Shqipëria do menaxhojë vetë fondet e BE. Gjosha e Cani: Shprehje besimi për qeverinë

Mar 31, 2014 | 13:38
SHPËRNDAJE

Institucionet shqiptare  do të menaxhojnë vetë në mënyrë të pavarur fondet e Bashkimit Evropian dhe jo me permes Delegacionit Evropian. Vendimi eshte njoftuar nga ministrja e Integrimit, Gjosha dhe ai i Finacave, Cani mes nje konference te perbashket per media, duke e quajtur vlerësim dhe shprehje e besimit për qeverinë shqiptare. 

Vendimi i fundit i Komisionit Evropian i jep mundësinë qeverisë shqiptare të jetë përgjegjëse, për procedurat e prokurimit dhe zbatimit të projekteve. Janë rreth 64 milionë euro të cilat do të përdoren për zbatimin e 12 projekteve si pjesë e programit IPA-2013, miratimi i së cilit u bë disa javë më parë.

“Ky sukses është një dëshmi e një administrate shtetërore efiçente ku Brukseli mund të mbështetet pa asnjë ekuivok.  Gjithashtu do ta cilësoja një mesazh të qartë për qeverinë shqiptare e cila duhet të vazhdojë rrugën e nisur duke përparuar me reformat,  për të garantuar mbi të gjitha më shumë siguri dhe progres për qytetarët shqiptarë”, tha Gjosha, gjate fjales se saj.

Ajo theksoi se suksesi i arritur, është në vijim të pikësynimeve që Qeveria shqiptare ka në përmbushjen e kushteve dhe objektivave që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit . Kjo arritje,  sipas ministres është   gjithashtu, rezultat i një pune konkrete që vendi ynë  ka bërë në drejtim të plotësimit të  së një sërë detyrimesh.

Sigurisht që ky vendim nga strukturat përkatëse të BE arrihet pas një angazhimi maksimal të Qeverisë Shqiptare në krijimin e kuadrit ligjor e institucional dhe të një sistemi të përgjithshëm kontrolli dhe menaxhimi të IPA-s, i cili  përmbush kriteret e përcaktuara nga BE-ja për kalimin nga menaxhimi i centralizuar i asistencës financiare në menaxhimin e decentralizuar”, u shpreh Ministri i Financave z. Shkelqim Cani.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura