Samiti, BE arrin paktin për Mekanizmin e Shpëtimit

Jan 31, 2012 | 13:07
SHPËRNDAJE

Liderët e BE-së kanë arritur një marrëveshje në Samitin e së hënës mbi futjen e një mekanizmi të përhershëm shpëtimi për eurozonën, i cili do të hyjë në funksion duke nisur nga korriku 2012.
Marrëveshja për qeverisjen e këtij fondi do të nënshkruhet në një tjetër takim, kanë deklaruar për “Reuters” tre zyrtarë të BE-së. Mekanizmi i Stabilitetit Europian, i cili do të ketë kapacitet huadhënës deri në 500 miliardë euro, do të burojë nga Lehtësimi i Stabilitetit Financiar Europian, një mekanizëm i përkohshëm që është përdorur deri tani për të shpëtuar Irlandën dhe Portugalinë. “Është arritur marrëveshja, por ajo do të nënshkruhet në një fazë tjetër më vonë”, tha një zyrtar i BE për “Reuters”. Dy zyrtarë të tjerë e konfirmuan këtë lajm, me dëshirën për të mbetur anonimë. Mekanizmi pritet të hyjë në fuqi në korrik të vitit 2013, por Gjermania ka nxitur për prezantimin më herët të tij, në mënyrë që të mblidhet një fond më i qëndrueshëm e i përhershëm, duke ndërtuar një fasadë të fortë kundër krizës së borxhit.
Uniteti fiskal
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se uniteti i ri fiskal në Europë mbi disiplinën e buxhetit do ta bëjë eurozonën më kompakte. Por kritikët e shohin atë si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga rrënjët e vërteta të krizës në eurozonë. Marrëveshja, e cila do të nënshkruhet në fillim të marsit nga liderët e eurozonës dhe çdo vend tjetër i BE-së i cili ka dëshirë t’i bashkohet kësaj disipline, i detyron qeveritë të balancojnë buxhetet e tyre dhe të ulin borxhin publik. I ashtuquajturi strukturim i deficitit të buxhetit sistemon uljet dhe ngritjet ekonomike, që lëvizin me 0.5 për qind të GDP-së. Anëtarët e euros duhet ta shkruajnë këtë rregull në ligjet apo Kushtetutën e vendit, ose gjykatësit e BE-së mund t’i gjobisin ata.
Taksa e transaksioneve
Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, ka deklaruar hyrjen në fuqi të taksës unilaterale së transaksionit nga një gushti. Ajo që ne duam të krijojmë, është një valë shoku dhe të vendosim një shembull se nuk ka absolutisht asnjë arsye pse financat e parregulluara, ata njerëz që kanë ndihmuar të sjellin krizën, nuk duhet të paguajnë për të riparuar llogaritë tona”, tha ai në një adresim televiziv.

Greqia, BE shtyn diskutimin e ndihmës
Përfaqësuesit e vendeve të BE-së në Samitin e Brukselit kanë vendosur ta shtyjnë për në një samit të mëvonshëm dhe special diskutimin e paketës së dytë të ndihmës për Greqinë, duke i dhënë ende kohë këtij vendi që të arrijë reformat dhe marrëveshjet që i duhen brenda vendit apo me kreditorët privatë, për t’i hapur rrugë miratimit të fondit. Kjo e lë ende në ankth Kryeministrin grek Lukas Papademos, të cilit i duhet të presë muajin ardhshëm për të mësuar nëse vendit të tij do t’i jepet sasia e parave që do ta shpëtojë nga falimentimi i mundshëm, që pritet për në mars, nëse nuk merret paketa prej 130 miliardë eurosh nga BE dhe FMN.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura