Sherri me armë te zyra e PS-së në Laprakë, Gjykata: 14 vjet burg autorit

Jun 29, 2015 | 21:35
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin e saj për të dënuar katër persona të akuzuar për një incident me armë në zonën e Laprakës, një ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.


Me një vendim të datës 24 qershor 2015, Gjykata e Tiranës ka caktuar dënimin në lidhje me incidentin e ndodhur në një lokal në Laprakë, ku mbeti i plagosur shtetasi Arjan Kacnija, i cili mori një plumb në bark. Për këtë episod, Gjykata ka dënuar shtetasin Astrit Tarja, ndërsa fajtorë janë shpallur edhe disa persona të tjerë të pranishëm në skenën e ngjarjes.

Më 24 qershor 2015, Gjykata e Tiranës ka vendosur deklarimin fajtor të shtetasit Astrit Tarja për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje” dhe dënimin me 21 vjet burg.

Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Gjykata vendosi dënimin përfundimtar të shtetasit Astrit Tarja me 14 vjet heqje lirie. I akuzuari tjetër Edvan Jaupaj është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg për armëmbajtje pa leje dhe “largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka përfituar edhe nga gjykimi i shkurtuar. Dënimi i Jaupajt është konvertuar më pas në 3 vjet me kusht, duke u lënë i lirë.

I pandehuri tjetër në këtë çështje, Petrit Haka (ish-agjent policie) është dënuar për “shpërdorim detyre” dhe armëmbajtje pa leje, me 1 vit e 8 muaj burg. I pandehuri tjetër Flamur Isufaj është dënuar për veprën penale “moskallëzimi i krimit” me 1 vit burgim, por më pas dënimi i tij është pezulluar, duke e lënë në provë për 18 muaj. Ata janë akuzuar për ngjarjen e ndodhur në datën 22.06.2013.

Në këtë kohë, shtetasi Korab S., pronari i lokalit në katin e dytë përballë “KMY” Laprakë, ka qenë bashkë me shtetasit Ylber P., Arjan Kacnija dhe Seit S. Ngjitur me lokalin ishte zyra elektorale e kandidatit të PS-së, Rakip Suli, ku shokë e miq të tij vinin në këtë lokal.

Rreth orës 23:00 në lokal kanë hyrë disa persona, mes tyre dhe i dyshuari Petrit Haka, të cilët kanë qenë të armatosur me pistoleta, të cilat i mbanin në brez në mënyrë demonstrative. Sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, ata kanë kontaktuar me pronarin dhe i kanë kërkuar që në lokal të mos vinin mbështetës të PS-së e në veçanti djali i shtetasit Sh.P.

Situata e tensionuar ka nisur në lokal e ka zbritur në oborrin e katit të parë dhe shtetasi Korab S. është goditur me grusht nga shtetasi Edvan Jaupi dhe kur po mundohej të qetësonte situatën është goditur përsëri në ijën e djathtë nga pas me një mjet të mprehtë dhe si pasojë ai ka humbur ndjenjat.

Sipas Gjykatës është lajmëruar Policia dhe kandidati për deputet, Rakip Suli, ndërsa kur ka mbërritur Policia nga një lokal i ndodhur përballë zyrave të shtabit elektoral është qëlluar me armë zjarri ndaj personave dhe nga të shtënat është plagosur me armë zjarri shtetasi Arjan Kacnija.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura