Regjistrimi në krizë. Shqiptarët lënë komisionin

Sep 30, 2011 | 9:35
SHPËRNDAJE

SHKUP- Një ditë para fillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, anëtarët shqiptarë dhe turq të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit (KSHR) kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqjet e tyre pasuan vetëm disa orë pas dorëheqjes së nënkryetarit të KSHR, prof.dr. Abdilmenaf Bexheti, i cili mbrëmë përmes një letre publike arsyetoi edhe vendimin e ndërmarrë.

“Dorëheqja vjen pas dështimit të të gjitha përpjekjeve për të normalizuar procesin e regjistrimit. Të gjitha përpjekjet tona për bashkërenditje në këtë proces me palën tjetër nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Nuk janë realizuar përgatitjet e duhura teknike, organizative dhe operative dhe nga kjo duke u nisur nga rreziqet e mëdha që do të dalin nga rrethanat e krijuara, jap dorëheqje nga ky funksion”, deklaroi nënkryetari i KSHR-së, Abdilmenaf Bexheti.

Ai ka sqaruar në deklaratën me shkrim se nuk dëshiron që të elaboroj më thellë arsyet e veprimit të tij të dorëheqjes për të mos krijuar huti në opinion.

Pas dorëheqjes së nënkryetarit të KSHR-së dorëheqje dhanë edhe anëtarët e tjerë shqiptarë të këtij komisioni, por edhe tre anëtarët turq.

Me këto dorëheqje është vënë në rrezik procesi i regjistrimit të popullësisë në Maqedoni, i caktuar prej 1 deri më 15 tetor. (INA)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura