Sekretet e Dhjetorit ’90/ Zbardhet i pacensuruar takimin e ish-Presidentit Ramiz Alia me studentët! Replikat me Imamin dhe Demetin: Muri s’luan, burri luan!

Dec 6, 2021 | 14:00
SHPËRNDAJE

Ramiz Alia debati studentet-viti1990-zbardhet=procesverbaliNë librin e ish-kryeministrit Aleksandër Meksi vjen i plotë edhe debati i studentëve me ish-Presidentin Ramiz Alia. Në një bisedë prej mëse 2 orësh, takimi i përfaqësuesve të studentëve me Ramiz Alinë shënon një pikë kthese në historinë moderne shqiptare, të cilën Meksi e paraqet të pacensuruar dhe të plotë në libër, të marrë nga xhirimet e Televizionit Publik. Në këtë debat të rrallë, ish-Presidenti do të debatonte me përfaqësuesit e studentëve për pluralizmin politik, situatën ekonomike, si dhe kërkesat e studentëve. Nga takimi do të spikaste diskutimi i disa pjesëmarrësve si Arben Demeti, Arben imami, Azem Hajdari, Shenasi Rama, e shumë të tjerë. Në mëse 30 faqe, ky debat zbardhet i plotë në librin “Dhjetor ’90, dokumente dhe materiale”, të përgatitur nga Aleksandër Meksi.

***
Ramiz Alia hyn i duartrokitur në sallën ku ishte përcaktuar zhvillimi i takimit, i shoqëruar nga ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, dhe sekretari i parë i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Lisen Bashkurti. Fillimisht, Alia takohet me disa nga pjesëmarrësit në këtë takim, ndërsa më tej mban një fjalim, ku bën të ditur vendimet që ka marrë Pleniumi i Komitetit Qendror të Partisë në lidhje me zhvillimet më të fundit në vend.

Ramiz Alia: Si jeni ju, mirë jini?
Tashti të filloj unë një çikë, do më dëgjoni mua njëherë dhe pastaj të shikojmë, të flisni juve. Se desha t’ju njoftoj përpara se sot kishte një mbledhje të Pleniumit të Komitetit Qendror të Partisë dhe prandaj desha t’ju njoftoj se çfarë ka vendosur Pleniumi i Komitetit Qendror. Pleniumi i Komitetit Qendror shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi masat përkatëse për përmirësimin e saj. Lidhur me sa më sipër u vendos:
E para: Në qershor të vitit 1991 të mblidhet kongresi i 10-të i zakonshëm i Partisë
E dyta: Më 26 dhjetor të këtij viti, d.m.th. pas dy javësh, të mblidhet në Tiranë Aktivi Kombëtar i Partisë për të përcaktuar platformën elektorale të partisë dhe për të aprovuar listën e kandidatëve të saj për deputetë në Kuvendin Popullor.

E treta: Pleniumi liroi nga funksioni anëtarët e Byrosë Politike, shokët Muho Asllani, Simon Stefani, Lenka Çuko, Foto Çami dhe Hajredin Çeliku, si dhe shokët Qirjako Mihali dhe Pirro Kondi, nga detyra e kandidatit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë.
E katërta: Ju rekomandua kryetarit të Këshillit të Ministrave që në përputhje me situatën e tanishme t’i propozojë Presidiumit të Kuvendit Popullor ndryshimet e nevojshme në qeveri.
E pesta: Pleniumi shprehu mendimin se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe pluralizmit, krijimi i organizatave politike të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi (salla duartroket gjatë). Tani desha t’ju them edhe disa fjalë të tjera se ky ishte vendimi. Të them unë tashi disa. Unë personalisht dhe gjithë udhëheqja e kemi ndjekur çdo hap tuajin gjatë këtyre ditëve. Qysh në fillim, unë jam shprehur për dialog, për bisedime, për diskutime me juve. Bile qysh të shtunën nuk refuzova, por përkundrazi, në orën 1.30, pas mesnate, u takova me një delegacion tuajin, ndërsa të nesërmen prita në zyrë edhe Mimozën, dhe biseduam gjerë e gjatë me njëri-tjetrin. Ju ftova të tërëve për qetësi, në mënyrë që shqetësimet dhe kërkesat tuaja, të drejta, të zgjidheshin vetëm në rrugën e diskutimit normal dhe demokratik.

Edhe tani që po takohem me ju, jam i të njëjtit mendim, që çdo gjë, e theksoj, se çdo gjë të zgjidhet me qetësi, me mirëkuptim, në interes të atdheut dhe të të gjithë popullit. Në çdo rast duhet t’i pritet rruga ndërhyrjes së elementëve keqdashës ose provokatorë, që nuk ia duan të mirën as popullit, as rinisë, as zhvillimit të vendit, as lirisë së atdheut, as demokratizimit të vërtetë të popullit e të atdheut tonë. Rruga drejt demokratizimit nuk është bulevard. Këtë duhet ta kemi parasysh të tërë, të rritur e të rinj. Nevojitet kulturë, nevojitet tolerancë, nevojitet rregull edhe durim. Demokracia nuk pranon as kushte, as imponime, as detyrime. Prandaj edhe unë nuk ju kam vënë as kushte, as nuk u jam imponuar dhe as nuk ju kam detyruar. Ajo kërkon dialog, kërkon argumentim, kërkon logjikë në interesin e përgjithshëm, kërkon respekt për shokun, respekt për të drejtën. Demokracia kërkon norma mirësjelljeje dhe të etikës. Në qoftë se nuk respektohen këto rregulla të lojës, i hapet rruga anarkisë, gjë që është e rrezikshme dhe e dëmshme për të gjithë. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë njerëzit tanë, sidomos kur flitet për pluralizëm, qoftë për pluralizëm mendimi, qoftë për pluralizëm organizimi, atë që quhet pluralizëm partiak.

Çdo njeri tek ne, çdo qytetar i ndershëm i vendit tonë, duhet të ketë në plan të parë interesat e atdheut, interesat e popullit. Mund të kesh vërejtje për të kaluarën ose për të sotmen. Mund të kesh mendime për një çështje ose një tjetër, për socializmin ose për partinë, por çdo gjë duhet të vihet në kandarin e fateve të atdheut, të lirisë dhe pavarësisë së tij. Të mos harrohet se për Shqipërinë gjithnjë qëndron rreziku i lirisë dhe i pavarësisë. Situatat politike i dini e i ndiqni. Mos i merrni si shakara. Prandaj ne na lypset uniteti, neve na lypset të ecim të bashkuar, ne na duhet të punojmë krah për krah me njëri-tjetrin. Unë shpreh besimin tim të patundur dhe bindjen time të plotë te rinia jonë, te e gjithë rinia jonë, edhe te rinia studentore, në radhë, që është pjesa më e mençur, më me kulturë, që është një pasuri e madhe e popullit tonë. Shpreh bindjen tek klasa punëtore, te tërë populli ynë, që luftën për demokratizim që ka ndërmarrë partia, ne do ta çojmë përpara pa u ndalur. Procesi i demokratizimit kërkon kontributin e secilit, të madh e të vogël, punëtorë, fshatar, studentë, por asgjë nuk bëhet brenda një dite. Për më tepër duhen pasur parasysh traditat tona.

Drejt Europës ne duhet të shkojmë, por duhet të shkojmë me pasurinë tonë kulturore. Të mos harrojmë, ne duhet të shkojmë me traditën tonë, duhet të shkojmë me origjinalitetin tonë dhe jo si kopje e keqe e të tjerëve. Pikërisht për këtë arsye duhet të punojmë të tërë me vëmendje, duhet të matim hapat që hedhim, duhet të jemi të kujdesshëm, pa u ndalur aspak në rrugën tonë që kemi nisur, që është rruga e interesave të atdheut, të socializmit, të popullit tonë. Këto kisha t’ju thosha kështu në fillim.
Tashti do dëshiroja të dëgjoja në qoftë se keni juve dhe çfarë keni juve.

Arben Demeti: Kam një pyetje.
Ramiz Alia: Urdhëro. Posi, kush jeni ju?
Arben Demeti: Unë quhem Arben Demeti, asistent pedagog në Inxhinierinë Elektrike, jam dhe komunist. Ramiz Alia: E mirë vazhdo, nuk ka rëndësi ajo. Për mua ka rëndësi kush je.
Arben Demeti: Pse Pleniumi i Komitetit Qendror mori këto masa, ku u mbështet, diçka më të hollësishme, sidomos lirimin e anëtarëve të Byrosë Politike?
Ramiz Alia: Pleniumi i Komitetit Qendror diskutoi, e para, se jemi përpara zgjedhjeve që do të bëhen, së dyti, kjo që ndodhi me studentët është padyshim një shqetësim për partinë, që është e domosdoshme ta shikonte këtë situatë, kupton apo jo, sepse situatat mund të zhvillohen në rrugë të ndryshme, këtë e kuptoni? Gjithmonë ka dy rrugë, në çdo fenomen.
Arben Demeti: Ose më shumë.
Ramiz Alia: Më pak, dy ka. Të tjerat eliminohen, ngelen dy, rryma pozitive e rryma negative (qesh), meqë je i elektrikes ti. Prandaj në këtë çështje, kupton, Komiteti Qendror diskutoi, kupton, edhe natyrisht, gjykoi të nevojshme që të mblidhej aktivi kombëtar i partisë, për çështjen e platformës për zgjedhjet, sepse partia do të dalë me kandidatët e vet dhe duhet të ketë platformë elektorale. Për kongresin e partisë, gjithashtu, duhet sipas normave dhe rregullave të bëhej. Përsa i përket lirimit të këtyre shokëve të Byrosë Politike, lirimi i tyre është i lidhur, kupton, edhe me të kaluarën, me të meta, dobësi në punë në të kaluarën e tyre, kupton, është i lidhur përgjithësisht edhe me situatën aktuale. Ka pasur vërejtje, kemi pasur neve vërejtje, edhe nga partia, edhe nga rinia, edhe nga masat. Kanë shprehur, po pse mbeten në byro, ta zëmë u hoq prej këtej Muho Asllani, u shkarkua nga sekretar i Durrësit, por mbeti në Byronë Politike, ose ku di unë, shoku Simon Stefani u hoq nga ministri i Brendshëm por mbeti në Byronë Politike. Tani i rishikuam edhe njëherë këto, si i thonë fjalës, kupton, muri s’luan, burri luan.

Arben Imami: Pika e fundit, vendimi i fundit, ajo që ka lidhje me pluralizmin politik. A mund të shpjegoni diçka më qartë dhe më gjatë, d.m.th ç’kupton partia me këtë?

Ramiz Alia:
Tashti, pluralizmin politik ne e kuptojmë në bazë të këtij vendimi që përveç subjekteve të emërtuara në ligjin për zgjedhjet, mundet të paraqiten edhe subjekte të tjera, të cilat natyrisht duhet të respektojnë normat ligjore që ekzistojnë. Subjekte të tjera mund të jeni, juve kërkoni të jeni një subjekt i pavarur për shembull, edhe rinia studentore mund të jetë një subjekt i pavarur, kupton ti, në qoftë se dëshiron brenda Organizatës së Bashkimit të Rinisë, ose në qoftë se nuk dëshiron, jashtë Organizatës së Bashkimit të Rinisë. Pra, si një subjekt i pavarur politik. Kjo është. Arben Imami: Çfarë e pengon aktualisht partinë tonë që t’i propozojë Kuvendit Popullor formimin e partive të reja?
Ramiz Alia: Nuk e pengon kjo.
Skënder Gjinushi: Kushtetuta e lejon.
Arben Imami: Kushtetuta nuk e lejon në një pikëpamje, që thuhet se ai ligj kushtetues që ju vetë propozuat për t’u abroguar në të ardhmen.
Ramiz Alia: Cili ligj?
Arben Imami: Ligji për udhëheqjen dhe rolin e vetëm udhëheqës të partisë. Përderisa ne nuk kemi rol të vetëm udhëheqës të partisë, ose shpresojmë së afërmi të mos kemi. Përderisa ne nuk kemi një ligj, mesa di unë, se njohuritë tona janë të kufizuara.
VIJON…
Përgatiti: Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura