“Shqipëria rol kyç në trafikun e drogës drejt BE”

Jan 31, 2013 | 16:58
SHPËRNDAJE
Pamje nga ballina e raportit

Një raport i publikuar sot nga Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Droga thotë se organizatat kriminale shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol kyç në tregtinë e drogës, kryesisht të heroinës në vendet anëtare të BE-së.

Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë ka një rol kyç në tranzitimin dhe magazinimin e  substancave të paligjshme të destinuara për shpërndarjen në vendet anëtare të BE-së, thekson raporti, duke shtuar se, Shqipëria është një vend tranzit në trafikimin e substancave të paligjshme në drejtim të vendeve të BE-së, ndërsa pavarësisht se vitet e fundit dërgesat nuk janë më të kontrolluara nga një organizate e vetme kriminale, por nga disa, ato shqiptare dhe  turke vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në importimin e heroinës në BE.

Mënyrat e trafikut të drogës, kanë ndryshuar vëren raporti. Trafiku detar, sidomos nëpërmjet kontenierëve është shumë i përdorur vitet e fundit. Barkat me vela apo skafet janë shembulli i transportit të drogës nga Shqipëria në Itali dhe madje edhe nga Turqia për në Spanjë.

Veç kontinierëve, avionët, korrierët dhe shërbimet postare janë disa nga mënyrat e reja të tregut të drogës, duke bërë të mundshme kalimin  drogës nëpër pikat e tranzitit, që do të thotë vështirësi të shumta për kapjen e tyre.

Interneti është shfaqur si një ndërmjetës i rëndësishëm dhe po përdoret zakonisht për marketing në shitjen e drogës. Organizatat kriminale shqiptare theksohet se po shfrytëzojnë me shumë efikasitet komunikimin me Skype.

Vendet e Ballkanit Perëndimor janë partnerë të rëndësishëm të grupeve turke në tregtinë e heroinës. Shqiptarët me bazë në Shqipëri, Maqedonia dhe Kosova po e përdorin rajonin për ruajtjen dhe ripaketimin e dërgesave të heroinës. Këto grupe po kontrollojnë një pjesë të madhe të tregut të heroinës në shumë prej vendeve evropiane, me veprimtari kriminale të identifikuara pothuajse në të gjitha shtetet e BE-së.

Krimi i organizuar shqiptar është i karakterizuar nga emigrimi ilegal, thotë raporti, trafikimi i qenieve njerëzore, vjedhjet dhe plaçkitjet, shpërndarjen e monedhave të falsifikuara si dhe në trafikimin e armëve.

Brenda rajonit shqiptarët janë gjithnjë e më shumë të përfshirë në trafikun e heroinës, por edhe të drogave sintetike dhe kanabisit. Këto grupe bashkëpunojnë me organizata kriminale në vendet e burimit të drogave të paligjshme. Krimi i organizuar italian punon ngushte me shqiptarët dhe turqit për të siguruar heroinë, shumë e kërkuar kjo në Itali.

Raporti bën thirrje për rritje të bashkëpunimit në nivel të BE-së, pasi masat kombëtare janë të pamjaftueshme, pa marrë parasysh se sa të fuqishme janë ata.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura