Shkup, partitë kryesore bien dakord për shtyrjen e zgjedhjeve

| 18:44
SHPËRNDAJE

Drejtues të partive politike në Maqedoninë e Veriut kanë rënë dakord për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme për shkak të koronavirusit.

0F69B694-9886-4C38-A36F-4E410E9CEAB5_w1023_r1_s

Selia e presidentit Pendarovski tashmë ka marrë masa për kontrollin e temperaturës së zyrtarëve më të lartë partiakë dhe shtetërorë para se të hyjnë në zyrë.

Në takimin e organizuar nga presidenti maqedonas Stevo Pendarovski kryetarët e Lidhjes Social Demokrate, të VMRO-DPMNE-së, Aleancës për Shqiptarët, të Lëvizjes Besa, Alternativës dhe përfaqësuesit e BDI-së dhe të Partisë Demokratike Shqiptare kanë arritur konsensus për shtyrjen e zgjedhjeve. Ata kanë theksuar qëndrimet se shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha.

Por, nuk është caktuar një datë e re për mbajtjen e zgjedheve të parakohshme parlamentare, për shkak se, siç thanë një pjesë e politikanëve, kjo varet nga rrethanat e krijuara nga koronavirusi.

Pastaj, vendimi duhet të gjejë mbështetje juridike, përkatësisht një organ që do ta anulonte 12 prillin si datën e zgjedhjeve të parakohshme. Një ekip ekspertësh janë takuar po në zyrat e presidentit pak pas përfundimit të takimit të drejtuesve të partive për të parë modalitetet e anulimit dhe shtyrjes së datës.

Parlamenti është shpërndarë dhe për rrjedhojë, vendimin për anulimin ose shtyrjen e datës së zgjedhjeve do të mund ta bënte presidenti i vendit, me kërkesë të qeverisë, sipas ekspertëve, por kjo do të dihet pasi të kenë diskutuar ekspertët ligjorë të ftuar nga presidenti Stevo Pendarovski.

Në takimin e drejtuesve politikë është diskutuar mbi nevojën e shpalljes së gjendjes së emergjencës për shkak të rrethanave me koronavirusin, ndërsa dy rivalët, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickovski nuk kanë rënë dakord lidhur me terminologjinë nëse do të shpallej gjendje e jashtëzakonshme, siç sugjeron ish-kryeministri, apo gjendje krize, siç parapëlqen shefi i opozitës maqedonase.

Sidoqoftë, duket se gjendja e emrgjencës do të shpallet në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa numri i të prerkurve me COVID-19 po shtohet. Të martën u rrit në 31 numri i personave të infektuar me këtë virus.

Një grua nga Dibra mbahet në aparate të frymëmarrjes në klinikën për sëmundje ngjitëse në Shkup, por gjendja e saj është e qëndrueshme, sipas autoriteteve shëndetësore. Ndërkohë, 310 shtetas po mbahen të izoluar nën mbikëqyrjen e policisë. Prej tyre 173 janë në Shkup, 82 në Ohër, 16 në Tetovë, 13 në Manastir, dhe disa të izoluar në Kumanovë, në Shtip dhe Strumicë.

Në këtë kuadër Bashkësia fetare Islame ka marrë vendim që të pezullohen lutjet në objektet fetare, përfshirë lutjet e së premtes.

/VOA/

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.