Shkencëtari Shaban Demiraj kujtohet nga Akademia në 100-vjetorin e lindjes/ Flet i biri albanolog: Si e mbaj mend tim atë, mësuesin dhe kolegun tim

Oct 1, 2020 | 16:18
SHPËRNDAJE

Shkencëtar, pedagog, autor i dhjetëra veprave e shkrimeve studimore të gjuhës shqipe për afro gjashtë dekada, Akademia e Shkencave kujton intelektualin Shaban Demiraj, 6 vite pas ndarjes nga jeta.

demiraj

I konsideruar si një nga figurat që qëndron në “yllnajën më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave”, Demiraj prej 1989-ës ka qenë pa dyshim një nga anëtarët më dinjitozë të institucionit më të lartë të shkencave, ndaj Akademia e solli në vëmendje dje kontributin e tij përmes një konference mbajtur në kuadër të 100-vjetorit të lindjes. I pranishëm gjatë konferencës krahas familjarëve të tjerë ishte edhe i biri, studiuesi albanolog Bardhyl Demiraj, i cili drejton Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin elitar “Ludwig-Maximilian” në Mynih. Demiraj referoi gjatë konferencës temën “Mundësi potenciale ribotimi të prurjeve të Shaban Demirajt në albanologji”, ndërsa i emocionuar rreth ngjarjes që kujton veprën e të atit, për mediat shprehet: “Si çdo familjar në kësi aktivitetesh, edhe unë përjetoj emocione. Por, unë nuk jam vetëm familjar, pasi ai ka qenë gjithashtu mësuesi dhe kolegu im prej vitit 1981, kur nisa jetën profesionale. Prandaj emocionet janë të trefishta”. Më tej, ai sjell në vëmendje qasjen e të atit ndaj tij si pedagog, por edhe ndikimin që ka pasur vepra e Shaban Demirajt në formimin e tij si albanolog. “Kujtimet e mia si student më çojnë 50 vite larg, kur ai ishte në prag pensioni. Ka qenë i rreptë jo vetëm me mua, por me të gjithë sepse kërkonte atë që jepte. Si albanolog, vepra e tij ka ndikuar edhe në formimin tim profesional, edhe pse nuk përkojnë fushat e punës me njëra-tjetrën, pasi ai është marrë me gramatikë historike të gjuhës shqipe kryesisht, ndërsa unë me strukturën etimologjike të shqipes etj.”, shton më tej studiuesi Bardhyl Demiraj.

Gjatë konferencës, akademiku Ethem Likaj referoi për veprën e Shaban Demirajt për historinë e gjuhës dhe prejardhjen e shqiptarëve. Ndërsa përshëndetja e kolegëve akademikë të Kosovës erdhi përmes profesor Rexhep Ismajlit, i cili njëherazi mbajti kumtesën “Historia e gjuhës shqipe dhe zhvillimet ballkanistike në studimet e Shaban Demirajt”. Për akademikun vlonjat që shënoi më shumë se një gjysmë shekulli kontribut në gramatikën historike të shqipes, nuk mungoi as falënderimi e mirënjohja nga vendlindja, që u përcoll përmes fjalës së rektorit të Universitetit “Ismail Qemali”, Roland Zisi.

Akademiku Ethem Likaj trajtoi më në detaje “Gramatikën historike të shqipes”, si fushë themelore në punën shkencore të profesor Shaban Demiraj.

Tema e “Etnogjenezës së shqiptarëve në dritë të kërkimeve gjuhësore të akademik Shaban Demirajt” erdhi e trajtuar nga profesor Seit Mansaku, ndërsa gjuhëtarja Anila Omari u ndal në pikat e ndihmesave të akademikut sa i përket traditës së filologjisë tekstore shqiptare. Këndvështrimin e profesor Demirajt për fonologjinë historike të shqipes e solli në vëmendje akademiku Bardh Rugova, ndërsa studiuesi Enver Hysa ceku hulumtimet e tij për zhvillimet në gjuhën shqipe gjatë periudhës bashkëkohore. 100-vjetori i lindjes së akademikut përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit, ndaj dashamirësit e tij e kujtojnë edhe për sjelljen në shqip të romanit “Martin Iden” me autor Xhek London, gjatë vitit 1995. Një përkthim që përmendet sot edhe si pikë referimi, sa i përket “gjuhës së krehur e distancimin nga ndikimet e ndërtimet e pastra angleze”. Gjatë kësaj veprimtarie përkujtimore, përmes një ekspozite retrospektivë, u paraqitën edhe botimet shkencore, si “Gramatika historike e gjuhës shqipe”, “Historia e gjuhës së shkruar shqipe”, “Pellazgët, etruskët edhe shqiptarët”, Gjuha shqipe – Probleme dhe disa figura të shquara të saj” etj., me autor akademikun Shaban Demiraj.

“POZICIONI KYÇ E I PAZËVENDËSUESHËM I DEMIRAJT NË ALBANOLOGJI”

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, gjatë fjalës së tij në konferencën dedikuar 100-vjetorit të lindjes së akademikut Shaban Demiraj, foli për kontributin e paçmuar të albanologut.

“Në yllësinë e gjuhëtarëve albanologë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, akademik Shaban Demiraj ka një pozicion kyç e të pazëvendësueshëm. Profesor Shaban Demiraj qëndroi gjatë gjithë jetës si urë ndërlidhëse dhe si një kryesues i degës vendëse të gjuhësisë shqiptare, ku punoi krahas gjuhëtarëve të formuar në Perëndim, edhe me ata që u formuan më vonë në universitete të vendeve të Lindjes. Ai qëndron në krye të asaj breznie të ngushtë filologësh, që u formuan dhe u vetëformuan brenda vendit dhe iu bashkuan me plot sukses dhe me zotësi konkurruese dijetarëve vendës që ishin formuar në periudhën midis dy luftërave botërore në universitete perëndimore. Është fjala për ata gjuhëtarë që kishin përvetësuar metodën dhe arritjet e shkollave më të shquara dhe më serioze të albanologjisë, si ajo austro-gjermane, italiane e franceze e shkollave të tjera afër tyre”, u shpreh Gjinushi.

“GJUHËTARI MIDIS DY BREZASH”

Akademiku Skënder Gjinushi vuri theksin dje mbi përshtatjen e Demirajt me metodikat e reja dhe udhëheqjen e punës kërkimore gjuhësore me brezat e rij. “Meritë cilësore e gjuhëtarit Shaban Demiraj është se, i ndodhur midis dy brezash dhe dy shkollash të ndryshme, si në kahje ashtu dhe në metodë e orientim, duke tejkaluar çdo kornizë që mund të kishte shkolla shqiptare, produkt i së cilës ishte, ai, me vullnetin, dituritë, këmbënguljen dhe durimin e admirueshëm që e shquanin, arriti të dalë në krye të karvanit dhe të udhëheqë dijen gjuhësore me shumë sukses, si prior i saj.

Nuk e kemi fjalën këtu vetëm për rolin drejtues e administrativ që akademiku Shaban Demiraj pati në jetën e tij në krye të institucioneve të edukimit dhe të kërkimit, që nga Katedra e Gjuhës Shqipe, deri te funksioni i kryetarit të Akademisë së Shkencave, të cilin ai e ushtroi me përgjegjësi e profesionalizëm në një kohë të vështirë. Por mbi të gjitha, për atë rol të veçantë që i takoi të luante për të udhëhequr jo vetëm studimet albanologjike në vend, por edhe krijimin e një brezi edhe më të ri studiuesish në vendet perëndimore, duke kryer rolin e këshilltarit e të drejtuesit shkencor”, u shpreh më tej Gjinushi.

“TË HUAJT QË FORMONIN ALBANOLOGËT TANË, SI E NDRYSHOI DEMIRAJ RRJEDHËN”

Akademiku Skënder Gjinushi foli gjatë konferencës edhe për kontributin e Demirajt në përgatitjen e gjuhëtarëve jo vetëm vendës, por edhe të huaj, që do t’u shërbenin më pas punëve të rëndësishme studimore. “Përgjatë një shekulli e më shumë ishin albanologët e huaj që formonin dijetarë shqiptarë në gjuhësi, që nga Mirash Ivanaj deri tek Eqrem Çabej. Ndërsa me shembullin e profesor Shaban Demirajt, shkolla shqiptare e albanologjisë për herë të parë drejtoi e udhëhoqi albanologë të huaj të suksesshëm, si gjuhëtari danez Gunar Svane, anëtar nderi i Akademisë sonë, që realizoi tejshkrimin e veprave të Pjetër Budit nën drejtimin e këshillimin shkencor të profesorit tonë të nderuar.

Shaban Demiraj është i pari gjuhëtar shqiptar që hartoi një gramatikë historike të gjuhës shqipe universitare dhe akademike. Ajo përbën pa dyshim një kryevepër të autorit e të gjuhësisë shqiptare, një nga trashëgimitë më të rëndësishme të albanologjisë sonë, ndonëse vetë profesori, me modestinë e tij, e quante thjesht një gramatikë historike të saj. Mbështetur në ligjet dhe ligjësitë e zhvillimit historik të gjuhës sonë, për zbulimin e të cilave kishin kontribuuar bashkë me albanologët e huaj edhe studiuesit vendës, akademikët dhe profesorët Aleksandër Xhuvani, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza, Dhimitër S. Shuteriqi, Androkli Kostallari, gramatikani Shaban Demiraj i dha gjuhës shqipe të parën monografi, të parin tekst universitar mbi vijimësinë e pandërprerë të strukturave dhe të vetë rendit gjuhësor të shqipes, prej zanafillës deri më sot”, u shpreh akademiku.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura