Shembja e ndërtimeve me leje, PD padit Qeverinë në Gjykatë

Nov 30, 2013 | 10:22
SHPËRNDAJE

Firmosin deputetët e PD, padia dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese. Padia, ne “Panorama“: Të pezullohet si antikushtetuese VKM për kompetencat e INUK.

Partia Demokratike i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të pezullojë dhe më pas të rrëzojë vendimin e qeverisë për t’i dhënë Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kompetencën të prishë edhe ndërtimet me leje, nëse ajo e vlerëson lejen të paligjshme.

Më shumë se 30 deputetë të opozitës kanë firmosur dje kërkesën me argumentet juridike, ku vlerësohet se vendimi i Ekzekutivit shkel të paktën shtatë nene të Kushtetutës. “Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 932/2013 për të cenuar arbitrarisht dhe pa kurrfarë kriteri kushtetues dhe ligjor pronat e shqiptarëve të ndërtuara mbi bazën e një lejeje ndërtimi të lëshuar nga organet kompetente, apo pasuritë e tyre të legalizuara nga organi kompetent, është jo vetëm i dëmshëm për stabilitetin ekonomik dhe shoqëror të shtetit shqiptar, por edhe një akt haptazi në kundërshtim me Kushtetutën. Kompetenca që Kryeministri i Shqipërisë i ka dhënë vetes dhe vartësve të tij (Kryeinspektorit) të nënshtruar ndaj vullnetit të vet politik, i bën sot qytetarët të ndihen të pasigurt në gëzimin e qetë të pronës së tyre”, thuhet në kërkesën e PD-së.

Sipas PDsë, vullneti i Kryeministrit për të ushtruar kompetencat e pushtetit ekzekutiv, të pushtetit vendor dhe Gjyqësorit është rrezik për pasuritë e çdo qytetari. “T’i njohësh të drejtën vetes, që pa asnjë kufizim kushtetuese apo ligjor, të godasësh pasurinë e ligjshme të shqiptarëve, do të thotë të nëpërkëmbësh në mënyrën më të ulët interesat e shqiptarëve dhe Kushtetutën/ ligjet e këtij vendi. Cenimi i të drejtës së pronësisë, jashtë standardit kushtetues për një proces të rregullt ligjor, përbën një atentat të rrezikshëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri”, vijon më tej kërkesa e PD-së, e cila është parashtruar në 20 faqe.

Në të njëjtën kohë demokratët argumentojnë se kompetenca që qeveria i ka dhënë INUK-ut për të prishur objektet me leje ndërtimi apo ato me leje legalizimi, përbën cenim të së drejtës së pronësisë, duke cenuar nenin 42 të Kushtetutës që flet për një proces të rregullt ligjor. Në këtë pikë, sipas PD-së, duke i dhënë INUK-ut kompetencën për të prishur menjëherë ndërtimet me leje, i hiqet e drejta qytetarëve për t’u ankuar në Gjyqësor.

“Vendimi nr. 932/2013 i Këshillit të Ministrave, duke mos parashikuar procedurën që ndjek INUK në rastin e konstatimit të ‘kundërligjshmërisë’ së lejes së ndërtimit apo lejes së legalizimit, si dhe duke përcaktuar shprehimisht detyrimin e INUK që të veprojë menjëherë me ushtrimin e kompetencave të parashikuara në nenet 9, 10, 10/1 të ligjit nr. 9780, datë 16.07.2007 ‘Për inspektimin e ndërtimit’ (ku përfshihet edhe prishja e ndërtimit), de facto i mohon individit të drejtën e ankimit efektiv, të parashikuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe neni 13 i KEDNJ-së”, thuhet më tej në kërkesën e PD.
Adi Shkembi/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura