Shërbimet sekrete, ‘bomba’ e Brahos: Rama po bllokon kontrollin

Nov 2, 2016 | 15:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, ka ngritur si shqetësim dje gjatë tryezës me institucionet e pavarura, se Kryeministri Edi Rama nuk po lejon miratimin e projektligjit të “Mbikëqyrjes parlamentare të shërbimeve informative dhe të sigurisë”.

Spartak Braho
Spartak Braho

Braho tha se projektligji i mundëson Kuvendit të ushtrojë kontrolle ndaj shërbimeve sekrete, të cilat sipas tij kanë dalë jashtë kontrollit të Legjislativit, raporton “Panorama”.

Bëhet fjalë për SHISH, Shërbimin e Inteligjent të Ushtrisë dhe Drejtorinë e Parandalimit të Pastrimin të Parave.

“Kemi harruar diçka shumë thelbësore që në qeveri qëndron drafti për ngritjen e nënkomisionit parlamentar për kontrollin e organeve të shërbimit informativ. Nuk e di pse e keni harruar, pse e harroni apo nuk doni ju. Jo ti (Ermonela Felajt), por Kryeministri, nuk do ministrja përkatëse. Duan t’i zgjidhin këto raporte direkt me krerët e shërbimeve speciale, duke shmangur edhe kontrollin parlamentar si një mjet mjaft të domosdoshëm. Unë kam vënë në dijeni për këtë çështje, ndoshta trasha njëçik zërin, të më falësh zonja ministre, është një kërkesë që është domosdoshmëri, që ju duhet ta kuptoni, por edhe qeveria duhet ta kuptojë që kanë mbetur jashtë monitorimit parlamentar disa shërbime sekrete”, tha dje Braho..

PËRGJIMET

Braho kërkoi dje gjatë tryezës me krerët e institucioneve të pavarura që në planin e punës të përfshihet dhe projektligji në fjalë, pasi sipas tij shërbimet sekrete po akuzohen se kanë ushtruar përgjime nën hundën e Prokurorisë”.

“Kështu që aty te plani i punës, duke shfrytëzuar rastin, unë do ta kërkoj me ngulm, sepse ka dy vjet e ca që Shërbimi Informativ Shtetëror dhe disa institucione të tjera nuk raportojnë në Kuvend. Një tentativë që u bë për të kontrolluar veprimtarinë e zbatimit të ligjit dhe financiare të këtyre shërbimeve, këto kërkesa u refuzuan prej këtyre shërbimeve informative. Falë dhe indiferencës së qeverisë dhe strukturave parlamentare, kjo gjë mbeti në heshtje. Ka pasur sinjalizime të forta që nën hundën e Prokurorisë janë bërë dhe përgjime për titullarët e institucioneve të tjera, drejtues të institucioneve të tjera, por këto mbeten vetëm në kuadër të hamendjeve dhe që lipset të verifikohen dhe të vihet edhe ky institucion në kontrollin parlamentar dhe demokratizimin e tij. Drafti është gati me firmat e deputetëve dhe nuk di pse qëndron në zyrat e Kryeministrisë”, tha dje Spartak Braho.

FATION BINJAKU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura