Sherri në kazino, si ndodhi vrasja me 3 viktima në Vlorë

Sep 25, 2015 | 22:39
SHPËRNDAJE

Tre të pandehur për tri viktimat e shënuara më 7 prill, në Vlorë. Prokuroria e qytetit bregdetar ka përfunduar hetimet për vrasjen e trefishtë të shënuar në qytetin bregdetar. Nën akuzë janë Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj, të akuzuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim, në dëm të shtetasve Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Personi i vetëm në arrest me burg aktualisht është Aleksandër Llanaj, ndërsa dy të tjerët janë hetuar në gjendje të lirë.

Viktimat
Viktimat: Haki Rakipi, Ardi Velaj, Albi Limaj
Ngjarja e rëndë u shënua më 7 prill, pas një debati për motive të dobëta, nisur nga Xh.Lutaj. Ky i fundit ka qenë me shokun e tij Albi Limaj në një lokal lojërash fati (kazino), në afërsi të portit, kur është konfliktuar me Ardi Velajn dhe një person tjetër.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se dy të fundit kanë ofenduar dhe dhunuar Xhuliano Lutajn. Pas këtij momenti, Lutaj i rrëfen çka i ndodhi Albi Limajt, duke u bërë dhe plani për “sqarim”. Sipas Prokurorisë, nga tërësia e provave dhe thënieve të dëshmitarëve ka rezultuar se shtetasit Albi Limaj dhe Ardi Velaj, në datën 07.04.2015, kanë komunikuar me telefon me njëritjetrin për ngjarjen, kur u dhunua Lutaj.

Ata kanë lënë takimin te kafe “Ador”, ku do të shënoheshin tri viktimat pak minuta më vonë. Të parët në lokal kanë hyrë shtetasit Ardi Velaj dhe Haki Rakipi, të cilët kanë qenë duke pirë cigare në verandën e lokalit kur ia kanë behur së bashku shtetasit Albi Limaj dhe i pandehuri Aleksandër Llanaj. “Në momentin që këta të fundit janë futur në verandën e lokalit ‘Ador’, i pandehuri Aleksandër Llanaj, duke ecur në drejtim të shtetasve Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, ka goditur me armë zjarri në drejtim të tyre.

Si pasojë e goditjes me armë zjarri, shtetasit Ardi Velaj i është shkaktuar një plagë në kokë. Nga i pandehuri Aleksandër Llanaj është goditur më pas, fillimisht në gjoks, shtetasi Haki Rakipi, i cili kishte armë pa viaska, fiksuar në vendngjarje, me të cilën ka goditur tetë herë (sipas aktit të ekspertimit kimik, kishte faktor të qitjes) të gjetura në vendin e ngjarjes që i përkasin kësaj arme.

Rezulton se shtetasi Haki Rakipi është goditur për herë të dytë nga arma e të pandehurit Aleksandër Llanaj në kokë, në pjesën e djathtë të tij (pra, në anësore)”, bëri të ditur Prokuroria. Sipas saj, deri në këtë kohë, Albi Limaj ka rezultuar i plagosur, por ende në jetë. Në këtë moment ka ndërhyrë Bertil Aliaj e më pas dhe Ani Begaj, të cilët kanë tentuar të çojnë shokun e tyre në spital, por ka rezultuar se dhe ai ndërroi jetë si dy të tjerët.

Prokuroria thotë se ka prova që i implikojnë edhe Aliajn dhe Begajn për bashkëpunim në vrasje. Aktualisht çështja i ka kaluar gjykatës. Prokuroria thotë se Aleksandër Llanaj ka bërë vrasjen e Velajt dhe Rakipit, ndërsa shokun e tij, Albi Limaj e ka ekspozuar me dashje para plumbave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura