Shtypi nënën e dy fëmijëve/ I riu dridhej në gjyq, asnjë familjar në sallë

Jul 17, 2016 | 9:35
SHPËRNDAJE

Andrea Memollari, autori 20-vjeçar i aksidentit rrugor tragjik të së mërkurës në kryeqytet ku u vra nëna e dy fëmijëve të mitur, do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Memollari, sot ne seancë

Memollari, sot ne seancë

Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e Prokurorisë për caktimin e kësaj mase sigurie për të riun e akuzuar për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit, me pasojë vdekjen” dhe “largim nga vendi i aksidentit”.

I veshur me tuta dhe një bluzë sport dhe me shapka me gisht, i riu u shfaq në një gjendje të rënduar emocionale në sallën e gjyqit.

Pasi shkëmbeu disa fjalë me avokatin e tij mbrojtës, Memollari u ndje i bezdisur nga prania e kamerave në sallën e gjyqit.

Për këtë fakt, ai u përpoq disa herë të mbulonte fytyrën me duar. Pas urdhrit të boshatisjes së sallës për vijimin e seancës me dyer të mbyllura, Memollari filloi të dridhej në momentin që iu kërkua një koment nga gazetarët në sallë.

“Jam i penduar. Nuk e bëra me dashje”, shqiptoi ai. Në seancën për caktimin e masës së sigurisë për Memollarin nuk u vu re të ishte i pranishëm ndonjë familjar apo i afërm i tij.

memollari1

SEANCA

U mësua se i riu ka shfaqur pendesë për krimin e kryer para gjyqtares së gatshme, Alma Brati.

Ai ka kërkuar ndjesë për ngjarjen e ndodhur, duke pretenduar se e kishte kapur paniku në momentin e aksidentit.

“Nuk desha të ndodhte kjo. Më zuri paniku në atë moment. Nuk di se çfarë bëra”, mësohet të jetë shprehur i riu.

Sipas 20- vjeçarit, për këtë shkak ai nuk ka ndaluar automjetin, por ka vijuar lëvizjen. Përmes avokatit të tij mbrojtës, i riu ka kërkuar një masë më të butë sigurie se ajo e “arrestit në burg”. Pretendimi i avokatit është kundërshtuar nga ana e përfaqësuesit të Prokurorisë në sallën e gjyqit.

Duke iu referuar këqyrjes së pamjeve filmike të aksidentit të ndodhur në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja” me Unazën e Vogël, prokuroi tha se i dyshuari nuk i ka dhënë përparësi kalimtarit. Po sipas përfaqësuesit të Akuzës, pas momentit të përplasjes, i dyshuari Memollari nuk ka frenuar, çka mund të kishte shmangur pasojën fatale, por ka vijuar lëvizjen mbi trupin e së ndjerës 37-vjeçare, Dhurata Prifti.

Kjo ka shkaktuar dëmtime të rënda në trupin e nënës së dy fëmijëve, e cila ndërroi jetë pas dërgimit të saj në spital. Sipas prokurorit, masa e sigurisë “arrest në burg” ishte masa më e përshtatshme për të dyshuarit, referuar veprave penale për të cilat ai akuzohet, rrezikshmërisë së tij shoqërore, si edhe faktit se rezulton të jetë person i procedura penalisht më parë. Pasi u njoh me pretendimet e palëve, gjyqtarja Brati vendosi caktimin e masës “arrest në burg” pa afat për të dyshuarin.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura