Rrëfimi i Ramës në Shkodër: Pse u prish miqësia me Tomën, kërcënonte ministrat

Apr 2, 2015 | 15:00
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama ka rrëfyer dje për herë të parë në Shkodër se miqësia e tij me Tom Doshin u prish për shkak se deputeti ngatërroi miqësinë me punët e shtetit.

Në një takim me strukturat socialiste të këtij qarku në teatrin “Migjeni”, kreu i qeverisë në prani dhe të deputetëve të këtij qarku është “rrëfyer” për shkaqet e përjashtimit të Doshit nga Grupi Parlamentar socialist, por edhe akuzat për komplotin e vrasjes së tij. 

Edi Rama dhe Tom Doshi ne nje nga fushatat elektorale per zgjedhjet e 2013-es

“Përjashtimi i Doshit nga Partia Socialiste ishte i pashmangshëm, largimi ka të bëjë me marrëdhëniet e Tomës në PS”, mësohet të ketë pohuar Kryeministri Rama dje në takimin e mbyllur pa praninë e mediave në teatrin “Migjeni”.

Kreu i qeverisë nuk e ka fshehur keqardhjen për prishjen e një miqësie të vjetër me Tom Doshin. “Me Tomën kemi pasur një miqësi me njëritjetrin, por kur pashë që kjo miqësi po ndikonte në punën e partisë dhe në punët e qeverisë, unë u detyrova të prish miqësinë për hir të punës. Nuk e fsheh që largimi i Tomës nga PS nuk u bë pa dhimbje, por ishte e pashmangshme”, ka pohuar Rama.

Ndërkohë si shkak i përjashtimit të Doshit ka qenë sjellja jo etike e ish-deputetit të PS, si dhe veprime të papërgjegjshme të Tomës me ministrat e kabinetit qeveritar apo dhe drejtues të lartë të PS, ka sqaruar Rama. Lidhur me akuzat e Tom Doshit ndaj kreut të Kuvendit, Kryeministri Rama i qëndroi sërish versionit të mëparshëm të tij, se atentati ishte farsë. “Për çështjen tjetër të vrasjes, unë i kam thënë lëri këto çmenduri, pasi ne arritëm në përfundimin se ishin joreale”, mësohet të jetë shprehur Rama.

RAMA E DOSHI GJATE FUSHATES ME 2013 NE SHKODER

Duke folur në Shkodër, aty ku Doshi kishte mbështetjen më të madhe, por edhe të punësuarit në disa pozicione drejtuese, Kryeministri Rama është shprehur se fushata zgjedhore e 21 qershorit duhet t’i bashkojë të gjithë të majtët dhe ka kërkuar që të mos ketë “gjueti shtrigash” ndaj përkrahësve të Tomës që mbajnë poste drejtuese apo dhe më gjerë, “pasi askush nuk ka të drejtë të paragjykojë të tjerët, por të tregojë në fushatë se çfarë është i zoti të bëjë”.

Ndërkaq, Megi Ajtyresa është hequr nga posti i kryetares së PS për rrethin e Shkodrës, pasi do të jetë zëdhënëse e PS në qendër gjatë fushatës elektorale.

KANDIDATURAT
Kreu i Partisë Socialiste ka bërë publike dje në Shkodër dhe kandidaturat e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas Ramës, Keti Bazhdari është kandidatja më e mbështetur në opinionin shkodran.

“Kemi testuar shumë emra në Shkodër, por Keti ka marrë më shumë përkrahës si nga kandidaturat partiake, ashtu dhe ato që vijnë nga shoqëria civile”, mësohet të ketë thënë Rama. Kreu i Partisë Socialiste ka prezantuar dhe emrat e kandidatëve të tjerë. Tonin Marina do të kandidojë për PS-së në Malësinë e Madhe, Fran Tuci në Fushë- Arrëz, Gjok Vreshi në Bashkinë e Vaut të Dejës dhe Rustem Struga për Bashkinë e Pukës.

Gjithashtu kreu i PS-së ka prezantuar edhe organizimin e kësaj partie, si dhe detyrat e secilit prej deputetëve të Shkodrës në zgjedhjet e 21 qershorit. Në krye të menaxhimit të procesit zgjedhor do të jetë Paulin Sterkaj. “Paulini ka detyrën më të rëndë nga tre deputetët, pasi do të merret me të gjitha punët e rënda të fushatës, por duke qenë se ai ka qenë sportist i peshave të rënda, them se do ta përballojë edhe këtë peshë”, mësohet të jetë shprehur Rama. RIDVAN DIBRA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura