Sergej Cetkoviç: Këngëtari malazez në Tiranë për këngën e Eurovizionit

Mar 31, 2014 | 12:52
SHPËRNDAJE

Në turin e tij prezantues për të vjelë votat e gjithë admiruesve të muzikës, nuk mund të mungonte edhe Shqipëria. Dy shtete fqinje e kufitare me njëra-tjetren, shqipfolëse dhe dashamirëse sa herë e lyp nevoja për t’u dhënë vota artistëve të dashur në kompeticione të rëndësishme muzikore, ishin shtysa që e drejtuan Sergej Cetkoviçin edhe në Tiranë. Ai u shpreh i entuziazmuar për praninë e tij në kryeqytetin shqiptar, duke mos i fshehur vlerësimet pozitive për konkurrenten tonë, Hersi Matmuja, e cila do të performojë në natën e parë gjysmëfinale në “Eurosong 2014”, i cili këtë vit zhvillohet në Kopenhagën. “Është domethënëse për mua fakti që vij në kryeqytetin shqiptar për të prezantuar këngën time, bashkë me videoklipin. Menaxhim i mirë i punës sime artistike, sidomos përpara sfidës që na pret në skenën e këtij festivali, që është një nga më të rëndësishmit në historinë muzikore. Kënga ime ka një subjekt të ëmbël, me ndjenja dashurie, pasi tek e fundit kjo është ndjenja e fillesës së njerëzimit, e te çdo marrëdhënie që ndërtohet me kohën”, tha Cetkoviç, i cili numëron pesë albume muzikore të lançuara dhe një tjetër në prag. Është kryefund një histori e ëmbël dashurie, ndjenja assesi djallëzore, të cilat ngjizen herët në fëmijëri mes dy të vegjëlve, komshinj me njëri-tjetrin, për t’u zgjuar vite më pas në një kohë kur secili kish marrë drejtimin e vet në jetë. “My love”, apo “Dashuria ime” është një këngë e ndjerë dhe e zhanrit të muzikës së lehtë. Për Sergein nuk ka munguar për asnjë edicion të vetëm vëmendja ndaj konkurrentëve që janë ngjitur në skenën e “Eurosong”, edhe pse për të është hera e parë që i jepet mundësia që të konkurrojë. Duket të jetë një nga ndjekësit fanatikë edhe të Shqipërisë, pasi jo vetëm që identifikon të gjitha konkurrentet tona atje ndër vite, por dëshiron të theksojë se për të Rona Nishliu mbetet një nga këngëtaret shqiptare me zërin më fuqishëm dhe performancën më të arrirë. Këngëtari malazez do të jetë i 15-i në radhën e artistëve që do të ngjiten natën e 6 majit në skenën e “Eurosong 2014”, që këtë vit zhvillohet në Kopenhagën të Danimarkës.    Er. Is

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura