Shkodër, klandestinët nga Afrika ndalohen pranë Hanit të Hotit

Sep 30, 2013 | 13:17
SHPËRNDAJE

Foto arkiv
SHKODER – Klandestinët u shpëtojnë patrullave të policisë në të gjithë vendin, për t’u kapur pranë kufirit me Malin e Zi. Ndërsa tentonin të çanin dhe kufirin e Hanit të Hotit për të përfunduar në shtetin fqinj, Policia Kufitare e Shkodrës ka dalluar dhe ndaluar 16 shtetas nga Somalia, Siria e Sudani, mes tyre 5 femra. Nga informacionet e marra prej vetë klandestinëve, është mësuar se ata kishin hyrë në vendin tonë nëpërmjet Greqisë dhe se ata ishin tranzit për të kaluar në Mal të Zi. Rreth orës 21:00 të ditës së shtunë, shërbimet policore të kufirit shqiptar, gjatë kontrollit të ushtruar në zonën pranë pikës kufitare të Hanit të Hotit, kanë pikasur një grumbull personash burra dhe femra, të cilët po tentonin të kalonin ilegalisht për në shtetin fqinj të Malit të Zi. Pas ndalimit të tyre, policia ka mësuar se klandestinët kishin hyrë në vendin tonë dy ditë më parë nga shteti grek, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Ndërkohë që në momentin e bllokimit ata nuk ishin të shoqëruar nga ndonjë person tjetër nga Shqipëria. Gjithsesi, policia ka filluar menjëherë hetimet e kësaj ngjarjeje, pasi nga informacionet e para rezulton që në këtë ngjarje ka gisht një rrjet i mirorganizuar trafikantësh. Pasi kanë hyrë në vendin tonë, klandestinët janë transportuar gjatë orëve të natës në drejtim të qytetit të Shkodrës dhe pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Aty janë zbritur nga mjeti që i ka sjellë dhe u është treguar vendi se nga do të kalohej për në shtetin fqinj. Më pas do t’i prisnin persona të tjerë të cilët do t’i përcillnin në drejtim të vendeve të BE-së. E gjithë kjo skemë trafikim, bëjnë të ditur burime nga Policia e Shkodrës, na sjell dyshime për një rrjet kriminal, i cili ka lidhje në vendet përkatëse dhe se qëllimi i tyre është që kundrejt pagesës të bëjnë kalimin e klandestinëve. Në lidhje me ngjarjen e fundit policia shqiptare ka kërkuar bashkëpunimin edhe me vendet fqinje për të bërë të mundur që të zbulohen personat të cilët janë pjesë e këtij rrjeti kriminal të trafikimit të qenieve njerëzore. Ky nuk është rasti i vetëm që grupe klandestinësh nga vendet e Afrikës tentojnë të kalojnë nëpërmjet Shqipërisë për në vendet e BE-së.            r.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura