Sherri në derbi, Disiplina bën çudira. Ja çfarë nuk shkon me vendimet

Oct 3, 2019 | 9:29
SHPËRNDAJE

Skandali në derbin Tirana-Partizani ua mbyll stadiumet dy klubeve të kryeqytetit, ndërsa për herë të parë Komisioni i Disiplinës përjashton përjetë tetë tifozë. Nëse kjo e fundit përbën një risi në drejtësinë sportive, ajo që ndodh me dënimin e fushës tregon edhe një herë se Disiplina nuk mund t’u shmanget çudirave.

Dhuna

Komisioni nuk u dha mundësinë të dyja klubeve përpara zhvillimit të ndeshjeve në Kupën e Shqipërisë, pasi të martën u luajtën tri takime dhe tashmë rezulton se në ndryshim nga Tirana, që dje shleu një ndeshje pa tifozë, Partizani nuk e pati këtë shans. Dhe kjo erdhi vetëm sepse Disiplina nuk u mblodh të hënën apo qoftë edhe të martën paradite. Kjo është ajo që nuk shkon me komisionin, i cili indirekt paragjykohet me vendimet që merr, vetëm e vetëm se nuk i teket të mblidhet atëherë kur duhet. Incidenti në derbi i ka kushtuar në letër zhvillimin e 4 ndeshjeve pa spektatorë klubit të Tiranës, që si organizator i takimit ka dështuar në përmbushjen e përgjegjësive në organizimin e sfidës me Partizanin.

disiplina_1dhjetor

Por, në këtë rast, Disiplina ka përgjysmuar dënimin e Tiranës, duke iu referuar nenit 32/3 të KDS, që shprehimisht thotë: “Organi gjykues vendos se cila pjesë e dënimit mund të pezullohet. Në çdo rast gjysma e dënimit do të zbatohet detyrimisht”. Pra, Disiplina ka vendosur për pezullimin e pjesshëm të zbatimit të këtij dënimi, duke urdhëruar shlyerjen e gjysmës e tij.

Tirana e shleu një ndeshje dje për Kupë ndaj Shënkollit, ndërsa tashmë i mbetet edhe një tjetër që do të luajë në shtëpi, pikërisht për javën e tetë të kampionatit kundër Laçit. Në këtë dënim përfshihej edhe masa për banderolën skandaloze, që për Disiplinën futej te provokimet me karakter politik dhe shoqëror.

Për këtë klubi bardheblu është i detyruar të mbyllë sektorin G3, ku qëndronte prej 24 gushtit grupimi më i ri, ‘Capital Crew’. Tirana ka marrë edhe një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetër. Nga ana tjetër, Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, dënohet me zhvillimin e 2 ndeshjeve vijuese pa tifozë dhe gjobë në masën 1 milion lekë të vjetër. Të kuqtë nuk arritën ta shlyenin një ndeshje me Kupën, pasi luajtën të martën dhe kësisoj tashmë ndaj Teutës për kampionat do të luhet pa tifozë të shtunën. Vetëm pas kësaj ndeshjeje, klubi i kuq ka të drejtë ta konvertojë me gjobë dënimin.

JORGIS MEMO- PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura