“Saga e Jetëve Legjendë 2”, 5 figura historike në një rrëfim të jashtëzakonshëm

Jul 31, 2020 | 9:16
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Nëse historia e njerëzimit do të shkruhej si një roman, më i bukuri dhe më interesanti do të ishte ai që trajton në kompleks figurat legjendare të saj”. 

Ekonomi

Pas suksesit të vëllimit të parë, “Saga e Jetëve Legjendë”, të botuar plot katër herë, gazetari Arjan Konomi vjen me një tjetër rrëfim të jashtëzakonshëm të pesë personazheve të njohur historikë, sa të suksesshëm (e ndonjëherë edhe fatalistë), aq edhe të mbështjellë nga misteri. Nga balerina Mata Hari, shkencëtarja e dy çmimeve “Nobel”, Mari Kyri, Aleksandri i Madh, Luigji XIV, deri te Vladimir Ilic Lenin, vëllimi i dytë i “Sagës” rrëfen jetët e këtyre personazheve, epokat në të cilat jetuan, politikat, ndryshimet, e, siç thotë autori, “zhvillimet e të tërë asaj që vlen të përmendet në historinë e shoqërisë njerëzore”.

Një libër që hedh dritë mbi jetën e balerinës holandeze të akuzuar si agjente, famën e beftë të Mata Harit në skenat më të mëdha europiane, dashuritë, si dhe një “skicë” e spiunazhit dhe kundërspiunazhit në ato vite. Si “antipod” i saj vjen Mari Kyri, si një nga mendjet më gjeniale që ka njohur historia e njerëzimit e që, siç thotë Konomi, “qëndron ende e vetme në majën e Olimpit të shkencës”. Gazetari rrëzon “muret” e jetës së saj private, duke gërmuar aty ku ajo gjeti kurajën e këmbënguljen për të sfiduar mentalitetin e rrëzuar çdo limit të imponuar ndaj intelektit femëror. Fakte të panjohura të jetës së saj private dhe si ndikuan ato në punën e saj. Sekretet e udhëheqësve të tri epokave, duke nisur nga Aleksandri i Madh si strateg, gjeni të artit ushtarak, politikës e oratorisë së pashoq, “Mbreti Diell” e misteret e lavdisë së tij. Konomi tregon Luigjin XIV e dritëhijet e tij. A është Luigji XIV një mbret i urryer apo promotori i një shekulli? A e dëmtoi Francën apo e zhvilloi më shumë atë? Janë vetëm disa nga pyetjet që gazetari shtron në rrëfimin e tij. Një libër që rrëzon arnimet e historisë me falsitete, sa i përket Revolucionit të famshëm Bolshevik. Konomi tregon Leninin si “mjeshtër të përsosur të manipulimit, djallëzisë dhe shkatërrimit”…

saga-e-jeteve-legjende-2

Zoti Konomi, sillni për lexuesin librin e dytë “Saga e Jetëve Legjendë 2”. Në fokus të rrëfimit tuaj janë 5 personazhe: Lenini, Mata Hari, Luigji XIV, Mari Kyri dhe Aleksandri i Madh. Pse u ndalët pikërisht te këta emra?

ka qenë një nga pikat kyçe, mbi të cilën kam reflektuar shumë. Madje, mund të them se gjatë dy viteve të shkrimit të këtij libri edhe kam ndryshuar mendim rreth emrave, mbi të cilët do shkruaja. Dëshira e madhe ishte në radhë të parë të sillja jetën e Aleksandrit të Madh, rrugëtimin legjendar të tij, jetën e tij, betejat, politikat dhe vizionet e një strategu të papërsëritshëm më vonë gjatë historisë së njerëzimit. Një shembull i pakrahasueshëm për shumë figura të tjera të shquara në shekuj që pasojnë. Kjo ka qenë një ide që më ka ngacmuar që në vëllimin e parë të “Sagës”, ku mungonte një personazh i lashtësisë. Njëkohësisht më intrigonte shumë figura e Vladimir Iliç Leninit, liderit që ndryshoi botën duke hapur një epokë të re në historinë e saj, në sajë të atij revolucioni që njihet botërisht si Revolucioni Bolshevik. Pikërisht e tërë historia e thënë deri më sot dhe e mësuar në Shqipëri prej disa brezave, është krejtësisht e manipuluar, e shtrembëruar dhe me mungesë të fakteve të mëdha historike të zbuluara vetëm pak vite më parë, të cilat paraqesin dritëhijet e këtij personazhi legjendar, një mjeshtër i përsosur i manipulimit, djallëzisë dhe shkatërrimit, ku ambicia personale për pushtet justifikohet me çështjen e proletariatit dhe shtyn në të tilla lëvizje politike të paraqitura nëpërmjet faqeve të këtij libri. Për më tepër, gjithë ajo propagandë e Revolucionit Bolshevik nuk është gjë tjetër, veçse një falsifikim i madh i historisë që u është dhënë për ta besuar si të vërtetë mbarë botës. Ndërsa historia e mëvonshme ka kritikuar figurën e Stalinit dhe nuk është marrë me atë të Leninit, duke e lënë në piedestalin e liderit botëror, në librin tim zbulohet e vërteta e madhe e sjellë nga studiuesit më të mëdhenj të kohës, duke na krijuar një portret të ri të tij. Ndërsa Mbreti Luigji XIV, apo i njohur si Mbreti Diell, vjen si një zbulim i ri i këtij personazhi emblematik në historinë botërore, por tepër i denigruar edhe nga vetë francezët, të cilët e kanë paraqitur si shembullin më të keq të absolutizmit, despotizmit dhe regresit. Kjo, për faktin edhe të ndikimit të ngjarjeve të mëvonshme, kur në Francë, në emër të frazës së famshme “Liri, Barazi, Vëllazëri”, vranë e prenë mijëra koka të pafajshme dhe errësuan duke e lënë mënjanë rolin dhe figurën e Luigjit XIV, që është themeluesi i shteti modern europian. Pata shtysë në përzgjedhjen e tij nga një libër i iluministit të shquar Volter, i cili e lartëson këtë periudhë si një nga më të ndriturat e Europës dhe të botës.

Cilat janë burimet që keni marrë si referencë për të hedhur dritë mbi pjesën më pak të njohur të këtyre figurave dhe sa kohë ju desh për të shkruar librin?

Për të shkruar librin më është dashur më shumë se dy vjet, pasi është një punë voluminoze kërkimore, përpara se unë të filloja të shkruaja historinë, e cila është ndërtuar në formë krejtësisht origjinale, duke e bërë si skenarin e një filmi dhe jo si jetën e një personazhi, për të qenë sa më e këndshme dhe më e lexueshme. Puna kërkimore konsiston në dy faza të rëndësishme. E para është një kërkim mbi gjithë biografët e mëdhenj të këtyre personazheve, të cilët kanë hulumtuar për vite të tëra në shumë vende të botës për të zbuluar nga arkivat dokumente të panjohura më parë, si dhe ditarët, letrat apo shkrimet që personazhet mund të kenë lënë. Pas kësaj, nis studimi i tyre dhe përzgjedhja e elementëve, të cilët unë mendoj se janë interesantë për t’i treguar në biografinë time, natyrisht nëpërmjet një rrëfimi timin, krejtësisht të ri nga ana stilistike dhe letrare. Gjithçka është e bazuar në fakte të vërteta, qoftë edhe sa u përket dialogëve të personazheve apo opinioneve, përshtypjeve dhe kritikave të autorëve më prestigjiozë që kanë shkruar rreth tyre. Dhe kjo, e përmbledhur në afro 85 faqe të librit. Pra, është një koncentrim i madh i një jetë vullkanike dhe të jashtëzakonshme, e cila duhet sjellë bukur dhe në mënyrë të këndshme, që lexuesit mos t’i duket si një tekst shkollor historie.

Cili ka qenë ai personazh që ju ka befasuar më shumë gjatë kërkimeve tuaja? A mund të na zbuloni ndonjë “të fshehtë” të tij?

Pavarësisht se personazhet duken si shumë të njohura, e vërteta është se ne dimë shumë pak për ta, sidomos për jetët private të tyre. Në rreshtat e librit paraqitet si në një roman jeta private e këtyre personazheve, dashuritë e zjarrta, emocionet përvëluese, pasionet shkatërrimtare, dështimet dhe vuajtjet, të cilat na japin një mësim shumë të madh për jetën për secilin nga ne: që asnjëherë nuk duhet të tërhiqemi, pavarësisht dështimit, që asnjëherë nuk duhet të na kapë pesimizmi edhe atëherë kur gjithçka duket se ka marrë fund, që kurrë nuk duhet humbur shpresa se vjen një ditë që njeriu mund t’ia dalë në çdo vështirësi, sado e pamundur të duket për t’u përballuar, e cila mund të çojë edhe në një sukses të jashtëzakonshëm, siç ka ndodhur me këto personazhe. Mund të veçoj një fakt të ri të zbuluar mbi Leninin, i cili kishte një të dashur franceze, që mbërriti bashkë më të në Moskë dhe në periudha të ndryshme Lenini, bashkëshortja dhe ajo jetuan të tre, duke pasur një marrëdhënie treshe. Edhe pse francezja ishte një figurë shumë e njohur publike deri në vdekjen e saj, historiografia bolshevike, pasi rrëzon monumentin e saj në Sheshin e Kuq të Moskës, fshin edhe emrin dhe jetën e saj nga historia. Së fundmi ka dalë një letërkëmbim dashurie i dendur i Leninit me të, një pjesë të të cilit e sjell në këtë libër.

Tre udhëheqës që u përkasin epokave e qytetërimeve të ndryshme, Aleksandri i Madh, Mbreti Luigji XIV dhe Lenini. Cilat qenë elementet “ushqyese” të suksesit të tyre, a kanë pika takimi mes tyre?

Është e vërtetë që janë tre udhëheqës të famshëm të historisë së njerëzimit dhe jo rastësisht i kam përzgjedhur të epokave të ndryshme. Lexuesi shkon dy mijë e treqind vjet më parë në kohën e Aleksandrit të Madh, duke njohur qytetërimin e asaj epoke, atë maqedonas, helen dhe persian, por edhe fenikas e babilonas, duke zbuluar perandorinë e fuqishme shekullore persiane, si dhe vende e popuj që shtrihen në territoret e botës së njohur deri atëherë, e cila shkonte deri në Indi. Pastaj shkojmë katërqind vjet më parë, me Luigjin XIV dhe kuptojnë se cila është Franca dhe Europa e asaj kohë, si funksiononte shteti dhe cila ishte shoqëria e asaj epoke, si dhe konfliktet dhe marrëdhëniet e shteteve midis tyre. Më pas spostohemi njëqind e tridhjetë vjet përpara, me Leninin, duke zbuluar Rusinë cariste dhe zhvillimet politike europiane të asaj kohe, përfshirë Luftën e Parë Botërore dhe pasojat e saj. Pra, është një udhëtim mes shekujsh për të kuptuar dhe njohur politikën, nëpërmjet këtyre tre personazheve. Natyrisht, për një mendje që ka etje dhe kuriozitet për të njohur dhe për të mësuar sa më shumë.

Ndalemi te dy figurat femërore që janë pjesë e “Sagës”, balerina holandeze Mata Hari, e njohur për akuzat që iu bënë si spiune, dhe shkencëtarja e radioaktivitetit, Mari Kyri. Dy femra që kanë jetuar në të njëjtën epokë, por me jetë krejtësisht të ndryshme. Cila e pati më të lehtë të arrinte famën dhe çfarë e ndihmoi? Hari njihet për jetën e saj personale të trazuar, po për Kyrin ç’mund të themi në këtë aspekt?

E vërtetë. Dy femra që kanë jetuar njëkohësisht dhe aq të ndryshme, personazhe legjendare me jetë të jashtëzakonshme publike dhe private. Antipodet e këtyre dy personazheve më shtynë në përzgjedhjen e tyre. Duke dashur të shuaj kërshërinë e atyre që janë më të pasionuar për shkencën, përzgjodha Mari Kyrinë, ndërsa për ata që janë më tepër të pasionuar pas artit dhe spiunazhit përzgjodha Mata Harin. Qëllimisht zgjodha një epokë të përbashkët, pasi fillimi i shekullit të kaluar është aq i afërt për ne, por njëkohësisht edhe shumë i panjohur, për të sjellë një panoramë të asaj periudhe të artë të shoqërisë njerëzore, e cila do të degjeneronte në dy luftëra botërore. Por të dyja këto personazhe kanë shumë pika të përbashkëta për sa u përket jetëve private të tyre. Ato i bashkon dhimbja, vuajtja dhe shkatërrimi që të lë gojëhapur, duke mos e besuar për të qenë një e vërtetë.

Ju keni shkruar në fund të librit se jetët e këtyre personazheve legjendare përbëjnë romanin më të bukur të historisë së njerëzimit. Ç’doni të thoni me këtë?

Mendoj se nëse historia e njerëzimit do të shkruhej si një roman, ai më i bukuri, më interesanti dhe më i ploti do të ishte sjellja e figurave legjendare të saj, me jetët e tyre, të cilat na sjellin epokat, politikat, ndryshimet, zhvillimet dhe të tërë asaj që vlen të përmendet në historinë e shoqërisë njerëzore. Me një fjalë, përbëjnë romanin më të bukur të historisë së njerëzimit.

4ac286b4-ed00-4809-82dc-ae7c005bbcf5 82c5daa9-e750-4e97-8f22-c25f2cee516f 9f565c3f-5802-484a-a3d9-541e8ee4103b ca44088a-23c9-4c6e-8483-08e59bac5ddf

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura