Shkëlqim Çela shpallet fitues i Çmimit “Kadare” 2016

May 30, 2016 | 14:56
SHPËRNDAJE

Shkëlqim Çela është fituesi i edicionit të dytë të Çmimit “Kadare 2016”, shpallur nga Fondacioni “Mapo”. Me librin me novela “Embriologji”, Çela u shpall fituesi i këtij çmimi me vlerë 10 mijë euro, për prozën më të mirë shqipe.

Shkëlqim Çela
Shkëlqim Çela

Çmimi u shpall gjatë Ditëve Letrare që u mbajtën në Razëm, Shkodër, në datat 27- 29 maj, organizuar nga Fondacioni “Mapo” dhe Universiteti Europian i Tiranës.

Mes emrave si Bardhyl Londo, Mustafa Nano, Vera Bekteshi etj., juria e përbërë nga emra të njohur të letërsisë dhe publicistikës shqipe, si Diana Çuli, Ylljet Aliçka, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Agim Baçi, Gilman Bakalli dhe Alfred Lela, përzgjodhi si veprën më të mirë pikërisht atë të Shkëlqim Çelës.

Juria ka vendosur për këtë vepër mbi motivacionin: “Për një tekst që ndërthur letërsinë e kujtesës nëpërmjet groteskut dhe autoironisë, me një individualitet që u garanton këtyre tri novelave dhe autorit një hyrje në letrat shqipe”.

Juria e çmimit “Kadare 2016”
Juria e çmimit “Kadare 2016”

Shkëlqim Çela është fituesi i dytë i Çmimit “Kadare” për letërsinë, i shpallur një vit më parë nga Fondacioni “Mapo”.

Fituesi i parë ishte shkrimtari Rudolf Marku. Edhe këtë vit, interesimi i shkrimtarëve për të marrë pjesë në këtë garë ka qenë i lartë.

Mësohet se prej momentit të thirrjes për pjesëmarrje, gjatë 3 muajve paraqitën veprat e tyre 33 autorë, nga të cilët u kualifikuan 11 autorë, për të dalë në një listë të shkurtër me 7 emra.

Në votimin final për fituesin, juria u nda 4 me 3 ndërmjet Vera Bekteshit dhe Shkëlqim Çelës, për t’u finalizuar me dhënien e çmimit për autorin e “Embriologji”. Ceremonia për dhënien e Çmimit “Kadare” do të mbahet në Tiranë ditët në vijim.

Shkëlqim Çela, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është autor i disa vëllimeve me poezi, tregime e novela. Mund të përmendim: “Mëmëdhembje” (tregime), “Ishulli Ruzvelt” (dy novela), “Tuneli i dhëndurëve” (tregime), “Zgjimi i ushtarit nga vdekja fushore” (poezi), “Këmbë qeni” (poezi) etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura