Shënon Sukaj, fitore spektakolare e Sepahanit

Oct 31, 2012 | 13:00
SHPËRNDAJE
Xhevahir Sukaj

Xhevahir Sukaj ka realizuar një gol të rëndësishëm në fitoren 4-3 të Sepahanit në transfertë kundër Naft Teheranit. Sulmuesi shqiptar realizoi në minutën e 37-të të ndeshjes, kur takimi ishte në favor të vendësve me rezultatin 2-0. Bomberi shkodran i dha shpresë skuadrës së tij, që në pjesën e dytë arriti të shënonte edhe tre gola të tjerë në derbi. Sukaj u aktivizua gjatë gjithë ndeshjes dhe ishte ndër më të mirët në fushën e lojës. Titullar në këtë ndeshje është aktivizuar edhe mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Ervin Bulku, i cili ka bërë gjithashtu një paraqitje të mirë. Xhevahir Sukaj po kalon një periudhë të mirë te skuadra iraniane dhe ka arritur të shënojë pesë gola këtë sezon, në 12 ndeshje. Gjithsesi, sulmuesi shkodran nuk ka pasur mundësi që të provojë veten në ekipin përfaqësues, pasi Xhani de Biazi ka preferuar futbollistë të tjerë në repartin ofensiv. Vetë Sukaj pati pohuar pak kohë më parë se ndiente keqardhje që ishte lënë jashtë edhe në ndeshje miqësore, por bomberi 25-vjeçar sqaroi se nuk kishte ndër mend të bënte polemika me teknikun, pasi i respekton zgjedhjet e trajnerëve. Sepahani renditet në vendin e  tretë me 24 të grumbulluara dhe duhet thënë se 5 pikë (një fitore dhe dy barazime) kanë ardhur pikërisht nga golat e Sukajt këtë sezon. Aktualisht skuadra e Sukajt ka një pikë më pak se kryesuesit e Esteghalalit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura