SHISH: Të miratohet ligji për mbikëqyrjen parlamentare

Oct 31, 2012 | 11:19
SHPËRNDAJE
Inspektori i Përgjithshëm i SHISH, Saimir Kodra

Shërbimi Informativ Shtetëror kërkon miratimin sa më shpejt në Parlament të ligjit për mbikëqyrjen parlamentare ndaj shërbimeve inteligjente. Deklaratën e bëri dje inspektori i Përgjithshëm i SHISH, Saimir Kodra, gjatë një tryeze me shoqërinë civile. “Është më se i domosdoshëm miratimi i ligjit për mënyrën e ushtrimit të kontrollit, mbikëqyrjes parlamentare ndaj shërbimeve inteligjente, sepse përvoja e këtyre 20 viteve ka treguar mangësia e ligjeve, mangësia e ushtrimit të kësaj mbikëqyrjeje kontrolli ka krijuar ndonjëherë situata disi të pakëndshme. Kur ka dalë nevoja për të kontrolluar shërbimet, gjithmonë janë ngritur komisione ad hoc, që shpeshherë kanë pasur pjesëmarrës deputetë të specializuar. Sa më shpejt të miratohet ai ligj, aq më mirë është për të krijuar një praktikë të qëndrueshme për thellimin e kontrollit të mbikëqyrjes parlamentare ndaj shërbimeve të inteligjencës”, u shpreh Kodra. Zyrtari i lartë i SHISH tha se ka raste kur ligji tejkalohet në kryerjen e detyrës, prandaj është i domosdoshëm miratimi i draftit për mbikëqyrjen parlamentare. “Krijohet një ide sikur shërbimet janë të predispozuara për të kapërcyer ligjin. Nuk është kështu. Në shërbim mund të ndodhë, dhe prandaj duhen kontrolluar dhe mbikëqyrur. Mund të ndodhë që të shkelin ligjin, qoftë dhe nga dëshira për të bërë punën, jo aq shumë nga dëshira ose vullneti për të ndihmuar një person apo një krah politik. Unë personalisht mendoj që kjo është e kapërcyer në Shqipëri, por për të parandaluar mundësinë e kapërcimit të hapësirave që ka lejuar ligji, është patjetër e domosdoshme rritja e nivelit të kontrollit, dhe sidomos mbikëqyrjes parlamentare”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ish-presidenti Rexhep Meidani, i cili u shpreh se ligji është tepër i domosdoshëm për t’u miratuar. “Unë kam qenë pjesë e diskutimit për ligjin e nënkomisionit parlamentar të sigurisë dhe mendoj se ai ligj është tepër i domosdoshëm, duhet ushtruar trysni Parlamentit, sepse mendoj se ajo punë e bërë është tepër e dobishme. Legjislacioni shqiptar ka nevojë për këtë ligj. Është një punë e bërë jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe specialistë shumë të mirë të Britanisë së Madhe, njerëz tepër të aftë, që kanë dhënë kontributin e tyre”, tha ish-kreu i shtetit. Në tryezë munguan deputetët e PD-së, ndërsa ata të PS-së theksuan faktin se aktualisht procesi i mbikëqyrjes parlamentare është i dështuar. “Deri më sot ka qenë dështim i gjithë procesi i mbikëqyrjes dhe llogaridhënies, dhe kjo për një sërë faktorësh, por, mbi të gjitha, për një kulturë politike të mangët sa i përket gjithë procesit mbikëqyrës. Shteti ka nevojë për sekrete. Ruajtja e sekreteve të domosdoshme është pjesë e punëve të funksionimit të shtetit, por ne nuk jemi për mbajtjen sekret të atyre elementeve që mbulojnë keqmenaxhimin, abuzimin me pushtetin, korrupsionin”, tha Ilir Gjoni.

Gjiknuri: Rritet mundësia për abuzim
Duke komentuar draftin që shqyrtoi dje Komisioni i Ligjeve, deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, theksoi se “sot po shqyrtohet ligji për përgjimin dhe ekziston mundësia e ekspozimit të një shkalle më të lartë të abuzimit. Bëhet fjalë për informacione, të cilat ne nuk e dimë si shpërndahen, si shkatërrohen, kush është përgjegjës, sa ruhen dhe deri ku mund të shkohet me to”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura