Dëshmia e plotë/ Shullazi i prerë në gjyq, flet për përplasjen me biznesmenin: Më thirri vetë

Jan 9, 2018 | 17:47
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda u zhvillua seanca e radhës ndaj Emiljano Shullazit dhe grupit të tij, të cilët akuzohen për “shtrëngim për dhënie pasurie”.

Emiljano Shullazi
Emiljano Shullazi

Seanca vijoi me marrjen në pyetje të të pandehurit Shullazi, i cili këtë radhë iu përgjigj pyetjeve të avokatëve mbrojtës. Këta të fundit u përqendruan më shumë te takimi i Shullazit me biznesmenin Ylvi Beqja te noteria Aida Spahiu, në Durrës, ku u firmos edhe kontrata që e bënte Shullazin bashkëpronar të ish-hotel “Vollgës”.

Edhe një herë tjetër, Shullazi nuk pranoi që ta ketë kërcënuar Ylvi Beqen, duke shtuar se ishte ky i fundit që e ftoi në Durrës. Ai madje ka mbrojtur edhe dy prej pjesëtarëve të grupit, Endrit Qyqen dhe Endri Zelën.

Sipas Shullazit, ndryshe nga sa thonë dëshmitarët e Prokurorisë, Zela dhe Qyqja nuk kanë qenë prezent në takimin te noteria Spahiu në Durrës dhe nuk kanë pasur dijeni për marrëdhëniet e tij me Ylvi Beqen.

“Nuk e kam kërcënuar asnjëherë Ylvi Beqen. Ai më ftoi vetë në Durrës dhe unë shkova me Gilmando Danin. As nuk ka hyrë dhe as nuk kam dalë disa herë nga noteria atë ditë. Hyra, dëgjova kontratën që mu lexua dhe e firmosa”, është shprehur Shullazi në gjyq ditën e djeshme.

DËSHMIA

Avokati: Keni bërë dy akte noteriale në dy noterë të ndryshëm. A mund të na thoni se cilin nga këta noterë njihnit ju?

Emiljano Shullazi: Kam bërë tre akte noteriale në dy noterë të ndryshëm, sa për dijeni. Dhe asnjërin nga dy noterët nuk njihja.

Avokati: Kush i njihte noterët, kush iu çoi tek ata?

Emiljano Shullazi: Ylvi Beqja.

Avokati: Kush e ka porositur aktin e parë noterial?

Emiljano Shullazi: E ka porositur Ylvi Beqja me avokatin e tij, Samarxhiun. Unë nuk kam porositur gjë. Kam qenë i ftuar.

Avokati: A e njihnit ju kunatin e Ylvi Beqes (personi që ka dëshmuar se ka parë Endri Qyqen duke mbyllur qepenin e zyrës së noteres Aida Spahiu ditën kur Beqja pretendon se është kërcënuar)?

Emiljano Shullazi: Nuk kam pasur dijeni që Ylvi Beqja të kishte një kunat dhe as një fëmijë. Këtë e kam mësuar deri sa dola para Gjykatës.

Avokati: A e keni kërcënuar Ylvi Beqen?

Emiljano Shullazi: Asnjëherë.

Avokati: Sa kohë keni qëndruar në zyrën e noteres Aida Spahiu, në Durrës?

Emiljano Shullazi: Sa mbaruam punë dhe kaq. Vetëm sa na lexoi kontratën dhe e firmosa në fund.

Avokati: Sa herë keni dalë dhe sa herë keni hyrë në zyrën e noteres?

Emiljano Shullazi: Kam hyrë dhe kam dalë vetëm nga një herë.

Avokati: A konstatuat ju ndonjë mungesë dëshirë nga Ylvi Beqja për të firmosur kontratën?

Emiljano Shullazi: Jo, nuk kishte mungesë dëshire. Ishte ai që më ftoi të shkoja aty.

Avokati: Blerim Shullazin, e njihni?

Emiljano Shullazi: E kam të afërm. Babain e tij e kam djalë xhaxhai.

Avokati: Po Endrit Qyqen?

Emiljano Shullazi: E kam mik të ngushtë.

Avokati: A kanë pasur dijeni Qyqja dhe Zela për marrëveshjen mes teje dhe Ylvi Beqes?

Emiljano Shullazi: E kanë marrë vesh vetëm pasi janë arrestuar.

Avokati: Kush është Luan Leka?

Emiljano Shullazi: Sipas Ylvi Beqes, ka qenë financuesi i tij. Unë nuk e njoh, di vetëm që kemi pasur një mik të përbashkët, Shyqyri Durakun.

Avokati: Po me Gilmando Danin?

Emiljano Shullazi: E kam mik të vjetër. Kemi njohje familjare. Është pjesë e familjes.

Avokati: A ka qenë Endri Qyqja në Durrës te noteria Aida Spahiu?

Emiljano Shullazi: Jo, s’ka pasur arsye pse të vijë. Ka qenë e panevojshme.

Avokati: Po Blerim Shullazi, ka pasur dijeni për marrëveshjen tënde me Ylvi Beqen?

Emiljano Shullazi: Vetëm pasi jam arrestuar unë.

Avokati: A i ka kërkuar ndonjë favor Gilmando Dani Ylvi Beqes?

Emiljano Shullazi: I ka marrë një herë rreth 2 mijë euro për një punë bllokimi automjeti. Me sa di unë, ia ka kthyer përsëri mbrapsht paratë.

Avokati: Po Luan Leka kishte dijeni për marrëveshjen tuaj me Ylvi Beqen?

Emiljano Shullazi: Ka dijeni, por unë nuk e di nëse e ka marrë vesh para apo pasi jam arrestuar.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura