Shehu: Humbëm se s’na kuptuam programin

Jun 30, 2013 | 10:05
SHPËRNDAJE

Sherefedin Shehu
Deputeti i PD, interviste ne “Panorama”: Listat e arroganca nuk ndikuan. “Kreu i ri i PD të ndjekë rregullin e Berishës, ikën nëse humbet zgjedhjet”.

Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu, thotë se arsyeja përse e djathta humbi zgjedhjet ishte se elektorati nuk kuptoi programin e saj. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai flet gjithashtu edhe për zgjedhjet në selinë blu dhe kandidimin e figurave kryesore të saj për pasardhës të Sali Berishës.

PD i humbi shumë thellë zgjedhjet pas 8 vjetësh qeveri. Cilat mendoni se kanë qenë arsyet e kësaj humbjeje?
Mendoj se nuk ka arsye të qenësishme, pasi programi elektoral i PD-së jo vetëm ishte dinjitoz, por edhe më i besueshmi. PDja pati një program që do ta zhvillonte Shqipërinë, do ta integronte në BE, si dhe pati një ekip që do të garantonte zbatimin e këtij programi. PS dhe LSI nuk patën program, por vetëm parulla elektorale, dhe aq më keq, ekipi i tyre ishte një ekip njerëzish që jo vetëm nuk garantojnë zbatimin e një programi, por përkundrazi, ishin të dyshimtë për qenien në listat e këtyre partive. Megjithatë, tani jemi në këtë situatë që ka ndodhur dhe me ose pa dashjen tonë, PDja ka humbur. Është e rëndësishme që të presim, të shikojmë se ç’do të ndodhë me qeverisjen e këtyre dy partive. Besoj se shumë shpejt shqiptarët do të kuptojnë zgjedhjen e gabuar.

Mendoni se qeveria ka qenë arrogante, ministrat kanë qenë arrogantë?
Për mendimin tim, nuk mund të ketë asnjë ide. Ka qenë votim për interesa momentale. Nga përvoja e Dibrës, votuesit janë sulmuar në kuptimin që janë ofruar para ose janë bërë premtime personale të drejtpërdrejta. Qytetarët nuk kanë votuar as programin, as ekipin, por ata janë sulmuar. Sa i përket arrogancës së ministrave, kjo është pa kuptim. Këta janë disa faktorë që mund të quhen vërejtje për qeverisjen dhe jo shkaqe të humbjes, sepse qeveria nuk mund të gjykohet nga arroganca e njërit apo tjetrit, por vlerësohet me ato që ka prodhuar. Qeveria e PD-së në dy mandate ka prodhuar më shumë se sa gjithë Shqipëria ka parë në historinë e vet. Aq më tepër që janë prodhuar rrugë, autostrada, të cilat as kanë ekzistuar në imagjinatën e shqiptarëve. Është përmirësuar shërbimi i ujit të pijshëm, është modernizuar shërbimi arsimor dhe shëndetësor. Pra janë arritje të prekshme, të dukshme, që nuk mund të përbalten dhe të anashkalohen nëse ne gjykojmë faktorët. Këtu ka pasur disa arsye të pashpjegueshme, sepse pesëfishimi i rezultateve të LSI-së duhet parë me faktorët specifikë që ajo duhet të ketë.

A ishte përbërja e listës së deputetëve një nga arsyet e humbjes?
Në listën fituese kujtoj që pati deputetë të PS-së dhe aleatë të cilët nuk morën as numrin e votave që kishin para katër vitesh. Mund të jetë arsye, por siç e thashë, nuk është faktor i humbjes. E para, pati një argument shumë të fortë moral etik për përfshirjen e këtyre kandidatëve në listat tona. Por në fund të fundit ata që u përfshinë në listat e PD-së nuk ishin as biznesmenë të përfolur, as biznesmenë tenderësh, as policë, as prokurorë, as njerëz të dyshimtë nga pikëpamja e integritetit të tyre personal.

Ju e përqafoni tezën se elektorati nuk e kuptoi si duhet programin tuaj për mandatin e tretë?
Patjetër, dhe atë e quaj faktorin kyç të kësaj humbjeje. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i saj pas humbjes së 23 qershorit.

A ishte ky veprim në kohën e duhur, apo mund të vinte në një moment të dytë?
Është akti më civil që ka parë Shqipëria dhe politika shqiptare. Është modeli i sjelljes politike. Është antitezë e sjelljes së Edi Ramës qoftë në vitin 2009, qoftë në 2011-n. Po të kthehemi mbrapa kujtojmë kërkesën për hapjen e kutive në 2009-n dhe pushtimin e KQZ-së në 2011-n. Ato ishin sjelljet më të shëmtuara të një politikani. Po të shikosh sjelljen civile të Sali Berishës, ai ka dhënë një model që të shpresojmë që do ta bëjë edhe Edi Ramën që të paktën t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve për sjelljet dhe veprimet politike gjatë karrierës së tij politike të deritanishme.

(Intervisten e plote marre nga Adi Shkembi e lexoni sot ne Panorama)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura