh për decoupling dhe Rama reagoi me kritika e qesëndi në facebook. Dhe me një telefonatë pas të cilës Rama sinjalizoi se e kishte sqaruar e bindur kreun e shtetit fqinj (gjë që zyra e Pendarovskit nuk e konfirmoi).

Nëntë muaj më pas duket se kemi një ndryshim të paradigmës. Më 8 korrik të këtij viti, Parlamenti Europian, po nga goja e kancelares Merkel dëgjoi se gjatë gjashtëmujorit të presidencës gjermane do të synohej thirrja e Konferencës Ndërqeveritare të parë me Maqedoninë e Veriut. “Eventualisht mund t’a bëjmë edhe me Shqipërinë” shtoi ajo. Nuk ka nevojë për dëshmi të tjera që të kuptosh se fantazma e decoupling-ut  po sinjalizohej . Në fillim të vitit, pa plasur ende pandemia, dashamirësit optimistë të Shqipërisë parashikonin se kjo Konferencë me Tiranën mund të thirrej në dhjetor 2020.

Ndërkohë kemi 15 kushte për qeverinë të përcaktuara nga Këshilli Europian (mars 2020) si dhe të konfirmuara me konsensus të gjerë nga Parlamenti Europian (qershor 2020). Shpresa e tyre atëherë si dhe me gjasë shpresa e mekur e kancelares në korrik ishte se ndoshta mund të kishte ndonjë farë progresi në Shqipëri që të justifikonte një vendimmarrje pozitive nga ana e tyre.  Që atëherë e deri në këtë fillim të dhjetorit mungoi dukshëm çdo përpjekje serioze nga qeveria për përmbushjen e qoftë edhe një kushti. Bie fjala edhe të më të kollajshmit syresh siç mund të ishte abrogimi i ligjit antifjalë për censurën e medias (dhe fillimi i një konsultimi sipas opnionit të Komisionit të Venecias). Madje stoikisht insistonte  se 15 kushtet nuk ekzistojnë.

Askush nuk duhet të habitet që në këto rrethana Bashkimi Europian, i shtrënguar nga halli të thyejë tabunë e decoupling, deklaron hapur se Maqedonia e Veriut do të ketë konferencën ndërqeveritare. Shqipëria mbetet për vitin tjetër, mbas zgjedhjeve parlamentare të prillit. Pra nuk duket se ka mbetur fije besimi se qeveria aktuale mund të përmbushë atë që i kërkohet.
Pesëmbëdhjetë kushtet e Europës në tërësi nuk lidhen me kërkesat rutinë qe shtetet kandidate duhet të përmbushin për t’u antarësuar në BE. Ato thjesht janë një udhërrëfyes për restaurimin e normalitetit demokratiko-kushtetues në Shqipëri. Është mbase e tepërt të kujtojmë këtu se “denormalizuesi”  gjatë gjashtë viteve të fundit ishte qeveria Rama me tentakulat e madje edhe metastazat e veta. Normalizimi nuk ka se si të vijë prej saj; ai do të mundësohet nga ndryshimi politik përfshi edhe rotacionin qeveritar. Kjo, edhe pse me pak vonesë, po shndërrohet në bindje në kryeqytetet europiane. Cfarë mbetet është detyrë shtëpie për shqiptarët: nga sot deri në pranverën e ardhëshme.
*Ish ministër e deputet

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.