Saimir Pirgu: Josif Gjipali, njeriu i duhur për TKOB

Aug 22, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

“Kandidatura më e mirë është Josif Gjipali”. Për tenorin me famë botërore, Saimir Pirgu, mes kandidaturave të deritanishme, Gjipali do të ishte më i përshtatshëm për postin e drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si njohës i këtij institucioni, por edhe i skenës botërore.

pirgu

Mes një viti të mbingarkuar me shfaqje në skenat më të mëdha të botës e aq më tepër me turin promovues të albumit të tij të dytë “Il mio canto”, Saimir Pirgu, një nga tenorët më të suksesshëm dhe më të kërkuar të momentit, është shkëputur për disa ditë për t’u çlodhur. Ka vendosur të arratiset vetëm për pak ditë nga e përditshmja, duke udhëtuar drejt Hawai-t.

Por edhe atje mediat do ta gjenin, për ta njohur me të rejat më të fundit për kreun e TKOBAP. Edhe pse karriera e tij tashmë i përket skenave të mëdha nga Londra, në Paris, Tokio, New York, etj., Pirgu nuk mund të mos jetë i ndjeshëm karshi asaj që ndodh në Tiranë, ku ai kthehet sa herë gjen hapësira në kalendarin e tij artistik.

(Ajo çka e bën edhe më të dashur Pirgun për publikun shqiptar është jo vetëm zëri i tij, i vlerësuar tashmë nga emrat më të mëdhenj të operistikës botërore, apo modestia dhe karizma e tij, por edhe lidhja e vazhdueshme me Shqipërinë).

Saimir Pirgu gjatë pushimeve në Hawai
Saimir Pirgu gjatë pushimeve në Hawai

I pyetur nga “Panorama” në lidhje me kandidaturat për postin e drejtorit të TKOBAP, ai mbështet pa asnjë ngurim Josif Gjipalin, por shprehet pozitivisht edhe për Zana Çelën. Për sa i takon tenorit Agim Hushi, nuk do të donte të jepte komente.

“Zana Çela ka qenë dikur drejtore e TKOB-së, ka përvojë në drejtim, e njeh mirë realitetin shqiptar dhe atë institucion, dhe është një kandidaturë e mirë. Por, ndër këto emra, unë do të isha për tenorin Josif Gjipali, pasi e njeh jo vetëm institucionin ku ka punuar si tenor, por edhe si një artist ndërkombëtar i njeh edhe skenat botërore, ku ai ka ndërtuar karrierën e tij. Për sa i takon tenorit Hushi, nuk ia vlen ta komentoj”, shprehet Pirgu.

Edhe më herët Pirgu ka qenë i mendimit se në krye të një institucioni të tillë, nuk duhet një artist, megjithatë, përpara këtij fakti, ai zgjedh Gjipalin.

Tenori Saimir Pirgu
Tenori Saimir Pirgu

“Për mendimin tim, artistët nuk duhet të bëhen as pjesë e politikës dhe as nuk duhet të vendosen në poste drejtuese. Por duke parë situatën aktuale, duke ditur edhe rëndësinë e këtij institucioni, njeriu që mundet ta drejtojë më mirë teatrin, është Josif Gjipali”, shton Pirgu. Për sa i takon dorëheqjes së ish-drejtorit, Ilir Kerni, Pirgu e trajton më së shumti nga ana njerëzore.

“Më vjen keq për të si artist dhe për çdo zhgënjim që ai mund të ketë pësuar gjatë detyrës së tij dhe që e ka çuar në kërkesën për dorëheqje. Por nga ana tjetër, respektoj vendimin e tij, si një akt qytetarie”, thotë tenori, me shpresën se në krye të TKOB-së do të vihet njeriu i duhur.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura