Shqipëria në Bienale me “Raportim nga fronti”

Sep 3, 2015 | 12:52
SHPËRNDAJE

Shqipëria do të marrë pjesë sërish në Bienalen e Arkitekturës në Venecia. “Raportim nga fronti”, kështu do të titullohet edicioni i 15-të i aktivitetit që do të mbahet nga 28 maji deri më 27 nëntor 2016 në Arsenale dhe Giardini në Venecia, Itali.

bienalePresidenti i Bienales së Venecias, Paolo Baratta, i shoqëruar nga kuratori i Ekspozitës, Alejandro Aravena, zhvilluan dy ditë më parë në Ca’ Giustinian, selia administrative e Bienales së Venecias, një takim me përfaqësuesit e 48 vendeve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Në këtë mbledhje mësohet të ketë marrë pjesë edhe një përfaqësi nga Ministria shqiptare e Kulturës.

Deri më tani dihet vetëm pjesëmarrja e Shqipërisë, ndërkohë që priten njoftime të mëtejshme mbi mënyrën se si do të procedohet për përzgjedhjen e artistit apo artistëve pjesëmarrës, kuratorit, por edhe për peshën financiare që do t’i kushtojë buxhetit të shtetit kjo pjesëmarrje. Në takimin e Venecias u diskutua mbi temën e këtij viti. Kuratori Alejandro Aravena shpjegoi idenë e tij mbi “Raportim nga fronti”.

“Ka shumë beteja që duhen fituar dhe shumë kufij që duhen kapërcyer me qëllim përmirësimin e cilësisë së zonave të banuara dhe për rrjedhojë të jetës së njerëzve. Gjithmonë e më shumë njerëzit në planet janë në kërkim të një vendi të denjë për të jetuar dhe kushtet për ta arritur po bëhen nga ora në orë më të vështira.

‘Raportim nga fronti’ do të sjellë për një audiencë të gjerë kërkimin se ç’do të thotë të përmirësosh cilësinë e jetesës, ndërkohë që punon në limite, në kushte të vështira, duke u përballur me sfida nga më të ndryshmet”, është shprehur ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura