Sadiku, në garë edhe Uest Bromuiç

Oct 31, 2012 | 12:58
SHPËRNDAJE
Armando Sadiku

Armando Sadiku është bërë objektiv i shumë skuadrave europiane. Sulmuesi shqiptar, i cili po shkëlqen me Luganon në Zvicër, pëlqehet nga ekipi anglez Uest Bromuiç Albion, njofton uebfaqja tribalfootball.com. Sadiku, i cili iu bashkua Luganos nga Lukarno gjatë kësaj vere, ka realizuar 10 gola nga 11 ndeshje këtë sezon. Përpos ekipit nga Premierliga, në ditët e fundit flitej se për përfaqësuesin shqiptar ka shfaqur interesim edhe kampioni aktual i Gjermanisë, Borusia Dortmund. Kurse kohë më parë për 21- vjeçarin kishin lëvizur edhe ekipet italiane, si Fiorentina, Katania, Siena e Kievo, plus ai gjerman, Mynih 1860. Vetë menaxheri i sulmuesit ka pohuar interesimin e kampionëve të Gjermanisë për futbollistin elbasanas. Nga shkurti i vitit 2011, Sadiku ka realizuar 36 gola në 49 ndeshje në Kategorinë e Dytë zvicerane. Vitin e kaluar ai ishte golashënuesi më i mirë te Lokarno. Gjatë verës, Lugano pagoi 415 mijë euro për kartonin e Sadikut, ndërsa vetë lojtari përfiton rreth 166 mijë euro në vit. Presidenti i skuadrës së Luganos, Anxhelo Renxeti, pat deklaruar pak ditë më parë se një ndër futbollistët që mund të largohet gjatë merkatos së janarit është edhe sulmuesi shqiptar, për shkak të ofertave të shumta që kanë ardhur në adresë të lojtarit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura