Serbia lobim masiv kundër Kosovës në UNESCO, ne s’kemi as ministër

Aug 14, 2017 | 7:53
SHPËRNDAJE

Kur çështja e pranimit të Kosovës në UNESCO është rikthyer sërish në betejë me Serbinë, dy vite pas dështimit për t’u pranuar në këtë organizatë, diplomacia kosovare po përfaqësohet nga një ushtrues detyre i Ministrit të Jashtëm, i cili në një fjali prej njëzet fjalësh i bën njëzet gabime elementare drejtshkrimore.kosova flamur

Kosova përballë diplomacisë së fuqishme serbe të drejtuar nga Ivica Dacic, ka Emanuel Demajn, pasi ish ministri Enver Hoxhaj është zgjedhur deputet, dhe formimi i qeverisë së re ende nuk ka ndodhur, edhe pse zgjedhjet ka dy muaj që kanë përfunduar, shkruan gazetametro.net.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Demaj këto ditë u ka dhënë ultimatum diplomatëve kosovarë që t’i ndërpresin pushimet dhe të kthehen në vendet e tyre të punës, për të lobuar që Kosova mos të dështojë edhe kësaj here të pranohet në UNESCO.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm serb Ivica Dacic ka bërë të ditur sot për mediat serbe, se ka dërguar emisarët e tij për të lobuar në mbi 20 vend kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.

Ai ka thënë të ketë identifikuar vende që Serbia mund t’i kthejë pro saj, duke vënë në pah problemet e diplomacisë serbe në të kaluarën. Dacic ka përmendur si shembull Uzbekistanin të cilin sipas tij askush nga diplomacia serbe nuk e ka vizituar prej 25 vitesh, dhe sipas tij, është normale që ky vend të votojë në favor të Kosovës, dhe këtë ka premtuar se do ta ndryshojë. Njëjtë Dacic ka thënë se do të veprohet edhe me disa vende të Amerikës Latine.
Ndërsa, Kosova me gjasë nuk është e shqetësuar se a pranohemi në UNESCO apo jo. E rëndësishme për partitë politike në Kosovë duket të jetë vetëm se kush po arrin ta marrë pushtetin, dhe për këtë nëse është e nevojshme vendi do të mbahet në bllokadë edhe deri në gjashtë muaj, sikurse kishte ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2014.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura