‘Serial-killeri’ Nuredin Dumani merr “arrestin me burg” të dytë brenda pak orësh në spital, ja krimi për të cilin akuzohet

Apr 2, 2022 | 12:03
SHPËRNDAJE

Gjykata i komunikoi këtë të shtunë Nuredin Dumanit në spitalin e Traumes masën e dytë të sigurisë “arrest me burg”, brenda pak orësh.

Sot, më 2 prill, gjykata la në fuqi masën “arrest me burg” për Dumanin lidhur me akuzën e ngritur ndaj tij për një vrasje që ka ndodhur disa kohë më parë.

Konkretisht për ekzekutimin e shtetasit Bujar Çela. Dje ai u la me masë arresti në burg për ngjarjen e ndodhur para katër ditësh në Elbasan, ku mbeti i plagosur dhe më pas u gjet i fshehur në një apartament në Fier.

Çfarë tha avokati të premten

“Sapo mbaroi masa nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për ngjarjen e datës 30. Me kërkesën e prokurorisë u caktua masa sigurisë ‘Arrest me burg’, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale vrasje e mbetur në tentativë, në bashkëpunim.

Ne si palë mbrojtëse nuk e kuptojmë këtë qëndrim të prokurorisë se si mund të jetë i akuzuar për vrasje viktima e një atentati.

Ai dyshohet për ngjarjen e Paprit, vrasje në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

Nesër në orën 10:00 do të jetë një tjetër masë sigurimi për një ngjarje të ndodhur vrasje me paramendim, për të ndjerin Bujar Çela. Klienti im është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe ka zgjedhur të mos flasë në këtë moment, duke qenë se ka probleme me mushkëritë, nuk është mirë të flasë”, tha avokati mbrojtës më 1 Prill.

Po kush është Nuredin Dumani?

Nuredin Dumani është një emër shumë i njohur për policinë. Emri i tij u lakua në tetor të vitit 2020, kur ai u shpall në kërkim si autor i vrasjes së Bujar Çelës, vëllai të Talo Çelës.

Ai është autor i dyshuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, ngjarje kjo e kryer në bashkëpunim me Talo Çelën, sipas Policisë dhe dy personave të tjerë.

Autorësia e tyre në këtë ngjarje është dëshmuar nga i penduari i drejtësisë, Klevis Alla, ndërsa dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Dumani ka qene shok me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator.

Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars 2020. Po ajo që bie më shumë në sy është se në vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa së fundmi ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij.

Nuredin Dumani gjithashtu mësohet se ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi e trafikuar në Francë.

Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori i rrjetit, që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do të vriste familjarët e tyre. Po ashtu, Nuredini ka qenë i arrestuar më herët edhe për akuzën e vjedhjes.

dumani dhe cela

Dumani, i dyshuar edhe për vrasjen e shokut të tij në Rrogozhinë

Sipas informacioneve të Policisë së Elbasanit, Nuredin Dumani dyshohet se është i implikuar edhe në vrasjen e shtetasit Klevis Kapllani, me të cilin kishte njohje të hershme dhe shoqëroheshin bashkë.

Gjithashtu mësohet se Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj, dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga Policia për ngjarjet kriminale, ata shoqëroheshin bashkë në publik.

Burime nga Policia bënë të ditur se Kapllani ka qenë i dënuar dy herë në Itali, si shpërndarës droge. Por tashmë Nuredin Dumani rezulton i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Durrësit, pasi akuzohet se është i implikuar edhe në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktimash, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli.

Për këtë ngjarje në kërkim është dhe Talo Çela, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura