Sami Repishti polemizon me Pëllumb Xhufin: Mendje e mbyllur, njësoj si ata që mbrojnë krimet nazifashiste

Apr 2, 2018 | 22:00
SHPËRNDAJE

Profesor Sami Repishti, njeriu simbol i përndjekjes komuniste në Shqipëri, dëshmon tmerrin e kampit të Tepelenës, përjetuar nga nëna e tij, motra 14-vjeçare dhe vëllai 12 vjeç. Repishti jeton sot në SHBA në moshën 92-vjeçare, por ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe në një komunikim me kryeredaktorin e gazetës “Panorama”, e quan prof. Pëllumb Xhufin një figurë tragjike, simbol i mendjeve të mbyllura që në Europë kanë shkuar deri aty sa të mbrojnë edhe krimet nazifashiste.

sami repishti

Në 27 mars 1968, profesor Repishti i ka dërguar një letër ministrit francez të Shtetit të Ngarkuar me Çështjet Kulturore, Andre Malraux, ku i përshkruan me detaje torturat dhe persekutimin në kampe e burgje për 14 vjet (1945-1959) derisa është arratisur nga Shqipëria. 

KOMUNIKIMI I PLOTE ME E-MAIL I KRYEREDAKTORIT TË “PANORAMA” ME PROF. SAMI REPISHTI

Përshëndetje profesor Repishti,

Besoj se i keni ndjekur debatet këtu në Shqipëri për kampin e Tepelenës. Autoriteti Shtetëror për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka propozuar që ky kamp të shpallet muze i represionit komunist, por një historian i njohur dhe me peshë në Shqipëri, Pëllumb Xhufi, e ka kundërshtuar këtë nismë duke publikuar disa dokumente të CIA-s dhe argumenton se aty nuk ka pasur represion.

Sipas tij, në atë kamp në vitet 1948 deri në 1953 janë zhvendosur familjet e të arratisurve politikë nga veriu, që vinin në Shqipëri dhe ushtronin terror. Nuk e di nëse keni diçka për të thënë për këtë çështje dhe sidomos për një tendencë, që po shfaqet hapur këtu për të mohuar krimet e komunizmit.

Me respekt të lartë për ju, Robert Rakipllari

I ndereumi Z. Rakipllari

Lexova me shqetësim mesazhin tuej. Nuk ishte i pari, por kur vjen nga ju merr nji karakter ma te theksuem. Familja ime, Nana 60- vjeçare, motra 14-vjeçare dhe vëllau 12- vjeçar kane kalue dy vjet ne atë kamp.(1949- 51) Simbas tregimeve të tyne, “kanë heq të zezën e ullirit”, qoftë nga pikëpamja e trajtimit, mungesa e ushqimit, të ftohtit të padurueshëm dhe erën e Tepelenës (Veliqot) dhe sidomos vdekjet pothuejse të përditshme nga plasja e mbeturinave të ushtrisë, bomba e municione të pazbulueme, viktima të të cilave kanë qenë zakonisht femijte qe luenin ose gratë, që ndeznin zjarrin për të gatuar diçka për të ngranë.

Kampi i Tepelenes
Kampi i Tepelenes

Bomba pëlciste dhe çdoherë kishte të vramë e të plagosun. Kjo ngjiste sidomos me familjet e malësive te Veriut. Simbas thanjeve të Nanës, pastë dritë, nuk ka familje malësore -sidomos nga Mirdita,- që nuk ka humbë nji, dy ose ma shumë fëmijë nga ajo që kanë jetue e vuejtë në Tepelenë. Mbas dy vjet qëndrimi, Nana ashtë amnistue, por nuk kishte harrue asgja nga ajo që kishte pësue në Tepelenë.

Motra ime 14-vjeçare ashtë përdorë në vend të kalit për tërheqje të karrocës së ushqimit për oficerët e policët e kampit, bashkë me nji vajzë moshatare shkodrane. Në lidhje me prof. Pllumb Xhufin dhe deklaratat e tij, unë mendoj se ai ashtë nji figure tragjike, simbol i mendjeve të mbylluna, i paaftë me dalë jashtë rrethit vicioz ku e ka hjedhe fanatizmi i tij, rezultat i indoktrinimit në shoqëni dhe familje.

I zanë rob në këtë situatë, ai lufton kundër çdo përpjekjeje me e nxjerrë nga “robënia” ku ka mbetë. Nji fatkeqësi që e kanë pësue shumë të tjerë në Europë e në botë, sidomos me krimet nazifashiste. Kam shumë dëshirë të shkruej diçka për këtë subjekt, por jam i lodhun, me të vërtetë i lodhun.

Ju uroj shumë shëndet e çdo të mirë!

Sami Repishti

PS. Po të dëshironi, mund të botoni të plotë letrën time dërgue ministrit e shkrimtarit të madh francez, Andre Malraux, më 1968. Do ta gjeni të plotë korrespondencën në librin: Sami Repishti: “Dialektika e Rendit dhe e Rebelimit tek Andre Malraux”. Përkthye nga Fotaq Andrea, Tiranë, Onufri) SR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura