Saimir Pirgu: Dua ta dokumentoj këtë moment

Mar 4, 2016 | 20:51
SHPËRNDAJE

Me “Pourquoi me reveiller”, shkëputur nga “Werter” i Jules Massenet, të cilën e ka debutuar pikërisht në këtë skenë disa vite më parë, Saimir Pirgu nisi dje provat në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Ndihet si në shtëpinë e tij. Bën shaka me orkestrantët, takon koncertmaestrot… Ishte gati fëmijë, kur ka kënduar aty për herë të parë… Tenori me famë botërore, Saimir Pirgu, është në Tiranë për të dhënë koncertin recital, me të cilin promovon albumin e tij të dytë “Il mio canto”. Një koncert i shumëpritur, biletat e të cilit mbaruan thuajse ende pa dalë. Dhe është e kuptueshme për një teatër me vetëm 800 vende. Por përballë sallave të mëdha, si ajo e Pallatit të Kongreseve, ai preferon gjithsesi TKOB-in “plak”.

Saimir-Pirgu

“Tempulli është opera. Jemi në qendër të Tiranës, mes kishash e xhamish dhe jemi të lumtur që mes tyre kemi dhe një opera, kështu që unë nuk do ta ndryshoja pozicionin”, thotë ai. Në koncertin e së shtunës, i shoqëruar nga orkestra e TKOB-it, nën dirigjimin e mjeshtrit Maurizio Barbacini, me të cilin duket se e ka gjetur shpejt gjuhën e përbashkët, ai do të këndojë kryesisht ariet e përfshira në albumin e tij, titulluar “Il mio canto”.

Një titull jo i rastësishëm. Saimir Pirgu është duke përjetuar momentin më të mirë të karrierës së tij të deritanishme, duke u ngjitur në skenat më të mëdha të botës e duke korrur kritika pozitive e duartrokitje kudo ku ka shkuar. Sigurisht Pirgu nuk do të thoshte shprehjen magjike të Faustit “Ndalu çast se jam i lumtur”, por gjithsesi, këtë moment pjekurie dhe eksperience do të donte ta fiksonte.

“Doja të prezantoja momentin tim më të mirë dhe të lija një dokument. U bënë vite tashmë qëkur kam nxjerrë albumin e parë dhe jam duke kënduar në skenat e gjithë botës, ndaj duhej një ‘dokument’ për të treguar atë çka unë jam tani”, thotë tenori, teksa thotë se ky moment është rezultat i një përvoje 12-vjeçare tashmë në skenat operistike dhe leksioneve që ka marrë nga mjeshtër si Abbado, Muti apo Pavarotti. “Dua të lë një shenjë, se sa do të bëj pjesë në histori, këtë do ta tregojë koha”, thotë ai.

ALBUMI

Mes një kalendari të ngjeshur e ftesave që i vijnë nga e gjithë bota, iu desh të përqendrohet për të realizuar albumin. “Nuk bëj joga e nuk falem, sekreti është te qetësia e serioziteti. Ditëve kur regjistrohet nuk ka as telefon e as ‘Facebook’. Është një punë shumë e madhe, sepse një album i tillë, më parë realizohej për muaj të tërë, ndërsa këtë herë e kemi bërë për rreth 3 ditë e gjysmë, duke punuar nga 5 orë në ditë. Sigurisht, teknologjia ka ndryshuar, por ndonjëherë ky ritmi i çmendur i ditëve tona ul cilësinë, por unë kam dashur të ruajmë një nivel të lartë.

Duke qenë që albumi do të kishte një shpërndarje ndërkombëtare, ishte përgjegjësia ime që të bëja më të mirën”. Në album janë përfshirë ariet më të bukura të repertorit botëror nga kompozitorët Verdi, Puccini, Gounod, Donizetti etj., shoqëruar nga një prej orkestrave më të mira në botë, Orchestra del Maggio Musicale Fiorentino, nën drejtimin e Maestro Speranza Scappuçi dhe hedhur në qarkullim që në janar nga “Opus Arte”.

Për të realizuar këtë album dhe për ta promovuar atë është detyruar të anulojë tri produksione të mëdha. “Janë anuluar 3 produksione nga shkurti deri në maj, duke mbajtur ato më të rëndësishmet. Nuk mund të anuloja dot Filarmoninë e Parisit dhe Çikago Simfoni me dirigjent Riçardo Mutin. Por duhej të anuloja diçka që të mund të përfshija në kalendar 9 koncerte në të gjithë botën nga Tokio në Nju Jork”.

Pas suksesit në Tokio, ku japonezët pritën në radhë të gjata për të marrë një autograf të tijin, pasi mbetën të mahnitur nga interpretimi i kryeveprave botërore, por edhe nga “Fjalët e qiririt” kënduar në shqip, Pirgu udhëtoi drejt Firences, nesër këndon në Tiranë, për të udhë- tuar sërish drejt Parisit, Moskës, Vjenës, Berlinit, për ta mbyllur me Nju Jorkun.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura