“Shqipëria europiane e Branko Merxhanit dhe ajo e interesave të politikanëve”/ Studiuesi, një libër me idetë e rilindasit: Pse vlejnë edhe sot

Oct 20, 2020 | 9:17
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Politikë s’ka, vetëm kulturë”. Në ditët e sotme kjo parullë që pushtoi qarqet intelektuale të 92 viteve më parë, ngjan si utopi.

pjimage

E megjithatë, në këtë kohë pandemie, studiuesi Ndriçim Kulla shkurton distancat me përfytyrimin e një rendi gati të përsosur shoqëror, duke na njohur me idetë dhe programet e një nga mendjeve më të ndritura të viteve 1930, sipas tij të vlefshme edhe sot.

“Bota shqiptare e Branko Merxhanit”, e promovuar dje në atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, është siç thotë autori, një libër që ka potencialin për të ndryshuar mendjen, duke ndikuar në formimin intelektual të gjithsecilit prej nesh. Merxhani, një nga intelektualët më të njohur të Luftës së Dytë Botërore, ndonëse i rritur në Turqi ku edhe punoi si publicist e gazetar, formimin e tij e mbështeti në modelin perëndimore (në Bursë ndoqi liceun gjerman e më tej studimet i vazhdoi në Austri), të cilin dëshironte ta shikonte të implementuar edhe në sistemin arsimor shqiptar.

Në Shqipërinë e saposhpallur Mbretëri demokratike parlamentare, ku siç shpjegon Kulla, rruga për në Orient ishte thuajse e shtruar dhe e lehtë për t’u ndjekur, ai kërkonte që ardhmëria e vendit të mbështetej në shinat e edukatës Oksidentale dhe demokracisë së disiplinuar.

“Nevojën për të krijuar një jetë intelektuale”, mbi të cilën të ndërtohej më tej fati i kombit shqiptar, siç Kulla shpjegon në librin e tij, Merxhani e ka konkretizuar asokohe edhe me krijimin e një programi të mirëfilltë, ku përfshin edhe krijimin e fashave kulturëformuese të shoqërisë.

Idetë i ka pasqyruar në të përkohshmen “Përpjekja shqiptare”, ku qe edhe botues, si dhe gjatë lëvrimit të rrymës social-kulturore të quajtur “Neoshqiptarizma”.

“POLITIKË KA, MUNGON KULTURA”, 1 SHEKULL PAS IDEVE MERXHANIANE

“Vepra e Branko Merxhanit është si një fizarmonikë, që sa herë e hap, ke ç’të marrësh prej saj. Kjo edhe për faktin se në të gjen ide që përkojnë me aktualitetin”. Kulla tregon se Merxhani në esetë, pamfletet dhe shkrimet e tij trajton një sërë problemesh, të cilat gjenden sot në shoqërinë shqiptare. “Ndryshimi qëndron në fatin se Merxhani ndërtoi një program për t’i kapërcyer këto probleme, i cili është i ndryshëm nga ai që na propozohet sot. Ne mendojmë se modelet perëndimore mund t’i adaptojmë ‘symbyllurazi, mund t’i imitojmë, ndërsa rilindasi e sqaronte fare mirë se fillimisht populli shqiptar duhej edukuar, duhet të formonte shpirtin europian”. Merxhani për krijimin e një shteti të konsoliduar mjetet më të forta shikonte ato morale, të cilat në programin që ideon ua dorëzon njerëzve të kulturës. Ndërsa përhapja e kulturës, sipas tij, nuk duhet të diktohet nga organizatat qeveritarë, të cilët mund ta formësojnë një shtet vetëm për së jashtmi, pa arritur parimin thelbësor të demokracisë së disiplinuar. “Sipas tij, demokracia e disiplinuar do të sherbete për të formuar një ndërgjegje kombëtare tërësore, në vend të ndërgjegjeve provinciale dhe shpirtrave individualë. Është ky një nga problemet më të mëdha të shoqërisë shqiptare sot, sepse është dekonstruktiv, kjo edhe për shkak të trashëgimisë historike. Pra, shoqëria jonë e ka të vështirë të rizgjohet së brendshmi, të ndryshojë”, shton më tej studiuesi. Programi i Merxhanit, i përcjellë përmes shpjegimeve të Kullës, shkon deri në gjenezën e formimit të një individi, duke prekur ndikimin thelbësor që kanë në formimin e një fëmije prindërit, e më tej sistemi arsimor.

“KËTU POLITIKA UDHËHEQ KULTURËN”

Ndonëse Branko Merxhani përhapjen e kulturës nuk e shikonte të lidhur as me Parlamentin e as me qeverinë, sipas studiuesit Ndriçim Kulla, te ne është politika ajo që udhëheq kulturën. Përpos kësaj, ai e shikon të ngurtësuar në vite raportin kulturë-politikë.

“Kultura është ajo që i hap udhë arsyes. Nuk mund të bëhesh politikan pa pasur një formim kulturor, pa pasur dije. Ne jemi në prag të zgjedhjeve dhe kemi parë se të gjitha programet politike, të të gjitha partive, nuk shikojnë në krye një Kryeministër të dijes. Një Kryeministër që të propozojë një program që ka në qendër dijen”, thotë studiuesi.

Ndërsa bën një krahasim me vendet perëndimore, sipas Kullës, mungesa e investimeve në arsim e kulturë është një nga pikat kyçe që e lë shoqërinë tonë pas në mendësi dhe mundësi për zhvillim.

“Mund ta shikojmë lehtësisht investimin që bëhet në vendet e huaja në kulturë, është i përmasave të jashtëzakonshme. Kurse te ne politikanët u japin prioritet vetëm investimeve, prej të cilave mund të përfitojnë edhe vetë”, shton më tej. Lidhur me menaxhimin që politika po u bën institucioneve të kulturës gjatë kësaj periudhe pandemie, duke kyçur skenat teatrore, përmes akteve normative, studiuesi thotë:

“Është tragjike, e tmerrshme. Kjo do të ketë pasoja afatgjata. Kjo tregon vështrimin dritëshkurtër të politikanëve që shikojnë vetëm interesat e çastit. Kur prioritet duhet t’u jepnin dy sektorëve: kulturës dhe shëndetësisë. Por këtu janë këputur hallkat e kulturës dhe kjo duket edhe tek ajo çka ndodh me librin sot. Botuesit po falimentojnë dhe ata janë elementë kyçë që mbajnë kulturën gjallë”.

KUR NJERËZIT E KULTURËS TRAZOHEN ME POLITIKËN

“E para është kultura, e dyta politika”.

Siç studiuesi shpjegon, në “Botën shqiptare të Branko Merxhanit”, politika dhe kultura janë dy lloj veprimtarish krejtësisht të ndara, si në përmbajtje, ashtu edhe në qëllime. Sipas intelektualit rilindas, siç pasqyrohet në libër, “kur këto të dyja trazohen midis tyre, atje kultura bëhet skllave e politikës dhe humbet kuptimin e qenies së vet; nga ana tjetër, edhe politika fshin dhe zhvleftëson çdolloj përpjekjeje që ka si qëllim të ndihmojë shoqërinë në ecjen e saj drejt përparimit dhe qytetërimit. Këtu arrijnë të shkatërrohen dhe degjenerohen të gjitha.

Politikani mbetet pa dritë. Intelektuali bëhet dallkauk”, (fq. 161). Sa i përket aktualitetit, ku në prag të zgjedhjeve vërejmë mjaft figura të artit e kulturës të përzierë me politikën, qoftë si kandidatë, ashtu edhe si mbështetës, Kulla thotë se:

“Nuk është e thënë që artistët të mos futen në politikë. Mirëpo, unë jam kundër atyre që e bëjnë këtë në mënyrë tendencioze, duke shfrytëzuar kauza të ndryshme. Kjo është diçka e përkohshme, një ngrehinë që të bie në kokë. Ndërsa nëse rruga e një artisti apo kulturologu në politikë ndërtohet natyrshëm, nuk jam kundër”, thotë më tej.

I ndaluar në diktaturë, takimet e fshehta me rilindasin

Studiuesi Pëllumb Kulla ndërsa në këtë periudhë pandemie boton librin “Bota shqiptare e Branko Merxhanit”, tregon se takimet me literaturën e rilindasit i ka pasur që në sistemin komunist. “Ishte një punë që e bëja fshehurazi, pasi nuk kisha bashkëbisedues. Ndonëse i befasuar nga ajo që lexoja, nuk mund t’i ndaja opinionet e mia me askënd, pasi ishim të terrorizuar nga përgjimet e sistemit.

Megjithatë, sa më shumë mësoja prej ideve të tij, aq më tepër bindesha se duhet t’i ndaja këto mendime me opinionin publik”.

Sa i përket post-diktaturës, Kulla thotë se nëse në vitet e para ’90-ës nuk do të kishim anashkaluar këtë literaturë që komunizmi e ndaloi, atëherë shoqëria jonë do të kishte bërë hapa më të sigurt drejt ndërtimit të një sistemi të fortë shoqëror. Mirëpo, pavarësisht “perdes që iu vu kolosëve në diktaturë”, siç thotë më tej, ata patën kundërshtarët e tyre ideorë edhe në periudhën në të cilën vepruan.

“Ai ka bërë debate të forta veçanërisht me Zef Valentinin dhe me Anton Arapin, kryesisht prej qëndrimit të tij laik”.

“E megjithatë ata e respektonin shumë për kulturën, idetë e qarta dhe programin që krijoi. Madje nuk e thërrisnin në emër, por me nofkën ‘dituraku shqiptar'”, shpjegon studiuesi. Pavarësisht divergjencave politike që kishin me shkrimtarin Petro Marko, sipas Kullës, edhe ky ishte një mbështetës i Merxhanit.

“Petro Marko ishte pro ideve të majta, ndërsa Merxhani ishte antikomunist i deklaruar. Megjithatë ata ishin miq, sepse i bashkonte kultura, erudicioni dhe arsyeja”, thotë ai.

Përkrahës të Brankos kanë qenë edhe personalitete të tjera si Nebil Çika apo Vangjel Koça. Ashtu si për shumicën e personaliteteve kulturore, që patën një ndikim në formimin e jetës intelektuale në vend, edhe për Branko Merxhanin nuk kanë munguar tentativat për ta “dekonstruktuar”.

Ka zëra që i veshin veprimtarisë së tij nocione tradhtie e antipatriotike në momente të veçanta të historisë, siç është pushtimi i vendit nga italianët.

“Kur Shqipëria u pushtua ai u largua, sepse nuk ishte i pasur. Kishte pasuri vetëm librat, siç kemi edhe ne, shumica e studiuesve sot, dhe ishte i vetëdijshëm se nuk mund t’i rezistonte, apo të bëhej shërbëtor i fashizmit.

Thuhet se kur është pushtuar vendi ai mund të ketë thënë se ‘ky popull nuk e meritonte lirinë’, por këto janë legjenda urbane”, sqaron Kulla. Pas largimit, sipas studiuesit, Merxhani ka kryer aktivitet pjesërisht politik, si dhe ka dhënë kontributin e tij përmes publicistikës deri në vitin 1942. Ka përdorur edhe pseudonime për të shkruar në shtypin e kohës dhe më tej ka heshtur…

Studiuesi ka kontaktuar edhe një nga vajzat e tij në Amerikë, e cila siç ai tregon, ka shfaqur ndjeshmëri ndaj Shqipërisë, edhe pse ka preferuar të jetë e rezervuar me informacionet që ka dhënë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura