Shqipëria drejton debatin në Këshillin e Sigurimit për paqen dhe sigurinë e grave

Jun 15, 2022 | 18:34
SHPËRNDAJE

olta xhackaMinistrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka drejtoi të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një debat për Gratë, Paqen dhe Sigurinë gjatë trazirave politike, në cilësinë e kryediplomates së vendit që ka kryesinë e radhës së Këshillit.

“Zhvillimet e fundit në Ukrainë, Afganistan, Sudan, Mianmar ose Mali, mes të tjerash, kanë dëmtuar në mënyrë dramatike perspektivën e organizatave të grave dhe ndikuar negativisht tek puna e mbrojtësve të barazisë gjinore në këto vende”, tha zonja Xhaçka para fillimit të seancës.

Ajo shtoi se angazhimet e vendeve lidhur me paqen dhe sigurinë e grave dhe hapësira qytetare janë tkurrur në mënyrë dramatike. Zonja Xhaçka tha se roli i organizatave rajonale për çështjet e sigurisë së grave është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm duke pasur parasysh sfidat e shumta dhe komplekse me të cilat përballet bashkësia ndërkombëtare sot. Ministrja e Jashtme e Shqipërisë bëri thirrje për një koordinim efeketiv të punës së organizatave rajonale me sistemin e OKB-së, në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i hapave për mbrojtjen e grave, “veçanërisht në kontekstin e trazirave politike dhe marrjes me forcë të pushtetit”.

Ky debat i hapur do të ketë një synim të dyfishtë, së pari për të hedhur dritë mbi mangësitë e vazhdueshme në zbatimin e kuadrit normativ për paqen dhe sigurinë e grave në kontekstet grushteve të fundit ushtarake apo kapjes së pushtetit me forcë. Së dyti të shkëmbejmë përvojat dhe idetë më të mira mbi mënyrat se si Këshilli i Sigurimit ose organizatat rajonale mund të mbrojnë dhe ta çojnë më përpara këtë program në situata të tilla”, tha ajo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura