Sfidat e mirëqeverisjes së bashkive

Sep 22, 2020 | 10:15
SHPËRNDAJE

PROF. DR. ARBEN MALAJ

arben malaj

Në aforizmat brilante të Winston Churchill përfshihet edhe përcaktimi i tij se “Demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, pas gjithë të tjerave”.

Demokracia me pjesëmarrje, demokracia funksionale është një sfidë e vështirë që aktualisht po përballet me trende e risqe përkeqësuese në çdo nivel të saj. Risqet po ushqehen edhe nga rritja e populizmit; dobësimi i funksionimit të shtetit të së drejtës; venitja deri në pezmatim i angazhimit qytetar e shoqërisë civile, si edhe në prezencën në rritje të liderëve autoritaristë dhe armiqësorë me demokracitë funksionale, demokraci që në thelb kanë angazhimin e përkushtuar të qytetarëve dhe taksapaguesve.

Qeverisja e bashkive, qeverisja sa më afër qytetarëve të zakonshëm është niveli më i afërt në piramidën qeverisëse me disa nivele.

Debati për nivelet e qeverisjes për problemet dhe sfidat ditore të qytetarëve përballet shpesh me problemet e mprehta të rritjes së deficitit demokratik, i cili në thelbin e tij pasqyron distancën në rritje midis vendimmarrësve dhe përfituesve apo penalizuesve nga këto vendime.

“Deficiti demokratik” është koncept që pasqyron faktin se institucionet e BE-së dhe procedurat e tyre të vendimmarrjes vuajnë nga mungesa e demokracisë dhe duken të paarritshme për qytetarin e zakonshëm.

Për të reduktuar deficitin demokratik të BE-së është përfshirë në traktatet e saj parimi i subsidaritetit dhe proporcionalitetit, me qëllimin final të sigurojë që pushtetet ushtrohen sa më afër qytetarit, në përputhje me parimin e afërsisë të referuar në nenin 10 (3) të TEU.

Pikërisht për të vlerësuar mirëqeverisjen në nivel bashkie, që në thelb duhet të jetë qeverisje me pjesëmarrje, në disa vende po përdoret si instrument vlerësimi dhe Indeksi i Performancës së Bashkive. http:// ww.ippm.al/2020/09/15/municipal-performance-index-for-albania-2020

Qeverisja e bashkive duhet të plotësojë objektiva konkrete (http:// www.financa.gov.al/guidat-sektoriale-2/), që nënkupton se produktet, projektet dhe aktivitetet e bashkive dhe njësive administrative duhet të jenë SMARTER : (1)Specifikenë objektivat e tyre social-ekonomikë e financiarë; (ii) të matshëm – sepse një gjë që nuk matet, nuk ekziston; (iii) të arritshme – jo thjesht populiste; (iv) realiste- pasi mosrealizimi i tyre cenon kredibilitetin publik; (v) të përcaktuar në kohë (Time-bound) – sepse fillimi i menjëhershëm i shumë projekteve dhe të ndara për shumë vite për përfitime elektorale është mënyra më e keqe e përdorimit të taksave; (vi) të vlerësuara (Evaluated) dhe (vii) të shpërblyera (Rewarded) Profesori Peter Drucker, i respektuar si guru në shkencën e menaxhimit thekson se “një gjë që nuk matet, nuk mund të përmirësohet”, prandaj sot në botë ka shumë indekse, të cilat, bazuar në tregues të ndryshëm socialë, ekonomikë, financiarë dhe politikë, tentojnë të matin performancën qeverisëse në çdo nivel të tyre.

Duhet qartësuar se përdorimi i indekseve dhe indikatorëve përbërës është një proces jo i lehtë metodologjik dhe shpesh i debatueshëm edhe në aspektin shkencor. Ekspertët e IPPM-së vlerësojnë se misioni i këtij publikimi është të rritet transparenca e performancës së qeverisjes së bashkive nëpërmjet treguesve të matshëm të rezultateve të tyre.

Objektivi final është ndërgjegjësimi për një angazhim më të madh, të drejtpërdrejtë dhe ndikimi proaktiv i qytetarëve dhe taksapaguesve për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme. Ata mund të influencojnë në mirëqeverisjen e bashkive duke i përdorur këta tregues konkretë, vlerën e indeksit të performancës së bashkive, jo për të ushqyer qëndrimet emocionale që u hedhin benzinë “zjarreve” të tensionuara të debateve partiake në Këshillat Bashkiakë, në Parlament, në debatet në median apo rrjetet sociale, por për të rritur efektshmërinë e demokracisë me pjesëmarrje.

Ky është synimi i vetëm edhe i IPPM-së për studimin dhe publikimin e indeksit të performancës së disa bashkive në Shqipëri. Indeksi i Performancës së Bashkive – që publikohet për herë të parë nga IPPM, u mundësua nga një bashkëpunim efikas me Institutin Lituanez i Tregut të Lirë, i cili ka fituar çmime prestigjioze ndërkombëtare, ideimin dhe publikimin e këtij indeksi. Në Shqipëri ky projekt u bë i mundur në sajë të mbështetjes thelbësore nga “Atlas Network”.

Bazuar në përvojën e suksesshme lituaneze, kur nisi publikimi i këtij indeksi, fillimisht bashkitë ishin hezituese deri në mosbashkëpunuese. Ndërsa sot janë bashkitë që ofrojnë bashkëpunim dhe transparencë maksimale për të njohur sfidat e performancës së tyre edhe nëpërmjet gjetjeve dhe rekomandimeve të këtij indeksi.

Nga gjetjet e këtij studimi ku për fshihen 16 bashki, rezulton se hendeku midis bashkive dhe qytetarëve mbetet kritik. Ky hendek duhet të ngushtohet me reforma konkrete të mirëqeverisjes në nivel bashkie, pasi përfaqëson një nga pengesat kryesore në krijimin e sinergjisë dhe bashkëpunimit midis bashkive dhe qytetarëve.

Matja e këtij hendeku në 4 fushat prioritare të bashkive nëpërmjet indikatorëve specifikë ka qenë një proces dhe një punë jo e lehtë, por IPPM shpreh mirënjohje për bashkitë e përfshira në këtë studim, sepse vullnetshmëria e tyre për të bashkëpunuar, përgjigjja në kohë për të dhënat e kërkuara, shkalla e pëlqyeshme e transparencës së ofruar prej tyre ndikuan pozitivisht.

Nga ana tjetër, hendeku aktual i matur vetëm në 16 bashki, por që është sipas përvojës pozitive lituaneze, mund të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit, përfaqëson një sfidë jo të lehtë për qeverisjen vendore, shoqërinë civile, por edhe për qendrat kërkimore që studiojnë dhe promovojnë mirëqeverisjen edhe në nivel vendor.

Nëpërmjet këtij indeksi synohet të mbahet në fokus cilësia dhe efektiviteti i bashkive, që kornizojnë dhe identifikojnë shkallën e lirisë ekonomike apo të mosfunksionimit të saj, të inspirojë një mjedis miqësor të sinergjisë efektive midis lirisë ekonomike dhe mirëqeverisjes vendore, ku kontributi i iniciativës private që njeh dhe respekton përgjegjësitë sociale, ka një ndikim të konsiderueshëm për ta rritur dhe konsoliduar mirëqeverisjen vendore.

Sinergjia midis qeverisjes në nivel kombëtar dhe decentralizimit të mëtejshëm të funksioneve dhe kompetencave drejt bashkive, si qeverisja më pranë qytetarëve, mbetet prioritare për të ndërtuar një qeverisje efektive dhe në përmirësim të bashkive, e nxitur dhe orientuar kjo nga përzgjedhja, angazhimi i drejtpërdrejtë dhe proaktiv i qytetarëve të tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura