Sali Berisha në prag të 70-vjetorit thyen rekord të ri në det

Aug 31, 2014 | 9:21
SHPËRNDAJE

 “Notova 153 minuta, më shumë se kurrë në jetën time”

Rekordin e ri në not këtë vit ish-Kryeministri Sali Berisha e kishte rezervuar si surprizë për në fund të verës. Pas komenteve në rrjetet sociale se me largimin nga qeveria, Berisha kishte hequr dorë edhe nga aventura e përvitshme e notit, ai ka njoftuar ndjekësit në rrjetet sociale se në fakt deri tani thjesht kishte grumbulluar energjitë për rekordin e rekordeve”, shkruan ai në profilin zyrtar në “Facebook”. Berisha madje nuk mjaftohet me kaq, pasi bashkë me fotot duke notuar përshkruan dhe se si u ndje në minutat e kaluara në det, me fjalët: “Të dashur miq, sot unë theva një rekord timin të një viti më parë. Sot unë notova në det të hapur 153 minuta, pa llogaritur rezervën, pra notova më shumë se kurrë më parë. Gjithnjë mendoja se rekordet e mia joniane ishin të lidhura edhe me magjinë e ujërave të Jonit. Por sot unë provova se ato ishin krejtësisht të lidhura me pasionin tim për ujin, notin dhe magjinë e këtij pasioni. Gjatë notit sot kam shfletuar faqe për faqe librin tim të notit, që nga vitet e fëmijërisë së hershme kur laheshim në lumenj, që mbusheshin me ujërat e borës që shkrinte dhe ndonjëherë në Valbonë në kaltërsinë e saj të akullt, në liqene akullnajash në Alpe, më pas në rezervuare, liqenet dhe detet e vendit, deri te rekordi i ri personal i sotëm. Përsosmëria nuk ekziston, por unë falënderoj Zotin dhe ndihem krenar e i privilegjuar me raportin tim me ujin”, përfundon Berisha. Me rekordet vit pas viti, ish-Kryeministri Berisha po i bën vërtet ziliqarë moshatarët e tij, duke pasur parasysh moshën e tij, pasi këtë tetor ai feston 70-vjetorin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura