“Shtëpia jonë” në Venecia/ “Daily Art Magazine”: Shqipëria në 5 pavijonet më interesante të Bienales së Arkitekturës

May 28, 2021 | 8:45
SHPËRNDAJE

Për gjashtë muaj “Shtëpia jonë” do të qëndrojë e hapur në Venecia, në Arsenale, në atë arenë të madhe të artit dhe arkitekturës botërore, ku takohen kultura, mënyra jetese, ide nga më fantastiket e futuristet.

elva margariti

Në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia u hap pak ditë më parë pavijoni shqiptar, nën titullin “Në shtëpinë tonë”. Shqipëria përfaqësohej në këtë edicion të shtyrë për shkak të Covid-19, nga katër vajza arkitekte: Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra dhe Rudina Breçani. Një pavijon që nuk ka kaluar pa u vënë re. “Daily Art Magazine”, mes 46 vendeve pjesëmarrëse në bienale ka zgjedhur 5 pavijonet më interesante, mes të cilave dhe Shqipëria. Një tjetër pavijon interesant ishte ai i Uzbekistanit me “The Mahallas”, Kanadaja me “The impostor cities”, Tailanda me “The elephant” dhe Peruja me “The playground”.

PAVIJONI

Duke iu përgjigjur temës së këtij edicioni që mbështetej mbi pyetjen: “Si do të jetojmë së bashku?”, ngritur nga kuratori i bienales, Hashim Sarkis, arkitektet ofruan një histori shqiptare, atë të fqinjësisë. Një pavijon minimalist, i ngritur në formën e planimetrisë së një kati pallati, ku muret e apartamenteve janë gati inekzistente. Në ato të pakta mure janë vizatuar ato që do të duhet të ishin mobiliet. Janë të gjitha njëlloj, në të katërt apartamentet, ashtu si ishte gati e pangjyrë dhe uniforme jeta e shqiptarëve në komunizëm. Por kishte një bërthamë që i lidh, që këtë monotoni pa ngjyrë e bën të zhurmshme. Janë fqinjët. Ata me të cilët ndaje telefonin e vetëm në kat, televizorin, frigoriferin, që o të gjithë i kishin, karriget në raste festash e mortesh, madje edhe fustanin e vetëm të mirë për sebepe. Një raport sa i dobishëm, i domosdoshëm, aq edhe mbytës, imponues.

Por, lëvizjet e mëdha demografike, ndryshimet urbanistike ndryshuan pamjet e qyteteve, lagjeve, duke e bërë popullsinë më heterogjene dhe fqinjësia e dikurshme u shpërbë.

Nga një shoqëri komunitare, shoqëria shqiptare është shndërruar në individualiste. E vështirë që sot të njohim fqinjët e të njëjtit pallat. Por pandemia ridimensionoi raportet tona me të afërmit dhe fqinjët, duke na bërë të reflektojmë mbi rëndësinë e të qenurit komunitarë.

“Ne vijmë në Venecia me një histori lokale, mbushur me copëza historish personale për të ndërtuar atë pazëll, që ne e quajmë ‘fqinjëri’, një vepër në proces, ku secili mund të vendosë copëzat e veta, eksperienca jete, që kanë shënjuar jetën e secilit prej nesh. ‘Shtëpia jonë’ nuk është një pavijon nostalgjik, por një nxitje për reflektim mbi atë çka përbën vlerë, mbi atë që duhet të ruajmë apo rishikojmë nga e shkuara. Gjatë pandemisë filluam të ridimensionojmë raportin tonë me shtëpinë si hapësirë, me të afërmit dhe fqinjët”, u shpreh ndër të tjera, gjatë ceremonisë së hapjes së pavijonit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti. I pranishëm në ceremoni ishte edhe Presidenti i Bienales së Venecias, Roberto Cicutto, i cili e vlerësoi në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë edicion të pazakontë për shkak ë Covid-19.

FILMAT

Hulumtimi në të shkuarën tonë të përbashkët, përmes rrëfimeve personale të autorëve, të familjarëve, të të njohurve, kthyer në kartolina, që kushdo mund t’i merrte me vete dhe pamjeve filmike të Arkivit Qendror të Filmit, përbënin një pjesë të rëndësishme të pavijonit. Sekuenca të shkëputura nga 20 filma të ish-Kinostudios, japin një panoramë për mënyrën e jetesës dekada më parë, mes të cilëve “Edhe kështu, dhe ashtu”, “Në shtëpinë tonë”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Episodet kur shoku Sotir i çonte telefonin në shtëpi shokut Apostol, kur Taulanti dhe shokët e tij bënin festa te shtëpia e teta Lulit; kur shkundeshin qilimat nëpër shkallë… Një seri situatash, të cilat mbushnin jetën tonë të përditshme, të cilat përforcojnë pyetjen që ngrenë organizatoret e bienales: Si do të jetojmë së bashku? Cilat janë ato dimensione që duhet t’i ruajmë? Po të tjerat që duhet të ndryshojmë? Një pikëpyetje që ngrihet mbi të ardhmen, duke analizuar edhe të shkuarën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura