‘Shqipëria mbushi 3 ditë pa asnjë vdekje nga COVID-19’, Zëri i Amerikës: Autoritetet besojnë se piku u arrit në…

Apr 9, 2020 | 13:47
SHPËRNDAJE

infektiv

Shqipëria mbushi sot 72 orë pa asnjë vdekje prej koronavirusit, ndërsa rastet e të prekurve janë më të pakta.

Vdekja e fundit i përket datës 6 prill, një 90-vjeçar i konfirmuar me COVID-19 dhe me një seri sëmundjesh të tjera.

Numri i vdekjeve është ndalur në 22 vetë prej disa ditësh, ndërsa vazhdojnë testime të përditshme, prej nga zbulohen raste të reja.

Sipas të dhënave zyrtare, 9 raste të reja u zbuluan gjatë 24 orëve të fundit nga testimi i 234 personave të dyshuar.

Numri i përgjithshëm është 409 të prekur, që janë zbuluar nga mbi 3 mijë e 220 testime për të dyshuar.

Statistikat zyrtare flasin për një numër në rënie të shtrimeve në spitale dhe rritje të shifrave për të shëruarit.

Autoritetet besojnë se shifrat e përhapjes së kësaj sëmundjeje për Shqipërinë arritën pikun në ditët e fundit të marsit.

Në dy spitalet COVID janë gjithsej 58 të shtruar, ndërsa 11 pacientë të tjerë iu shtuan listës së 165 të shëruarve. Pjesa më e madhe e të shtruarve, 52 vetë, janë në Spitalin Infektiv, ndërsa në Spitalin e dytë Covid janë vetëm 6 pacientë.

Qytetet më të prekura janë Tirana me 196 raste, Shkodra me 45 raste dhe Durrësi me 38 të prekur.

Autoritetet po vazhdojnë të mbajnë masa të shtrënguara në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve me orare të reduktuara, me fundjava 40-orëshe krejt të mbyllura për tregjet dhe qytetarët, si dhe me qarkullimin e bllokuar ndërqytetës.

Në rrugë qarkullojnë vetëm automjetet e shërbimeve publike, policia dhe ushtria, ndërsa janë krejt të mbyllura parqet natyrore dhe lulishtet, restorantet, lokalet dhe mjedise të tjera ku më parë kishte tubime masive të qytetarëve. VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura