Lubisha Ceroviç, një serb me prejardhje nga fshati Bellopojë i komunës së Pejës, ka mbi 20 vjet që po mundohet ta kthejë tokën e familjes së tij, që i ishte shitur, siç thotë, ilegalisht pas luftës në Kosovë, derisa ai dhe familja ishin shpërngulur në Serbi.
Këtë nuk arriti ta bëjë as pas një vendimi të gjykatës së Kosovës në favor të tij.
Ai thotë se toka e familjes në rrugën magjistrale Pejë-Deçan, u shit përmes një autorizimi të rrejshëm, me emrin e gjyshit të tij, që në atë kohë ishte i vdekur.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se janë disa raste të ngjashme brenda kësaj komune.
Çështjet pronësore të ndërlidhura me tensione etnike në Kosovë janë përmendur edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut të vitit 2023, të publikuar më 22 prill. Në veçanti, ky raport thekson se disa përfaqësues të serbëve të Kosovës pohuan se institucionet qeveritare “dështuan të ekzekutojnë vendimet e gjykatës në favor të serbëve të Kosovës, veçanërisht në kontestet pronësore”.
Probleme me pronën e uzurpuar kanë edhe shqiptarët e Kosovës, e posaçërisht ata në qytetin e ndarë të Mitrovicës.
Në mesin e tyre është Shyqri Çeliku, i cili për 25 vjet nuk arriti ta rikthejë banesën e tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Sipas një raporti të organizatës ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW), të publikuar më 2001, shkalla e shkatërrimit të pronave civile nga forcat qeveritare serbe më 1999 ka qenë shumë e madhe.
Në raport citohet një sondazh i Zyrës së Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), sipas të cilit, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banimit në Kosovë ishin dëmtuar rëndë ose ishin shkatërruar plotësisht.
“Sa të jem gjallë, do të mundohem ta kthej tokën”
Në qershor të vitit 1999, pas fushatës së bombardimeve të NATO-s, forcat serbe po tërhiqeshin nga Kosova.
Në zonat multi-etnike pati tension të shtuar mes komunitetit serb dhe atij shqiptar.
Në atë qershor, në fshatin Bellopojë të Pejës, në pjesën perëndimore të Kosovës – i banuar atëkohë me shumicë serbe – Lubisha Ceroviq së bashku me familjen e tij u nisën në drejtim të Serbisë.
Ata lanë prapa shtëpinë e tyre në fshatin Bellopojë, si dhe një tokë rreth 54 ari në rrugën Deçan-Pejë, që e kishin shfrytëzuar për mbjellje.
Shtëpia dhe toka i takonin Milleta Ceroviqit, gjyshit të Lubishës, i cili vdiq në vitin 1997.
“Kam pasur shumë miq shqiptarë. Kam edhe sot shumë miq shqiptarë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Lubisha, 52-vjeçar, i cili për herë të parë pas luftës u kthye në Kosovë në vitin 2004.
Atë vit, ai thotë se e gjeti shtëpinë e djegur, por më vonë iu renovua përmes programeve në Kosovë, që inkurajonin kthimin e serbëve.
Pasi shtëpia e tyre në Bellopojë, sipas Lubishës, ishte plaçkitur dhe dëmtuar disa herë ndër vite, ata e shitën rreth vitit 2011.
Por, tokën në rrugën Deçan-Pejë, Lubisha thotë se familja e tij nuk e shiti asnjëherë.
“Toka të është shitur”
Familja Ceroviq vendosi të kthehej në Kosovë më 2004, pasi mori informacionin nga fqinjët se toka tanimë nuk i takonte asaj.
“Toka të është shitur dy-tri herë”, kujton Lubisha t’i kenë thënë atij dhe babait Lubomir.
Viti pasues për familjen Ceroviq ishte koha kur ajo do të niste një betejë ligjore që zgjati për shumë vite, në tentativë për të kthyer tokën në pronësi.
Kjo betejë, për këtë familje ende është e pasuksesshme.
Ngastra e tokës, në të gjitha këto vite, ka ndërruar të paktën tre pronarë, duke pësuar edhe ndryshime në sipërfaqe e ndarje, sipas regjistrave në Kadastrën e Pejës.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë siguroi dokumentin nga Gjykata e Pejës, i cili konstaton se shitja fillestare e tokës së Milleta Ceroviqit ishte bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Si u shit toka?
Toka me sipërfaqe 54.13 ar, sipas Kadastrës së Komunës së Pejës, i takonte Milleta Ceroviqit së paku që nga viti 1956.
Në nëntor të vitit 2000 u nënshkrua një kontratë për shitje të kësaj toke, në mes të Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit nga Peja.
Në këtë kontratë, që Radio Evropa e Lirë e ka siguruar, thuhet se Agron Kelmendi ka qenë i autorizuar nga Milleta Ceroviq nga Peja, për ta shitur tokën, ndonëse në atë kohë, Milleta kishte qenë i vdekur për më shumë se tre vjet.
Kështu, në vitin 2005, Lubomir Ceroviq, djali i Milletës, ngriti padi në Gjykatën e atëhershme të Pejës, duke kontestuar vlefshmërinë e kësaj kontrate.
Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës dhe në atë kohë gjyqtari nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në tetor të vitit 2013, morën vendim mbi këtë çështje.
Në këtë vendim që më vonë u shpall i plotfuqishëm, Gjykata e konsideroi kontratën mes Agron Kelmendit dhe Blerim Krasniqit pa forcë ligjore.
Brenda vendimit të Gjykatës thuhet se “është e qartë që nënshkrimi [i Milleta Ceroviqit] në autorizim ishte i rremë dhe kontrata e shitblerjes ishte e falsifikuar”.
Radio Evropa e Lirë e ka siguruar dokumentin që Gjykata e ka shpallur të pavlefshëm, me të cilin Agron Kelmendit i jepet autorizim për shitje të tokës së Milletës, si dhe disa ngastrave tjera të serbëve të tjerë nga Kosova.
Në autorizim përmendet, po ashtu, një person tjetër serb, me emrin Mirosllav Zonjiq.
Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk ka arritur të kontaktojë me të lidhur me këtë çështje.
Sipas Lubishës, ai është “një mashtrues nga Peja”, të cilin e ka paditur në një gjykatë në Serbi, por pa sukses.
Në anën tjetër, Agron Kelmendi nuk ka dhënë koment lidhur me vendimin e Gjykatës se autorizimi ka qenë i falsifikuar ose nëse e ka njohur Milleta Ceroviqin.
“Nuk e di. Nuk më kujtohet, është kaherë. Lirisht… në Gjykatë i merr të gjitha. Janë kryer ato procedura civile”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Kelmendi shtoi se autorizimet i ka sjellë Mirosllav Zonjiq dhe se ato janë sjellë nga Beogradi.
Ai tha se ndihet i mashtruar në këtë proces, duke mos dashur të komentojë tutje.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Prokurorisë Themelore të Pejës me pyetjen nëse Kelmendi ka qenë ndonjëherë i ndjekur penalisht për falsifikim. Deri më tani, ky institucion nuk është përgjigjur.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al