Shkoi për luftë në Siri me fëmijët, vritet shqiptari

Nov 13, 2014 | 12:26
SHPËRNDAJE

Shkëlzen Dumani
Një tjetër shtetas shqiptar që i ishte bashkuar luftës xhihadiste është vrarë 3 ditë më parë në Siri.
Bëhet fjalë për 39-vjeçarin nga Peshkopia, Shkëlzen Dumani, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare që prej muajit mars. Ai akuzohej se ishte organizator dhe financues terrorizmi dhe kishte marrë pjesë në rekrutimet që kryheshin në Shqipëri, për t’iu bashkuar luftimeve në Siri. Familja e Dumanit është lajmëruar se ai ka mbetur i vrarë të dielën dhe është varrosur atje si shiit. Ndërsa nuk dihet asgjë për fatin e dy fëmijëve të tij, vajzës 9 vjeçe dhe djalit 6-vjeçar, të cilët ai i kishte marrë me vete kur ishte larguar nga Tirana në drejtim të Turqisë e më pas në Siri. Gjithashtu edhe nëna e tij, e cila pasi nuk e kishte bindur dot të birin për të kthyer fëmijët në shtëpi, ka shkuar atje dhe ende nuk dihet fati i saj. Lajmi është bërë për mediat nga familjarët e Shkëlzen Dumanit. Policia e Tiranës e shpalli në kërkim Dumanin disa ditë pasi bashkëshortja e tij, Mide Dumani, pati denoncuar në Komisariatin Nr. 3 largimin e tij drejt Sirisë bashkë me dy fëmijët e mitur. Ndërsa gjatë hetimeve u zbulua se ai ishte pjesë e një grupi, ku bënin pjesë edhe 5 imamë xhamish, që merreshin me rekrutime për luftën xhihadiste në Siri. Mide Dumani, e shoqëruar nga një prej vëllezërve të saj, denoncoi të shoqin për rrëmbimin e dy fëmijëve të tyre të mitur, Evës dhe Endrit, për të cilët ai i kishte thënë që do t’i merrte për të shkuar në Shkodër dhe pastaj në Mal të Zi. Vetë ajo do të shkonte në një fejesë dhe nuk kishte dyshuar për ndonjë gjë të keqe, pasi vazhdimisht fliste në telefon me të dhe ai i thoshte se ishte bashkë me fëmijët në një hotel në Shkodër. Gjatë denoncimit të gruas oficerët e policisë janë vënë në dijeni se Shkëlzen Dumani ishte praktikant i besimit islam. Nga verifikimet e para ka rezultuar se pikërisht ky person ishte nën hetim nga Krimet e Rënda, pasi dyshohej si organizator dhe financues në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për luftën xhihadiste në Siri. Dyshimet ishin se fëmijët mund të ishin dërguar në Siri dhe menjëherë fotot dhe të dhënat e tyre u publikuan në faqen e Interpolit, ku Eva dhe Endri Dumani u shpallën të zhdukur.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura