Shëngjin, plazh “fshatçe” me mushkonja e terr

Aug 20, 2012 | 11:36
SHPËRNDAJE

Pluhur, mushkonja, mungesë energjie apo edhe uji, çmime të kripura, rërë e ndotur me gjithfarësoj mbetjesh të hedhura nga vetë pushuesit.

Kjo ishte panorama e sivjetshme në plazhin e Shëngjinit. Aty ku pushuesit mezi presin të mbarojnë ditët e prenotuara dhe të kthehen në shtëpitë e tyre. Numrin më të madh të pushuesve këtë vit e përbënin qytetarët e Kosovës, Maqedonisë dhe më pak nga rrethet e Veriut të vendit. Shumë nga shezlonët janë bosh. Rëra e bregut të detit është e papastër. Komuna e Shëngjinit, por as vetë privatët që kanë pushtuar “copa” plazhi, nuk kujdesen për të larguar nga bregu gjithfarë mbetjesh që mbajnë erë të padurueshme. Për pushuesit mungojnë edhe banjat publike. Është sfilitëse të udhëtosh nga “Lapidari”, në jug të plazhit. Rruga ka aq shumë gropa, sa që shoferët dhe udhëtarët mund të mallkojnë pas çdo metri lëvizjeje. Pluhuri që krijohet ndot të gjitha lokalet në anë të rrugës, dhe përfundon deri te pushuesit e lyer me vaj ulliri apo solucione të tjera për mbrojtjen nga rrezet e diellit. Sikur të mos mjaftonte sfilitja gjatë gjithë ditës, në kabina e hotele ndërpriten për shumë orë gjatë gjithë kohës energjia elektrike. Mungesa e dritave varion nga 30 minuta, por edhe deri në 5-6 orë. Edhe uji është problem në qytetin e Shëngjinit. Si në pallatet e ndërtuara buzë detit, ashtu dhe në hotelet private ka ndërprerje. Pushuesit detyrohen të përshtaten duke u larë me tas, ashtu si dikur, në kohët “nostalgjike”.

NJË DITË NË PLAZHIN E SHËNGJINIT

Herët, ende pa gdhirë, disa qytetarë vrapojnë buzë detit. Më vonë, shijojnë kafen e mëngjesit në lokalet mbi det, ca të tjerë nisin sistemimin në çadra. Pa u rehatuar ende në shezlonë, tregtarë ambulantë, të shumtët fëmijë, nxitojnë të shesin ç’të mundin: fruta, lodra, misra të pjekur, byrekë, gazeta, akullore. Ambulantet flasin vetëm me lekë “të reja”. Produktet e tyre kushtojnë më shumë se dyfishi nga ç’jemi mësuar t’i blejmë në përditshmëri. Më tej, një tjetër ambulant i bën konkurrencë “kolegut” të tij me fiq, luledielli, banane, kumbulla, pjeshkë e mallra të tjerë….

(Reportazhin e plote e lexoni ne numrin e sotem te gazetes, Panorama)

SHENGJIN/ HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura