Shqiptarët marrin peng familjen e trajnerit

Jun 30, 2012 | 14:13
SHPËRNDAJE
Vendi ku ndodhi ngjarja

ATHINE – Dy shqiptarë janë bërë dje protagonistë të një përplasje me policinë greke për katër orë, pasi tentuan të grabisin shtëpinë e trajnerit të skuadrës greke të futbollit PAOK. Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, dy persona, shtetas shqiptarë, kanë hyrë në shtëpinë që ndodhet në lagjen Kifisi, zonë fare pranë banesës së Kryeministrit grek Andoni Samaras dhe ngjitur me shtëpinë e ish-ministrit të Financave, Jorgo Papakonstandinu. Policia ka thënë se dy shqiptarët ishin armatosur me thika e pistoleta. Pasi hynë në banesën e trajnerit Jorgo Dhoni, ata kyçën në një dhomë pjesëtarët e familjes dhe filluan të kërkojnë paratë dhe sendet me vlerë për t’i grabitur. Në këtë kohë, e shoqja e trajnerit po kthehej në banesë dhe ka parë se diçka nuk shkonte në shtëpinë e saj. Për këtë arsye ajo kërkoi ndihmën e policëve që ruanin banesën e ish-ministrit të Financave të cilët më pas lajmëruan policinë greke. Brenda pak minutave në vendngjarje kanë mbërritur automjete të shumta me forca të policisë si nga sektorët kriminalë e hetimorë, ashtu edhe skuadrat operacionale. Në vendngjarje brenda pak minutave mbërriti edhe një helikopter që monitoroi aksionin nga ajri. Policia u bëri thirrje shqiptarëve të dorëzoheshin, por ata refuzuan. Pasi filluan të qëllojnë me armë dhe u përballën me rezistencën e policisë, dy shqiptarët kanë përdorur familjarët e trajnerit si mburoja. Mirëpo, snajperët e forcave greke të rendit kanë arritur që ta plagosin njërin nga shqiptarët, i cili pavarësisht se arriti të ikte nga vendi i ngjarjes, u kap disa minuta më vonë pasi nuk i rezistoi humbjes së gjakut. Grabitësi tjetër u arrestua në avllinë e banesës së trajnerit. E gjithë ngjarja ka përfunduar në orën 17:00 ndërsa bilanci ka qenë edhe plagosja e një efektivi të policisë që mori një plumb në dorë dhe një në këmbë gjatë shkëmbimit të zjarrit me shqiptarët.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura