Shpërthimi në dyqanin e celularëve, flet pronari: Mora një pako, sa e hapa…

Mar 16, 2018 | 14:45
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata i ka komunikuar ditën e djeshme në Spitalin e Traumës Gentian Hoxhës masën e “arrestit me burg”, pas shpërthimit të një lënde plasëse në dyqanin e tij të celularëve. Vetë Gentian Hoxha e ka të pamundur të lëvizë nga spitali për shkak të plagëve të marra.

shperthim higjiena 6

Gjykata vendosi ta lërë në burg Hoxhën më kërkesë të Prokurorisë, pasi dyshohet se ai prodhonte bomba artizanale. Megjithatë, Hoxha ka mohuar këtë dyshim të Prokurorisë.

Ai ka thënë ditën e djeshme se ka marrë një pako në dyqan, e cila ka shpërthyer teksa po e hapte. Megjithatë, ky version nuk është aspak bindës për Policinë dhe Prokurorinë. Kjo e fundit, ka gjetur materiale komprometuese në servisin e celularëve të Gentian Hoxhës. Ndaj dyshon se 34-vjeçari ka qenë duke prodhuar një bombë në momentin kur ajo ka shpërthyer.

Sipas hetimeve, eksplozivi ka shpërthyer nga pakujdesia, e në këtë mënyrë, 34-vjeçari Gentian Hoxha mbeti i plagosur rëndë. Ambienti, ku ndodhi shpërthimi, dyshohet se përdorej nga i plagosuri Hoxha për montimin e minave me celularë.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, ekspertët konstatuan kapsolla, fitil zjarrpërcjellës dhe pluhur tritoli. Këto kanë qenë prova të mjaftueshme për të përcaktuar llojin e lëndës plasëse që shkaktoi shpërthimin, por edhe për të ngritur akuzën ndaj 34-vjeçarit.

Policia pati dyshime për veprimtarinë e jashtëligjshme që kryhej në dyqanin në pronësi të Gentian Hoxhës disa minuta pasi ndodhi ngjarja. Por gjatë mbledhjes së provave u arrit të dokumentohej ngjarja dhe më pas u arrestua i plagosuri në Spitalin e Traumës.

NGJARJA

Shpërthimi i fuqishëm ku mbeti i plagosur 34-vjeçari, ndodhi mëngjesin e së hënës në një dyqan celularësh pranë ish-Drejtorisë së Higjienës, në rrugën “Qamil Guranjaku”, në Tiranë. Gentian Hoxha, i cili ishte duke punuar i vetëm në momentin e ngjarjes, u plagos rëndë në gjymtyrë e në fytyrë.

Ekspertët kriminalistë dhe ata antieksploziv konstatuan mbetje lënde plasëse në tryezën ku po punonte 34-vjeçari dhe disa copa celulari. Nisur nga këto rrethana, grupi hetimor pati dyshime se i riu mund të ketë qenë duke përgatitur ndonjë minë me celular.

Megjithatë, burimet thanë se nuk përjashtohej mundësia që ndonjë person ka dërguar te Hoxha ndonjë minë për ta çaktivizuar dhe në punë e sipër mund t’i ketë shpërthyer. Fillimisht, u dyshua se bëhej fjalë për ndonjë reaksion kimik në bateritë e celularëve, por përmasat e shpërthimit ishin shumë herë më të mëdha se plasja e lëndës përbërëse të baterisë.

Në vendin e ngjarjes janë konstatuar dëme të shumta materiale, por edhe dëshmitarët kanë deklaruar se shpërthimi ishte i fortë, i ngjashëm me atë të eksplozivit. Policia ka nisur hetimet për përcaktimin e saktë të rrethanave të ngjarjes. Burime nga Policia thanë se grupi hetimor i ka përqendruar hetimet në dy drejtime kryesore.

Sipas të dhënave paraprake, ka dyshim se lënda eksplozive, lloji i së cilës dhe sasia ende nuk është përcaktuar, është vendosur në ndonjë celular që mund të jetë lënë për riparim, ose vetë i dëmtuari ka qenë duke përgatitur ndonjë eksploziv artizanal dhe i ka shpërthyer në dorë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura