Shërbime të dobëta ndaj qytetarëve, Rama “fshesë” drejtorëve në çdo qark. Zbulohet urdhri i Kryeministrit në mbledhjen me dyer të mbyllura: S’do lejohet…

Sep 22, 2020 | 12:55
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka paralajmëruar “tërmet” në drejtoritë rajonale që ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve.

rama kryesia

Për rreth 2 orë, Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të PS, ka zhvilluar takimin në seli me drejtuesit politikë të qarqeve. Në takimin e radhës me shtabin elektoral të tij, Kryeministri ka kërkuar largimin e çdo drejtuesi institucioni, i cili nuk ka performuar siç duhet në krye të institucionit që drejton, duke sjellë pakënaqësi te qytetarët për shërbime të dobëta, zvarritje apo dhe vonesa. Bëhet fjalë kryesisht për institucione të tilla si kadastrat, zyrat arsimore, tatimet, doganat, institucionet shëndetësore etj.

drejtuesit

Nuk do të përjashtohen nga këto largime as drejtorët e bashkive që kanë lidhje me shërbimet ndaj qytetarëve. “Të bëhet rishikim dhe shkarkimi i çdo drejtuesi të institucioneve publike që kanë dështuar në punën e tyre”, mësohet të jetë shprehur Rama, duke shtuar se “nuk do lejohet arroganca e këtyre personave ne krye të institucioneve”.

Mësohet se Kryeministri ka kërkuar ballafaqimin mes raportit konfidencial që ai ka marrë nga çdo kryebashkiak për cilësinë e punës së çdo drejtuesi, por dhe raportit që kanë dorëzuar drejtuesit politikë në çdo qark. Për të larguar çdo gjykim subjektiv, mësohet se janë bërë edhe sondazhe me qytetarët për të krijuar një filtër tjetër për performancën e drejtuesve kryesorë në qarqe.

Selia rozë ka nisur fushatën zgjedhore duke nisur me përmirësimin e imazhit të administratës së saj, përmes të cilit synon të perceptohet pozitivisht nga qytetarët para se ata të shprehen me votë për këtë qeverisje. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Edi Rama u ka përsëritur drejtuesve të qarqeve se objektivi i PS-së në këto zgjedhje duhet të jenë 74 mandatet ose rreth 800 mijë votat, të cilat do t’i japin mandatin e tretë qeverisës me një siguri në qeverisje, pa pasur nevojë për mandate të tjera në Parlament. Mësohet se Kryeministri e ka vënë theksin në dhënien përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve ndaj shërbimeve që ata marrin nga zyrat e shtetit.

DURRËSI

Në mbledhjen e djeshme me drejtuesit politikë në qarqe ka rënë në sy prezenca e administratorit të Operatorit të Shpërndarjes, Adrian Çela. Ky i fundit mësohet se është emëruar nga Kryeministri zv.drejtues politik i Qarkut të Durrësit, të cilin e drejton vetë Kryeministri.

Çela mësohet se do të merret direkt me çështjet organizative të partisë, punë të cilën nuk mund ta realizojë Rama për shkak të angazhimeve të tij ekzekutive. Adrian Çela njihet si një nga miqtë më të afërt të kryebashkiakut Vangjush Dako, i cili drejtonte këtë qark deri në fund të muajit gusht. Në fillim të shtatorit, kryesocialisti Rama bëri disa ndryshime në drejtimin politik në qarqe, duke marrë vetë drejtimin e Qarkut të Durrësit, ndërsa në Tiranë caktoi kryebashkiakun Erion Veliaj.

Po ashtu, në Shkodër Rama caktoi Ilir Beqajn, pas largimit të Ditmir Bushatit dhe dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Në Kukës caktoi Safet Gjicin, kreun e Bashkisë Kukës, ndërsa riktheu në Lezhë ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.

ORGANIZIMI

Masat kufizuese për shkak të COVID-it e kanë detyruar selinë rozë që të adoptojë një mënyrë të re komunikimi me strukturat e saj, por dhe me elektoratin. Për shkak se grumbullimet e njerëzve në fushatat elektorale tashmë janë të pamundura, socialistët do të ngrenë një platformë dixhitale komunikimi. Ky komunikim synon që të përdoret për strukturat socialiste, por dhe elektoratin e gjerë. Vlerësimet e performancës së deputetëve, drejtuesve vendorë, të zgjedhurve partiakë do të zhvillohet përmes kësaj platforme. Platforma do të jetë një tjetër filtër, nga ku selia rozë do të kalojë performancën e deputetëve aktualë, pa përjashtuar vlerësimin e strukturave të PS-së në bazë, kryebashkiakët, por edhe drejtuesit politikë në qarqe.

Ende pa datë mbledhja që zgjedh Kryesinë

Partia Socialiste ende nuk ka një datë se kur do të mbledhë Asamblenë e saj Kombëtare, e cila duhet të zgjedhë Kryesinë e re dhe sekretariatin ekzekutiv të partisë. Për shkak të masave anti-COVID, socialistët ngurrojnë të mbledhin këtë forum me pjesëmarrje masive, mbi 300 anëtarë të së cilës duhet të votojnë në një votim të fshehtë me kuti për Kryesinë e re. Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë është vlerësuar se shifrat e të infektuarve nuk e lejojnë zhvillimin e një mbledhjeje me të gjithë anëtarët, por dhe propozimi për ta zhvilluar online me tri organizime për çdo rajon nuk do të ishte efektiv. Sipas Kryesisë, votimi i fshehtë do të ishte i vështirë të sigurohej online, ndërkohë që ai mund të krijonte dhe pakënaqësi në prag të fushatës zgjedhore. Zhvillimi i Asamblesë do të vendoset në varësi të dinamikës së Covid-19 në Shqipëri.

PAS MBLEDHJES, RAMA ME RUÇIN, VELIAJ ME BIÇIKLETË

Takimi i djeshëm i Kryeministrit me drejtuesit politikë të PSsë në qarqe ka zgjatur rreth 2 orë, në përfundim të të cilit është parë Rama të dalë nën shoqërinë e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili është dhe drejtues politik i Qarkut të Fierit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka preferuar edhe këtë radhë të jetë sportiv, duke u larguar me biçikletë, të cilën e përdor sa herë ka takime në selinë rozë. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka qenë në shoqërinë e deputetit Damian Gjiknuri, drejtues i Qarkut të Vlorës, ndërkohë që ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin ka dalë vetëm, ashtu si edhe ish-ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, i cili drejton Qarkun e Korçës. Edhe drejtuesit e tjerë të qarqeve, si Safet Gjici, Blendi Klosi etj., kanë qëndruar pak më vonë në seli për t’u marrë mesa duket me pjesën e organizimit në këtë parti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura