Sherr me armë në lokalin e natës, “luftë” në Laprakë

Aug 31, 2014 | 10:05
SHPËRNDAJE

TIRANE- Konflikti me armë në zonën e Laprakës përfundon me plagosjen e dy personave, ndërsa terrorizon banorët në orët e para të mëngjesit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në orën 05:30 të mëngjesit. Të plagosur mbetën shtetasit Enio J., 34 vjeç dhe miku i tij Luan S., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë. Policia tha se ka identifikuar autorët e krimit dhe i ka shpallur në kërkim ata, pasi kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes. Ngjarja i ka pasur fillesat e saj në një mosmarrëveshje të lindur brenda një lokali nate në rrugën “Pandi Dardha” rreth një orë para krismave të armëve. Në këtë konflikt bëhet me dije se janë përfshirë dy klientët Artan B. dhe Edi B. Ata kanë pasur mosmarrëveshje me pronarin e lokalit, shtetasin Enio J. dhe më pas në sherr është përfshirë edhe miku i 34-vjeçarit, shtetasi Luan S. Konflikti raportohet se ka vazhduar për disa minuta brenda lokalit, ndërsa policia bën me dije se shkak ka qenë një zënkë banale.

SHERRI NË LOKAL
Pasi kanë debatuar me fjalë për disa minuta, katër personat janë përfshirë në konflikt fizik me shtyrje dhe goditje. Në përleshje e sipër, pronari i lokalit së bashku me mikun e tij kanë dalë jashtë me gjithë dy personat e dyshuar si autorë të krimit. Përplasja fizike ka vazhduar edhe jashtë me dy shtetasit Artan B. dhe Edi B., që kishin qenë klientë në lokalin e natës. Gjatë konfrontimit, njëri prej këtyre të fundit është shkëputur nga përleshja dhe ka shkuar tek automjeti i tij, që ndodhej i parkuar rreth 100 metra larg lokalit. Prej andej është kthyer me një armë në dorë dhe, pasi ka pritur që të tërhiqej edhe miku i tij nga sherri fizik me pronarin e lokalit, ka qëlluar. Banorët e zonës kanë thënë se në vendin e ngjarjes janë regjistruar rreth dhjetë të shtëna me armë zjarri në një hark kohor prej pak minutash. Pasi ka qëlluar disa herë nga rruga, autori i krimit ka pritur derisa shoqëruesi i tij ka hipur në makinë dhe e ka ndezur mjetin duke e vënë në lëvizje. Më pas, personi i armatosur ka hipur në automjet dhe ka vazhduar të qëllojë teksa makina largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur dy persona, pronari i lokalit dhe miku i tij, ndërsa ka pasur edhe dëmtime fizike në lokal nga plumbat.

POLICIA
“Rreth orës 05:30, në Rrugën e Durrësit, në Laprakë, pas një grindjeje për motive të dobëta, në ambientet e një lokali nate, kanë mbetur të plagosur shtetasit Enio J., vjeç 34, pronar i lokalit, si dhe Luan S., vjeç 31, banues në Tiranë”, ka thënë Policia. Sipas saj, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Policisë ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vepre penale janë shtetasit me inicialet Artan B. dhe Edi B., të identifikuar nga strukturat e Policisë dhe të shpallur në kërkim. Policia ka thënë se nga të dhënat e grumbulluara rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje për motive banale mes një grupi personash në ambientet e një lokali nate, ku pas kësaj grindjeje autorët e dyshuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik në drejtim të këtij lokali dhe, për pasojë, mbetën të plagosur 2 shtetasit e sipërcituar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura