Servilët

Apr 15, 2015 | 12:28
SHPËRNDAJE

JULIAN DEDA

   Nuk e di pse, por sa herë e çoj nëpër mend këtë dreq fjalë, më kujtohet vendi im, më kujtohen njerëzit e këtij vendi që me aq mund përpiqen të jenë të tillë, më kujtohen ata njerëz që në vend të shtyllës kurrizore kanë një send, që sigurisht nuk është organ i trupit tonë, një send pa forme e pa përmbajtje. Në një normalitet biologjik, trupi duhej ta luftonte si trup të huaj këtë send, por imuniteti ynë psikik është i pafuqishëm, sepse priret nga instinkti gjenetik dhe atëror. Sa herë që dëgjoj këtë fjalë të ndyrë dhe shpresoj të paperspektivë, më dalin para syve qindra të tillë që punojnë nëpër firma private, që gjithsesi janë shumë pak në raport me ata që punojnë në administratën tonë të nderuar. Ah, këta të administratës janë më mijëra, se si më duken! Gjithsesi, unë kam dëshirë t’i shoh nga dy këndvështrime:
1. servilë të bardhë, dhe 2. servilë të zinj.
Edhe pse nuk jam një nga ata që kam punuar në administratë, mund ta bëj këtë ndarje. Le të fillojmë me grupimin e parë të servilëve, ata të bardhët. Varfëria është e madhe dhe nevoja për të jetuar ose, siç i thonë njerëzit e lexuar, lufta për ekzistencë, është e madhe. Kështu, njeriu çfarë nuk bën për t’ia arritur këtij qëllimi primitiv. Thjesht të jetoj, thjesht të mbaj frymën gjallë, frymën e tij, të gruas dhe të fëmijëve te tij të vegjël. E kështu detyrohet i shkreti që, përveç profesionalizmit, t’i shtojë një dozë servilizëm të padëmshëm, që nuk shqetëson askënd. Kjo kategori servilësh është në minorancë me kategorinë e dytë, që do përpiqem të gjej fjalët e ta shpjegoj më poshtë.
Risi nuk mund ta quajmë, absolutisht jo. Pa diskutim që kjo ka vite e vite që ndodh në mënyrë të shëmtuar. Pra, le t’i hyjmë çështjes direkt e në thela. Servilët e zinj, të cilët për fat të keq janë shumë-shumë më tepër se ata të parët, janë dëm i padiskutueshëm. Ata janë tmerri i këtij vendi. Kryefjala e tyre është “paaftësia”, kallëzuesi i tyre, edhe pse ata nuk e meritojnë t’i bashkëngjisësh një kallëzues, sepse në fund të fundit kallëzuesi tregon veprim ose punë, kështu e kemi mësuar në shkollë, ata si kallëzues kanë “parazitoj”. Këta njerëz i dallon shumë lehtë. Si?
a) shohin shefin gjithmonë në sy, por asnjëherë kolegët dhe aq më tepër rivalin e vet.
b) çdo fjali që nxjerrin nga goja, e nisin me togfjalëshin që përdor shefi më shumë. Kjo bëhet për t’i mbushur mendjen vetes në radhë të parë që mendon njësoj si ai.
c) pozicioni fizik i tyre para shefit është me pjesën e trungut pak përpara, qafa i rri pak shtrembër për të qenë e gatshme që të miratojë pa humbur kohë atë që thotë shefi, duart përpara gati për të duartrokitur bëmat e shefit.
d) edhe kur janë në krevat me gruan mendojnë për shefin, për idhullin e tyre. Aty në krevat mendojnë: po sikur shefi ti bjerë telefonit tim gjatë kohës që bëj seks? O sa bukur, do i them kësaj që kam në krevat, një minutë ti shoqe, mbaje aty se po më merr shefi! Madje, aty mendojnë edhe se si mund të bëjë shefi seks me shoqet apo edhe me shokët.
Vërtet unë i ndava në dy kategori, por mund të ketë edhe të ndërmjetëm. Zgjodha ekstremet për t’u bërë më i qartë. Më e keqja, cila është? Fakti që këta punojnë në administratë, duke filluar nga punëtorët e thjeshtë e deri tek ata më të lartët. Sa më lart ngjitet hierarkia, aq më të zinj e të dëmshëm bëhen. Por akoma më e keqe është se këta tipa i mbajmë ne me rroga, me taksat tona. Imagjinoni pak, ne paguajmë taksa që servilët të marrin rrogat dhe sigurisht rrogat më të larta i kanë servilët e zinj.
Kujdes! Nuk duhet ngatërruat servilizmi me kompromisin. Kompromise bën njeriu në jetë, pa fund, nga më të ndryshmet, ndoshta edhe deri te martesa me një njeri që nuk e do aq shumë, por duhet kaluar jeta me dikë se nuk shtyhet vetëm. Servilizmi është tjetër gjë. Ai është shkelje mbi veten, përdhosje e personalitetit tënd, shkërmoqje e idealeve dhe projekteve të tua. A ia vlen t’i shkatërrosh të gjitha duke u servilosur? A ia vlen të mos jesh më ti? Unë mendoj që JO. Në fund të fundit, njeriu pse jeton? Përse erdhëm në jetë? Erdhëm me një qëllim. Nuk mund të ketë njeri në rruzull që të ketë ardhur pa asnjë detyrë të posaçme. Të gjithë e kemi një talent, dikush aktor, dikush marangoz, dikush është i lindur për të drejtuar… etj. E si thoni ju, a ia vlen të shumëzosh me zero qenien tënde? Unë mendoj se JO. Kam përshtypjen që e kundërta na lartëson. Edhe eprori të do më shumë kur shikon që ti vlen, që ti me punën tënde i sjell fitim. Nuk e di me saktësi kur dhe si do marrë fund kjo sjellje tragjike për atë që e aplikon. Do isha i paarsyeshëm nëse do kërkoja zerimin e saj, por do isha i drejtë nëse do shpresoja që përqindja të zbriste në nivele të papërfillshme. Ka ardhur koha që profesionalizmi të godasë në shenjë. Edhe partitë politike kanë nevojë më shumë për profesionistë të mirë, për njerëz që nuk e kanë partinë nevojë jetike. Këta njerëz kanë luksin të kontribuojnë në një parti pa e çarë kokën se nesër mund të jenë jashtë saj, sepse mund të rindrisin në profesionet e tyre. Atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me njerëz të fortë profesionalisht që çdo grupim politik do t’i donte në gjirin e tij. Nëse një ditë të gjithë bëjmë mirë atë për të cilën kemi ardhur në këtë jetë të shkurtër, atëherë mund të themi se jemi në një standard europian. Sepse, të dashur miq, jeta është shumë e shkurtër për t’u menduar gjatë, e aq më tepër për t’u marrë me budallallëqe. Ne kemi nevoje për punë, vendi ka nevojë për ne. Atdheu është në rrezik, ka nevojë për ide dhe jo për servilë, për vemje, për gjakpirës, që s’dinë të bëjnë asgjë, veçse të shkatërrojnë të ardhmen e mëmëdheut. Ne fund të fundit është më mirë punëtor me personalitet, se servil pa jetë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura